LEZHË- Një ngjarje kriminale, që siç duket nga rrethanat e organizimit dyshohet për një vrasje apo atentat, është parandaluar nga policia e Lezhës ditën e sotme në Kune në Shëngjin. Në pranga ka rënë 28-vjeçari, Nikoll Sherrniku, një emër i njohur për efektivët, pasi ishte nën masën ‘arrest shtëpie’, sepse ishte i implikuar në vrasjen e efektivit Xhulio Prela në dhjetor të vitit 2020. Në makinën e blinduar tip ‘Toyota’ u kap dhe u arrestua edhe 34-vjeçarja Flutura Berisha, ndërsa brenda mjetit ishte edhe një 15-vjeçar.

Ky parandalim i këtij atentati, vjen pas një sërë ngjarjesh kriminale në qarkun e Lezhës, ende të pazbuluara, ku dyshohet se janë ekzekutuar anëtarë të bandës së Ervis Martinajt. Nikoll Sherrniku, dyshohet si i përfshirë në grupin e Ervis Martinajt, ndërsa ishte edhe shok i Brilant Martinajt, i cili u vra në atentatin e mbikalimit të Fushë Krujës. Megjithatë ende nuk është konfirmuar, nëse ngjarja kriminale e dyshuar se do te ndodhte, pasi u parandalua nga policia, mund të ishte nje hakmarrje, pas atentateteve të mëparshme.

Policia e Lezhës ka vëzhguar automjetin e blinduar tip ‘Toyota’, i cili ishte parkuar në afërsi të një pallati në zonën e Kunes në Shëngjin dhe më pas kanë ndërhyrë për të neutralizuar personat që ndodheshin në to. Sapo kanë parë policinë duke u afruar, Nikoll Sherrniku dhe Flutura Berisha, bashke me 15-vjeçarin e mitur, kanë dalë menjëherë nga automjeti dhe kanë tentuar të largohen me vrap.

Gjatë tentativës për t’u larguar, 34-vjeçarja Flutura Berisha, e cila ishte edhe drejtuesja e ‘Toyotës’, ka tentuar njëkohësisht që të fshehë edhe një armë zjarri, në afërsi të vendit ku automjeti ishte i parkuar. Arma e zjarrit kallashnikov, së bashku me krehër e me fishek në fole, është gjetur më pas nga policia.

Policia ka kryer kontroll brenda makinës me të cilën po lëvizte Flutura Berisha dhe Nikol Sherniku, ku ka gjetur një krehër automatiku me fishekë në të. Sakaq gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e dorës së 34-vjeçares, janë gjetur 2 radio marrëse - dhënëse, si ato të policisë.

Nikoll Sherrnikun, 28 vjeç, banues në Kurbin, u arrestua për veprat penale "Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit" dhe "Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit" dhe Flutura Berishën, 34 vjeçe, banuese në Kurbin, u arrestua për veprat penale "Moskallëzimi i krimit" dhe "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës". Policia thotë se bazuar në hetimet e deritanishme lindin dyshime se lëvizja e këtyre shtetasve me automjetin e blinduar, në role të ndryshme, ishte për të realizuar një ngjarje kriminale.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:17
Hakmarrje për atentatin e Fushë-Krujës? Më kallashnikovin me plumbin gati në fole, lidhja mes të arrestuarit sot dhe vrasjes së 3 njerëzve të Ervis Martinajt

1660738673_64001660736622xfoto2231.jpg

Nikoll Sherrniku, 28-vjeç, i arrestuar sot nga policia e Lezhës gati të kryente një atentat sipas të gjitha gjasave ka një lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur disa javë më parë kur u vranë 3 vetë në Fushë-Krujë.

Sherrniku është i akuzuar si i përfshirë në vrasjen e ish-efektivit Xhuliano Prela dhe shok i Brilant Martinajt, i cili u vra në atentatin e mbikalimit të Fushë Krujës. Madje edhe Martinaj ka qenë i akuzuar më parë për vrasjen e ish-efektivit.

Nuk dihet nëse Nikoll Sherrniku ishte gati të kryente ndonjë atentat si hakmarrje në lidhje me eliminimin e shumë prej njerëzve të Ervis Martinajt kohëve të fundit apo jo. Por siç duket përplasje mes bandave në këtë zonë të Shqipërisë vijon.

Brilant Martinaj, Diklen Vata e Besmir Hoxha u qëlluan me rreth 60 plumba kallashnikovi mesditën e 17 korrikut në makinën Volkswagen Passat, me të cilën po lëviznin drejt Laçit. Nga breshëria e plumbave makina mori flakë dhe për pasojë prej tyre u shkrumbuan. Vetëm Vata mundi të dalë nga makina, por agresorët u rikthyen sërish dhe u siguruan të vdiste.