Parajsa dhe ferri i Kol
Idromenos në piktura

Parajsa dhe ferri i Kol<br />Idromenos në piktura
Kryevepra në pikturë e autorit më të shquar shqiptar të rilindjes tone Kombëtare dhe Kulturore në rradhë të parë, është më e pa vlersuara realisht për kontributin e saj moral dhe etik, të paraqitur në një vepër madhore që është 198 cm me 174 cm sipërfaqe. Një kryevepër sikundër thashë etike, dhe pse shumë kush sidomos në diktaturë,  e defininonin religjonare ose më mirë “anti religjonare” me botëkuptimin retro - bolshevik dhe rural të kohës. Është pra “Dy rrugët e jetës” ose “Parajsa dhe Ferri” sëbashku me disa porosi të tjera të klerit katolik, që janë bërë rreth vitit 1891, dhe punët janë përfunduar nga viti 1894, por “Dy rrugët” kanë filluar në vitin 1892 dhe kanë përfunduar aty nga vjeshta e vitit 1994, duke u ripunuar disa herë nga autori.

Konsulli francez Degrande, flet jo shumë gjatë për këtë kryevepër, dhe Idromeno, ose djali nga Parga si origjinë  të vjetër arbëreshe, dhe nga Hidro si ishull, kishte marrëdhënie të mira ato kohë edhe si piktor dhe si fotograf,  me pjesën diplomatike të konsullatave në Shkodër. Nga Parga si origjinë, ai i bie të jetë nga Çamëria, një orthodoks shqiptar, dhe një arberësh si origjinë i takon nga ishulli Hidro, por si një shkodran i mirë është në lindjen, origjinën e nënës së tij Roza Saraçi, dhe aktiviteti i tij si piktor, fotograf, arkitekt, urbanist, skenograf, muzikant dhe kompozitor, akoma jo kaq mirë i letrarizuar dhe repektuar në historianografinë shqiptare. Ka qënë dhe shfaqësi i pari i filmit në trevat shqiptare një kolos i tillë shkodran.  Po, dhe vazhdon sipas meje i pa respektuar  si patriot dhe njeri përparimtar, por dhe modern. 

Ai pa dyshim, është një Leonardo da Vinçi shqiptar në përmasa dhe aktivitet për dallimin e madh që kishte me realitetin. Por nuk është ky qëllimi i shkrimit. Unë kam fatin të kem ekzpozuar për herë të parë në mënyrë dinjitoze, mbas viteve 1990-të, kryeveprën etike dhe morale “Dy rrugët e Jetës”. Duke qënë përgjegjësi i Pinakotekës apo pavionit “Rilindja Kulturore Qytetare Shkodrane”, kam marrë inisiativën e një demostrimi dinjitoz i një vepre të tillë, e cila për nga përmasat dhe ngjarjeve në të dhe në lidhje me të, është madhështore. Kjo kryevepër dikur u demostrua në mënyrë jo kaq shumë të zgjuar nga regjimi komunist, në ish muzeun famëkeq “Ateist” dhe normalisht, kush kishte sa do pak njohuri për artin, e merrte vesh se po bëhej një “autogol”.

Por kryevepra është një moment guximi rilindas dhe qytetar, i të madhit Idromeno dhe ka shumë skena aty që e vërtetojnë këtë. Deri tani, këtë kryevepër e kanë parë me kurreshtje të madhe, dhjetra studiues arti, qytetarë, politikanë, ambasadorë, të huaj të shumtë, dhe impresionet e tyre janë të jashtëzakonshme.
Por kush është ky guxim në një analizë të shpejtë në skenat e shumta që ka kryevepra? Në fillim duhet parë pak konteksti i kohës. Ishte momenti më i keq i perandorisë Osmane, e Shkodra megjithse qytet i madh dhe më i kulturuari, ishte tashmë jo mirë i administruar, ishte retro qytetare në kulm, rilindja kombëtare dhe Lidhja e Prizrenit, por dhe dega e fuqishme e Shkodrës, ishin po ashtu në kulm, lëvizjet pro europianiste po zhvilloheshin shumë, dhe përfundimisht mëndja e një piktori dhe artisti, shkonte akoma më përpara dhe shprehej haptas në pikërisht art dhe pikturë.

E në fakt kjo pikturë e madhe, shprehet po kështu, duke u arratisur në imagjinatë dhe duke treguar ashpër realitetin e atëhershëm.
Kryevepra ka gjashtë skena masive dhe  njëzet skena më me pak njerëz, por që në fakt janë skena të vërteta teatrore, në pikërisht teatrin e jetës kryesisht në Shkodër.

Kush është guximi i vërtetë?
E para, natyra është ajo e Shkodrës afër kalasë “Rozafat”. Janë po ato gurë dhe poshtë po atë pemë dhe lëndina, po ajo natyrë. Ferri deri afër djegjes së madhe, është një rrugë e “bukur” dhe për këtë shumica e njerzve drejtohen për aty, dhe jo në portën e purgatorit e cila është e vogël, në krahësim me portën e ferrit që është gjigande, dhe tipizuese si diçka turke. Për këtë i është bërë vërejtje ato kohë nga autoritete që e kanë parë përpara demostrimit, sepse po ju prishte shumë punë me njerzit e lartë të administratës otomane.

