Juristi Kreshnik Spahiu ka deklaruar në një lidhje për Report Tv se ish-deputeti Ervin Salianji duhet të tregohet shumë i kujdesshëm, pas sulmeve që ka nisur ndaj tij kryedemokrati Sali Berisha.
Spahiu tha se qëllimi i Berishës është eliminimi (fizik ose politik) i Ervin Salianjit, duke e pasqyruar këtë të fundit si të lidhur me krimin e organizuar.
“Ervini duhet të jetë i kujdesshëm, sepse Ervini po bëhet shumë vunerabël. Në një moment kur propaganda amplifikohet që ky është bandit, ky është i lidhur me kriminelë, etj, nuk është çështja thjeshtë te efekti politik, por te mbarsja e gjithë opinionit publik. Pra Ervini po bëhet vunerabël te të gjithë ata që e kanë rrethuar deri më sot. Mesazhi i Berishës është për ata që kanë mbushur sallat, për shokët e miqtë e Ervinit, për celulat, për aktivistët e PD-së me të cilët ai është shoqëruar deri dje. Nëse ata e besojnë vërtetë se Ervini me Suel Çelën dhe Ergys Agasin duan të marrin partinë, atëherë ata janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë kundër Ervinit. Nuk është problemi se eliminohesh fizikisht, por eleminimi politik është më i dëmshëm. Përshembull ku kanë përfunduar Eduard Selami dhe Uran Butka, e di njeri?”, tha mes të tjerash Spahiu.
Më tej Spahiu parashikoi se në një të ardhme të afërt Ervin Salianji do të krijojë një parti të re politike, me rebelët që janë brenda Partisë Demokratike.
Ndërsa ‘fatin’ politik të Elisa Spiropalit, juristi Spahiu e parashikon krejt ndryshe. Spahiu tha se Spiropali jo vetëm që nuk do largohet nga PS për të krijuar një parti të re, por sipas tij, asaj do i ofrohet edhe një post në të ardhmen nga kryeministri Edi Rama.
“Po vendosen paralelizma në të gjitha mediat, Ervin Salianji apo Elisa Spiropali është Maxhari i Shqiptarëve. Pra është precedenti hungarez. Unë të dy i vlerësoj, pasi i njoh prej vitesh. Por parashikimi im për të ardhmen është se Salianji do krijojë partinë dhe forcën e tij politike dhe i uroj suksese në zgjedhjet e ardhshme. Ndërsa Spiropali nuk do krijojë partinë e saj, apo fraksionin e saj në PS. Unë e shikoj të ardhmen e Spiropalit brenda PS-së, për dy arsye krejt të ndryshme nga PD. Nëse PD dhe Berisha nuk ta falin gjithë jetën një kritikë apo një rebelim tëndin, PS mishin ta ha, por kockat t’i lë. Pra mbeten brenda llojit të tyre. Historia ka treguar se socialistët të rehabilitojnë. Spiropali s’do krijojë parti, do ketë karrierë në PS dhe në një të ardhme jo të largët do i ofrohet një emërim i ri”, theksoi më tej Spahiu.
Lajmi kryesor:
Protesta e Berishës/ Spahiu: Strategjia e PD-së nuk është rrëzimi i Ramës, por monopoli opozitar dhe shkatërrimi i partive të reja!











