Paratë e pista, Byroja e Hetimit
merr në dorë dosjet e nxehta

Paratë e pista, Byroja e Hetimit<br />merr në dorë dosjet e nxehta
Ngushtohet laku për zyrtarët e çdo niveli dhe për njerëzit e botës së krimit, të cilët kanë investuar dhe po investojnë paratë e pista në pasuri të paluajtshme.

Byroja Kombëtare e Hetimit, superstruktura që do të hetojë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta në Shqipëri, do të marrë në dorë informacionet për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizimit në Shqipëri.

Shërbimi Informativ Shtetëror dhe autoritetet e tjera kompetente tashmë do të jenë të detyruara që të shkëmbejnë informacionet që disponojnë si dhe të lidhin marrëveshje me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorinë e Posaçme, për çështjet e pastrimit të produkteve të veprës penale ose të financimit të terrorizmit.

Kështu parashikon projektligji i hartuar nga ekspertët e nivelit të lartë të misionit EURALIUS, i cili është depozituar në komisionin e posaçëm për Reformën në Drejtësi.

Projektligji ndryshon ligjit nr. 9917, datë 19.5.2008 për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke e harmonizuar me legjislacionin për ngritjen e institucioneve të reja anti-korrupsion.

Duke ndryshuar nenin 22 të ligjit në fuqi, projektligji dyfishon institucionet, të cilat do të administrojnë dhe përdorin informacionin për subjektet që pastrojnë paratë e pista.

Përpos Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit, dosjet e parave të pista do të ndahen edhe me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorinë e Posaçme.

Sprova e madhe
Byroja e Hetimit, për shkak edhe të kompetencave të parashikuara në ligjin për SPAK, do të ketë rol kryesor sa i takon përdorimit të informacionit për lëvizjen e parave të pista, në funksion të goditjes së zyrtarëve të përfshirë.

Pas miratimit të ndryshimeve ligjore në Parlament, Byroja Kombëtare e Hetimit do të jetë para një sprove të fortë, sa i takon zbulimit të rrugës dhe destinacionit të qindra milionë eurove, të vjedhura me privatizimet, rimbursimet fiktive, falsifikimet e mëdha, gjobat ndaj investitorëve të huaj etj.

Vetëm me anë të privatizimit të OSSH është shkarkuar një dëm prej 414 milionë euro.

Angazhimi i britanikëve
Britania e Madhe ka vënë në lëvizje një delegacion për intensifikimin e luftës kundër evazionit fiskal dhe pastrimit të parave në Shqipëri.

Disa ditë më parë, delegacioni ka zbarkuar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, ku kanë zhvilluar një takimi me drejtorin z. Alket Hyseni. Pjesë e delegacionit ishin edhe dy ekspertët; Jonathan Fisher dhe Anita Clifford, të Qendrës së Krimit Zyrtar.

Delegacioni kryesohej nga zëvendësambasadori i Ambasadës Britanike, Z. Sean Melbourne, ndërsa përfaqësuesit e tjerë ishin nga Ministria e Jashtme, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar.

Qëllimi i vizitës së këtij delegacioni është për të parë mundësinë se ku mund të ndihmojnë vendin tonë sa i përket luftës kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Sipas Zv. Ambasadorit të Ambasadës Britanike, DPPPP është institucion i një rëndësie të veçantë për vetë funksionet që ka.

Fushat në të cilat u fokusuan përfaqësuesit e delegacionit konsistonin kryesisht mbi asistencën me ekspert të fushës nga Britania e Madhe, bashkëpunimi kombëtar dhe ndërkombëtar, përmirësimi i legjislacionit etj.
 
Veprat penale në kompetencë të Byrosë dhe Prokurorisë së Posaçme
  1. Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.
  2. Korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë, dënohen me burgim, nga gjashtë muaj gjer në tre vjet
  3. Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë, dënohen me burgim nga një vit deri në katër vjet.
  4. Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë, dënohen me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
  5. Çelja e depozitave ose e llogarive bankare, anonime ose me emra fiktivë, dënohet me burgim deri në tre vjet.
  6. Genocidi, dënohet jo më pak se dhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
  7. Krime kundër njerëzimit, vrasjet, zhdukja me forcë, shfarosjet etj., dënohen jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
  8. Krimet e luftës, si vrasja, keqtrajtimi ose dëbimi, dënohet jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
  9. Vrasja për gjakmarrje, dënohet jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
  10. Vrasjet në rrethana të tjera cilësuese, dënohet jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm.
  11. Vrasja e funksionarëve publikë, dënohet me burgim jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
  12. Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit.
  13. Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare.
  14. Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit, burgim jo më pak se njëzet vjet dhe, kur është shkaktuar vdekja, me burgim të përjetshëm.
  15. Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, dënohet deri në pesëmbëdhjetë vjet, kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen, dënohet me burgim të përjetshëm.
  16. Trafikimi i personave të rritur, dënohet nga dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
  17. Rrëmbimi i avionëve, anijeve dhe mjeteve të tjera, dënohet nga dhjetë gjer në njëzet vjet.
  18. Trafikimi i të miturve, dënohen nga dhjetë deri në njëzet vjet.
  19. Atentati, dënohet jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
  20. Komploti, dënohet nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
  21. Kryengritja, nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë vjet, udhëheqësit me burgim të përjetshëm.
  22. Vepra me qëllime terroriste, jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
  23. Financimi i terrorizmit, jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
  24. Fshehja e fondeve dhe e pasurive të tjera, që financojnë terrorizmin, jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.
  25. Rekrutimi i personave për kryerjen e veprave terroriste, jo më pak se dhjetë vjet.
  26. Stërvitja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste, jo më pak se shtatë vjet.
  27. Thirrja publike për kryerjen e veprave me qëllime terroriste, nga katër deri në dhjetë vjet.
  28. Prodhimi i armëve luftarake, nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
  29. Organizata terroriste, dënohet nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
  30. Banda e armatosur, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
  31. Nxitja e urrejtjes ose grindjeve, dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet.
  32. Pjesëmarrja në veprime luftarake në një shtet të huaj, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
  33. Organizimi për pjesëmarrje në veprime luftarake në një shtet të huaj, dënohet nga tetë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
  34. Thirrja për pjesëmarrje në veprime luftarake të dhunshme në një shtet të huaj, dënohet me deri në tre vjet.
  35. Trafikimi i armëve dhe i municionit, dënohet nga dhjetë gjer në njëzet vjet.
  36. Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive, dënohet nga dhjetë gjer në njëzet vjet.
  37. Trafikimi i narkotikëve, dënohen me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.
  38. Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale, dënohet nga 10 deri në 20 vjet.
  39. Organizata kriminale, dënohet me burgim nga katër deri në tetë vjet.
  40. Grupi i strukturuar kriminal, dënohen me burgim nga tre deri në tetë vjet.


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Furgoni i udhëtarëve karambolohet me kamionin në Pogradec, plagosen 2 pasagjerë! Një i lënduar dhe pas përplasjes së veturës me eskavatorin në Cërrik

Furgoni i udhëtarëve karambolohet me kamionin në Pogradec, plagosen 2 pasagjerë! Një i lënduar dhe pas përplasjes së veturës me eskavatorin në Cërrik