Një nga guximet e mëdha të një rilindasi të vërtetë, Idromeno te “Dy Rrugët” ka “rrugën e shkurtë” që lidh purgatorin me ferrin, ose më mirë rrugën për në parajsë me rrugën për në ferr. Këtu ka pasur shumë e shumë vërejtje të mëdha, edhe nga njerzit që do të vlersonin etikisht, moralisht dhe religjonarisht veprën. Po, është një  fshatar pikërisht aty, që ka bërë gjysmën e rrugës për në parajsë, që mashtrohet prej një dreqi-djalli, dhe pret-ecën shkurt nga parajsa për në ferr, pa kaluar mbrapsht purgatorin! Ishte e jashtëzakonshme për kohën. Kishte një rrugë të shkurtë, që mund të lidhte parajsën me ferrin dhe që e ruanin djajtë! Një guxim i madh Idromenian!

Guximi tjetër i madh dhe me vërejtje të mëdha për kohën, është dhe momenti i ëngjejve të tablosë. E dimë se ëngjëjt nuk kanë gjini, por Idromeno në disa raste, i bën disi femra dhe të veshura të tilla, duke mbajtur shënim dhe normalisht në atë kohë ju krijuan dhe probleme. Në një rast një prelat i rëndësishëm në Shkodër i thotë, “ti mor djalë me ato shpatulla jashtë këtij ëngjelli, çfarë kërkon të tregosh” dhe Idromeno sipas një konsulli prezent aty i është përgjigjur se “ asgjë përveç bukurisë ëngjëllore” dhe në fakt të gjithë kanë qeshur disi me zor.
Kritika e realitetit të atëhershëm është si guxim, dhe te skena e gjaksorëve dhe vrasësave, por më e qartësuar guximi është te kritika ndaj vetes dhe njerzve të artit dhe muzikës apo ahengxhinjve. I ka vendosur me fytyra të njohura qytetare përveç se të vetes në qëndër, po, janë shumë miq të tij, të cilët në skenë po habisin dhe djajtë. Biles njëri prej tyre i bën thirrje reale dhe të drejtpërdrejtë dhe një miku të tij, që po shkon për në parajsë. Ka qënë e padurueshme për kohën një thirrje e tillë kaq “heretike”, e cila nuk është ndryshuar as në vitin 1894-tër, edhe pse i kanë thënë se “me këtë gjë, vepra nuk mund të paraqitet”.

Idromeno, një konsull dhe një konsulleshë,  i ka çuar rrugës për në ferr, megjithse nuk i bën të kalojnë portën e ferrit, por nga fytyrat e mirë detajuara, të gjithë kanë kuptuar se kush ishin në fakt. Ishte një përgjigje e Idromenos, për një lloj qëndrimi aspak realist të tyre, ndaj gjëndjes së rëndë të lejuar dhe nga disa përfaqësi, por dhe veprimtari të tyre ndaj vëndit dhe sidomos trojeve shqiptare. Skena të tjera të guximit etik dhe pa dyshim moral, janë skena e “dembelave”, “pijanecëve”, “kapadainjve”, “Dy kalorësve” dhe “Mbretit që i lan këmbët një të varfëri”. Por dhe me kafshët Idromeno është treguar realist dhe moralisht një person guximtar. Padyshim që kuajt dhe dhëntë si grigjë, por dhe qenin, Idromeno i vendos në rrugën e parajsës. Kurse zagarët dhe bagëtinë e klasifikuar të tillë në rrugën e ferrit. 

Pse është një vepër etike pikërisht “ Dy rrugët”? Në fakt, nuk kanë dashur ta trajtojnë si të tillë, dhe guximi i madh është “përjashtuar etikisht” dikur, dhe përdorur me qëllim të keq nën diktaturë. Por etika në fakt, është si klasifikim nga greqishtja e vjetër si “Ethos” ose karakter, sjellje, kostum, mënyrë veprimi dhe sjellje në laminë e filozofisë. Në këtë gjë, Idromeno ishte i pari dhe më i madhi ndër rilindasit tonë që ishin artistë ( shumë të pakët) dhe sidomos në pikturë që mungonin fare. Në këtë mes, unë vazhdoj të them se kryevepra “Dy rrugët e Jetës”, është një model etikisht i qartë dhe tepër i mirë saktësuar sëpaku sot, në një kohë as paragjykimesh dhe sidomos jo presioni direkt.

Moralisht kjo vepër, tregon veset, dhe vetitë morale të mira, të ndara në dy rrugë. Ishte moment i jashtëzakonshëm, dhe padyshim rilindas në atë kohë, dhe ku më mirë se në qytetin më të madh urban dhe kulturor që kishin trevat shqiptare dhe për shumë kohë, dhe që ishte pikërisht Shkodra. Kultura normalisht perendimore si art, dhe realiteti oriental si jetë, e bënë një nga sistemet e jashtëzakonshme të intepretimit të kohës këtë gjeni të artit shkodran si Idromeno. Kol Idromeno, ishte pikërisht maja e lartësisë të madhe kulturore të Shkodrës, nga vitet 1880-të dhe deri në vitin 1939-të kur vdiq.
 
 dr Besi Bekteshi
Përgjegjësi i Arkivit dhe Pinakotekës së Muzeut Historik Shkodër.
 
Shkrimi u publikua sot (20.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ 7 persona marrin peng 35-vjeçarin, e kanosin për t’i marrë pasurinë! 4 arrest në burg, 3 arrest shtëpie

Tiranë/ 7 persona marrin peng 35-vjeçarin, e kanosin për t’i marrë pasurinë! 4 arrest në burg, 3 arrest shtëpie