Evropa po i përgjigjet kërcënimeve të Trump me një hakmarrje të ashpër tregtare. Ndërsa Shtëpia e Bardhë ka propozuar tarifa prej 10 për qind duke filluar nga 1 shkurti për tetë vende që dërguan trupa në Groenlandë, kryeqytetet evropiane po shqyrtojnë kundër-tarifat ndaj SHBA-së me vlerë 93 miliardë euro ose një kufizim në aksesin e kompanive amerikane në tregun evropian.
Sipas mediave masat hakmarrëse janë hartuar për t'u dhënë udhëheqësve evropianë ndikim përpara takimeve me presidentin e SHBA-së në Forumin Ekonomik Botëror në Davos javën e ardhshme. Kreu i Shtëpisë së Bardhe do të takohet me udhëheqësit e BE-së, përfshirë Presidenten e komisionit Evropian Ursula von der Leyen në qytetin zviceran të hënën pasdite. Takimi fillimisht ishte planifikuar të përqendrohej në Ukrainë, por rendi i ditës tani është rishikuar për t'i dhënë më shumë hapësirë krizës së Groenlandës.
Zyrtarët evropianë shpresojnë se kërcënimet e tyre për hakmarrje do të rrisin presionin dypartiak amerikan mbi Trump dhe do ta shtyjnë atë të tërhiqet nga tarifat. "Është tashmë një situatë që nuk lejon kompromis sepse nuk ka vend për kompromis në Groenlandë. Amerikanët e arsyeshëm e dinë se ai ka hapur kutinë e Pandorës", tha një zyrtar evropian për Financial Times .
Ndërkohë, në një bisedë telefonike, kryeministri britanik Keir Starmer i tha Donald Trumpit se vendosja e tarifave ndaj aleatëve në ndjekje të sigurisë kolektive të NATO-s është "e gabuar".
Starmer foli gjithashtu me kryeministren daneze Mette Frederiksen, Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte.
Shefi i Aleancës së atlantikut të Veriut shkroi në rrjetet sociale se kishte zhvilluar një bisedë me presidentin amerikan Donald Trump, “rreth situatës së sigurisë” në Groenlandë dhe Arktik. “Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për këtë çështje dhe mezi pres ta takoj atë në Davos në fund të javës”, shkroi Rutte në X, pa sqarime të mëtejshme mbi përmbajtjen e bisedës telefonike.

Ish-zv.Presidenti i SHBA-së, Mike Pence, ka reaguar ditën e sotme lidhur me çështjen e Groenlandës dhe tarifat doganore që Presidenti Donald Trump po planifikon të vendosë ndaj disa vendeve të NATO-s.
Sipas mediave të huaja, Pence tha se mbështet blerjen e Grenlandës nga SHBA-të, por kishte shqetësime për mënyrën se si Donald Trump po vepron në këtë drejtim.
"Mendoj se tani për tani është një çështje, jo se çfarë po përpiqet të arrijë Presidenti, por si", i tha ai CNN.
"Kam shqetësime në lidhje me përdorimin e asaj që mendoj se është një autoritet kushtetues i dyshimtë, duke vendosur tarifa të njëanshme ndaj aleatëve të NATO-s për të arritur këtë objektiv", shtoi Pence.
Por Pence përsëriti se mbështet qëllimin e përgjithshëm të Trump për Groenlandën.
"Mendoj se është absolutisht në interes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës", tha Pence.
"Ishte sekretari i shtetit i Abraham Linkolnit ai që negocioi blerjen e Alaskës, i cili sugjeroi i pari që Shtetet e Bashkuara të blinin edhe Groenlandën", vijoi Pence më tej.

Presidenti i Këshillit Evropian ka thënë se ka vendosur të thërrasë "një takim të jashtëzakonshëm" në ditët në vijim për çështjen e Groenlandës.
Sipas mediave të huaja, në një postim në rrjetet sociale, Antonio Costa thotë se kjo mbledhje do të organizohet "duke pasur parasysh rëndësinë e zhvillimeve të fundit dhe me qëllim koordinimin e mëtejshëm".
Kjo lëvizje vjen pas planeve të Presidentit amerikan Donald Trump për aneksimin e ishullit të Groenlandës dhe vendosjen e tarifave doganore për vendet e NATO-s që kundërshtojnë veprimet e tij.
Costa tregon angazhimet e Evropës për gjashtë pika kyçe pas bisedave me shtetet anëtare.
Ato janë:
Uniteti mbi parimet e së drejtës ndërkombëtare, integritetit territorial dhe sovranitetit kombëtar;
Unitet në mbështetje dhe solidaritet me Danimarkën dhe Groenlandën;
Njohja e interesit të përbashkët transatlantik për paqen dhe sigurinë në Arktik, veçanërisht duke punuar përmes NATO-s;
Vlerësim i përbashkët se tarifat do të dëmtonin marrëdhëniet transatlantike dhe janë të papajtueshme me marrëveshjen tregtare BE-SHBA;
Gatishmëria për të mbrojtur veten kundër çdo forme shtrëngimi;
Gatishmëria për të vazhduar angazhimin konstruktiv me SHBA-në për të gjitha çështjet me interes të përbashkët.

Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump. Sipas mediave të huaja, lajmin e bëri të ditur një zëdhënëse e Downing Street.
Kjo bisedë telefonike mes dy liderëve ka ardhur pas bisedës që Starmer ka zhvilluar me kryeministrin e Danimarkës, si dhe me udhëheqësit e Komisionit Evropian dhe NATO-s këtë pasdite.
“Në të gjitha telefonatat e tij, kryeministri përsëriti qëndrimin e tij për Groenlandën”, tha Downing Street.
Po ashtu, sipas Downing Street, kryeministri britanik tha se siguria në Veriun e Epërm (Groenlandë) është një përparësi për të gjithë aleatët e NATO-s, me qëllim mbrojtjen e interesave euroatlantike.
"Starmer tha gjithashtu se zbatimi i tarifave ndaj aleatëve, për ndjekjen e sigurisë kolektive të aleatëve të NATO-s, është i gabuar", përfundoi Downing Street.
Kujtojmë se Donald Trump planifikoi vendosjen e tarifave të larta ndaj 8 shteteve që mbështesin Groenlandën, pas kërcënimeve të Presidentit amerikan për aneksimin e ishullit.

Evropa po i përgjigjet kërcënimeve të Trump me një hakmarrje të ashpër tregtare. Ndërsa Shtëpia e Bardhë ka propozuar tarifa doganore prej 10 përqind duke filluar nga 1 shkurti për tetë vende që dërguan trupa në Grenlandë, kryeqytetet evropiane po shqyrtojnë kundër-tarifat doganore ndaj SHBA-së me vlerë 93 miliardë dollarë ose një kufizim në aksesin e kompanive amerikane në tregun evropian.
Sipas mediave të huaja, masat hakmarrëse ishin hartuar për t'u dhënë udhëheqësve evropianë ndikim përpara takimeve të tyre me presidentin e SHBA-së në Forumin Ekonomik Botëror në Davos këtë javë. Donald Trump do të takohet me udhëheqësit evropianë, përfshirë Presidenten e BE-së Ursula von der Leyen, në qytetin zviceran të hënën pasdite.
Takimi fillimisht ishte planifikuar të përqendrohej në Ukrainë, por rendi i ditës tani është rishikuar për t'i dhënë më shumë hapësirë krizës së Groenlandës. Zyrtarët evropianë shpresojnë që kërcënimet e tyre për hakmarrje do të rrisin presionin dypartiak amerikan mbi Trump dhe do ta shtyjnë atë të tërhiqet nga tarifat.

Mark Rutte dhe Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka zhvilluar një bisedë me presidentin amerikan Donald Trump lidhur me situatën në Groenlandë dhe në Arktik.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Rutte njoftoi se palët do të vijojnë të punojnë mbi këtë çështje
“Do të vazhdojmë punën për këtë dhe pres ta takoj në Davos më vonë gjatë kësaj jave" tha Rutte
Trump pritet të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës këtë javë, ku do të jenë të pranishëm edhe udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Holandës dhe Finlandës.

Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, ka zhvilluar një takim me homologun e tij norvegjez në Oslo, pët të diskutuar mbi çështjen e Groenlandës.
Sipas mediave të huaja, Rasmussen u tha gazetarëve se lufta në Ukrainë është në një pikë kritike dhe kjo sipas tij, nuk duhet harruar as gjatë bisedimeve për Groenlandën.
Ai vazhdoi duke thënë se Danimarka po përpiqet ta bindë Presidentin amerikan Donald Trump të heqë dorë nga ideja se ai duhet ta zotërojë Groenlandën.
Por, pavarësisht kërcënimeve të presidentit amerikan, Rasmussen tha se vendi i tij do të donte të vazhdonte të kërkonte për rrugë diplomatike për zgjidhjen e problemit.
Pas takimit me nënpresidentin e SHBA-së, JD Vance dhe sekretarin e shtetit Marco Rubio në Uashington këtë javë, Rasmussen tha se do të ngrihet një grup pune i nivelit të lartë për të “shqyrtuar nëse mund të gjejmë një rrugë të përbashkët”.
Grupi pritet të takohet për herë të parë "brenda pak javësh", ndërkohë që mbetet për t’u parë sesi do të zgjidhet kjo çështje.

