Deputeti socialist Erion Braçe tha se njoftimi i ambasadës amerikane është çështje që duhet trajtuar në komisionet parlamentare dhe nuk duhet përhapur panik. Kjo godet sektorin ekonomik të turizmit, tha ai ndërsa vërejti se është një përpjekje që vijon prej muajsh.

“Këto janë çështje që diskutohen në komisionet parlamentare, konsumohen atje dhe me vëmendje për të mos shkaktuar panik mbi të ardhurat ekonomike. Turizmi është degë e ekonomisë që zhvillohet vetëm me besimin dhe prej muajsh ka një përpjekje shumë të madhe për ta goditur, boll me kaq!”, tha Braçe.

Braçe solli në vëmendje edhe interpelancën e kërkuar që në shkurt me ministrin e Bujqësisë, i cili kësaj here s’ndodhet i pranishëm për shkak të një angazhimi në Kosovë.

“Çështja që e kam thirrur ka të bëjë me ushqimin. Ministri i Bujqësisë duhet të jetë këtu dhe t’i përgjigjet Kuvendit. Ky instrument s’mund të relativizohet dhe të dalë nga axhenda siç kërkon një ministër. Axhendën time s’e bën dot një ministër. Nuk mund të ndodhë më. Më janë dashur 6 javë për të marrë informacione, tani më duhen 6 javë për të folur me ministrin”, tha Braçe.


Lajmi kryesor:

Sulme nga Irani? Sherr në Kuvend për paralajmërimin e SHBA, opozita kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurisë! Qeveria: S’ka rrezik, në kontakt me NATO