Peshkimi është ‘shtylla kurrizore’ e ekonomisë së Groenlandës, me prodhimet e detit që përbëjnë mbi 90% të eksporteve të saj totale. Po ashtu Groenlanda merr subvencione të mëdha nga qeveria daneze.
Pra, çfarë e bën vendin ekonomikisht tërheqës?
Në vitet e fundit, ka pasur një interes në rritje për burimet natyrore të Groenlandës, duke përfshirë mineralet e rralla të tokës, uraniumin dhe hekurin. Ajo gjithashtu mund të ketë rezerva të konsiderueshme nafte dhe gazi.
Më parë këto burime kanë qenë të paaksesueshme për shkak të klimës së ashpër të Arktikut, por shkrirja e akullit ka hapur rrugë të reja transporti detar, të cilat mund ta bëjnë më të lehtë peshkimin dhe nxjerrjen e mineraleve.
Burimet minerale të vlefshme kanë qenë një fokus kyç i Presidentit Trump në vende të tjera, përfshirë edhe në ndërveprimet e tij me Ukrainën. Megjithatë, Presidenti i SHBA-së ka përsëritur dëshirën e tij për të blerë Groenlandën për sigurinë kombëtare të Amerikës.
Më shumë se një herë, ai e ka përshkruar kërcënimin që percepton nga fuqitë rivale, duke thënë se "nëse nuk e marrim Groenlandën, Rusia ose Kina do ta marrin atë".

Kryeministrja e Irlandës së Veriut ka dënuar planet tarifore të Presidentit amerikan Donald Trump, kundër tetë vendeve evropiane për shkak të Grenlandës.
Sipas mediave të huaja, Michelle O'Neill tha se propozimet janë "thellësisht shqetësuese" dhe paralajmëroi se "ekonomitë e Irlandës dhe Shteteve të Bashkuara janë të lidhura ngushtë".
“Për shumë vite, kjo marrëdhënie ka mbështetur pozitivisht vendet e punës, investimet dhe prosperitetin nga të dyja palët”, shkroi ajo në një postim në rrjetet sociale.
"Megjithatë, kur udhëheqësit botërorë marrin vendime të rrezikshme në ndjekje të tokës dhe burimeve, shpesh janë njerëzit e zakonshëm ata që paguajnë çmimin”, vijoi ajo më tej.
"Në kohën që kjo ndodh, unë do të punoj me udhëheqës politikë dhe biznesi në vend dhe ndërkombëtarisht për të mbrojtur bizneset tona lokale, ekonominë tonë në të gjithë ishullin dhe jetesën e njerëzve", përfundoi kryeministrja e Irlandës së Veriut.

Kryeministrja e Danimarkës ka reaguar sërish pas deklaratës së përbashkët nga të tetë vendet e synuara nga tarifat e Donald Trump.
Sipas mediave të huaja, Mette Frederiksen thotë se qeveria e saj ka qenë në “dialog intensiv” me aleatët e saj, përfshirë kancelarin Friedrich Merz të Gjermanisë, Presidentin Emmanuel Macron të Francës dhe kryeministrin Keir Starmer të Mbretërisë së Bashkuar.
"Mbretëria e Danimarkës po merr mbështetje të madhe. Në të njëjtën kohë, tani është edhe më e qartë se kjo është një çështje që shkon përtej kufijve tanë", tha ajo.
"Aq më e rëndësishme është që ne të qëndrojmë të vendosur në vlerat themelore që krijuan komunitetin evropian. Ne duam të bashkëpunojmë dhe nuk jemi ne ata që kërkojmë konflikt", vijoi ajo më tej.
"Jam i kënaqur me mesazhet e vazhdueshme nga pjesa tjetër e kontinentit: Evropa nuk do të shantazhohet", përfundoi deklaratën e saj kryeministrja e Danimarkës.

Geogia Meloni në Seul
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka kritikuar hapur vendimin e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për rritjen e tarifave doganore ndaj vendeve europiane që kanë kontribuar në sigurinë e Groenlandës.
Duke folur gjatë një takimi me gazetarët në Seul, Meloni u shpreh se parashikimi i një rritjeje të tarifave doganore ndaj këtyre vendeve është, sipas saj, një gabim dhe se nuk e ndan këtë qasje.
Meloni bëri të ditur se ka ndërprerë programin e saj për të kontaktuar drejtpërdrejt Shtëpinë e Bardhë, ku ka zhvilluar një bisedë telefonike me Trump.
“I kam thënë qartë se mendoj se kjo është një rrugë e gabuar dhe se duhet të rifillojmë dialogun për të shmangur një përshkallëzim”, tha ajo.
Kryeministrja shtoi se ka folur edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATOs, i cili e ka informuar për një proces pune që Aleanca po nis në lidhje me sigurinë në Arktik.
Sipas Melonit, ekziston një keqkuptim mbi qëllimin e pranisë ushtarake europiane në Groenlandë. Ajo theksoi se iniciativa e disa vendeve të BE-së për të dërguar trupa nuk ishte e drejtuar kundër Shteteve të Bashkuara, por synonte rritjen e sigurisë përballë aktorëve të tjerë që konsiderohen potencialisht armiqësorë. Kryeministrja nënvizoi se NATO mbetet forumi i duhur për të koordinuar masat e parandalimit dhe se është e rëndësishme që mes aleatëve të ketë komunikim të qartë dhe të vazhdueshëm.
E pyetur për reagimin e Trump gjatë bisedës telefonike, Meloni tha se presidenti amerikan ishte i gatshëm të dëgjonte, por se nga ana amerikane nuk ishte kuptuar qartë mesazhi që vinte nga Europa. Ajo shtoi se gjatë ditës do të zhvillojë kontakte edhe me liderë të tjerë europianë, duke theksuar se në këtë fazë dialogu është thelbësor për të shmangur tensione të mëtejshme dhe për të punuar së bashku drejt objektivave të përbashkëta.

Keir Starmer dhe Donald Trump
Kërcënimet e presidentit të SHBA-së Donald Trump për vendosjen e tarifave për 8 shtetet evropiane, Danimarkë, Norvegji, Suedi, Francë, Mbretëri e Bashkuar, Holandë dhe Gjermani, pasi i janë bërë pengesë për të aneksuar plotësisht Groenlandën, kanë shkaktuar reagime të forta nga liderët në Evropë.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer tha se Trump kishte gabuar plotësisht për vendosjen e tarifave ndaj aleatëve që po “ndjekin sigurinë kolektive të aleatëve të NATO-s”, duke shtuar se ai do ta “ndjekë” këtë çështje me administratën amerikane.
Presidenti francez Emmanuel Macron e quajti kërcënimin e tarifave "të papranueshme" dhe tha se nëse zbatohen, Evropa do të përgjigjet në mënyrë të koordinuar. Zyrtarë nga Norvegjia, Suedia, Franca dhe Gjermania përsëritën mbështetjen për Danimarkën dhe thanë se tarifat nuk duhet të jenë pjesë e diskutimeve për Groenlandën.
Presidenti amerikan tregoi se tarifat ishin një hakmarrje pasi vendet evropiane dërguan personel ushtarak në Groenlandë në një shfaqje mbështetjeje për territorin. Deri më tani, Franca ka dërguar deri në 15 persona në territorin danez, Gjermania ka dërguar 13 dhe Mbretëria e Bashkuar ka dërguar një oficer ushtarak.
Tarifa 10% do të hyjë në fuqi për 8 shtetet më 1 shkurt ndërsa parashikohet të rritet deri në 25% në qershor për çdo marr të eksportuar në SHBA nga këto shtete deri sa Amerika të arrijë marrëveshjen e plotë për blerjen e Groenlandës.
Komente










Europa ka qene, është dhe do të mbetet vend I qyteteruar dhe kulture boterore. Ka erdhur koha qe Amerika ta kuptoje qe me dhune dhe arme nuk merret gjithçka. Me mire te vuaje si fillim Europa dhe pa Amerikën, por te shpëtojmë nga kthetrat e saj.Ajo mbjell dhune dhe destabilizim kudo qe fut hundët.
Përgjigjueuropa eshte dhe do te mbetet nje vend hijenash. mjafton te shohesh se si i ka denigruar shqiptaret keto 30 vjet, si na zvarrit integrimin e ka futur brenda lloj lloj rumunesh e jevgjish francez qe sipas tyre vlejne pe shume se ne. jam i lumtur qe ky union mizerjesh do te fundoset shume shpejt, ndofta brenda presidences trump. persa i perket argumentit groenlanda duhet te jete patjeter pjese e shba para se ta haje arusha e bardhe ruse. danezet me slita qensh nuk e ruajne dot me. gjeopolitika ka ndryshuar.
Nese BE -se i ka ngelur pak seder apo dinjitet duhet tja tregoj vendin amerikes duke i prishur te gjitha marredheniet si diplomatike dhe ekonomike me ata legena dhe ta izoloj titalisht ameriken , pastaj dua ta shikoj arrogancen e atij koke furces . Kjo nuk ndodh sepse BE nuk ka leader me kellqe qe te marin vendime te prera dhe te mbajne te njejtin drejtim prandaj perfiton amerika nga keta lolo
PërgjigjuPo armet kujt tja bleje or teeeejjjjj