Paratë po hyjnë në arkën e shtetit, por nuk po dalin me të njëjtin ritëm për ekonominë. Prej vitesh, financat publike në Shqipëri po përballen me të njëjtin paradoks: të ardhurat realizohen, ndërsa shpenzimet mbeten pas planit.

Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Financave vetëm në katërmujorin e parë të këtij viti nuk janë shpenzuar 210 milionë euro të parashikuara për tu harxhuar në këtë periudhë. Në total nga janari deri në prill u shpenzuan 2 miliardë e 232 milionë euro, duke treguar vështirësinë e institucioneve për të realizuar sidomos investimet.

1780406773_shpenzimetbuxhetore.jpeg

Problemi bëhet më i dukshëm është te investimet publike. Shpenzimet kapitale, të konsideruara si motori i zhvillimit ekonomik përmes investimeve në infrastrukturë, shërbime dhe projekte strategjike, jo vetëm që nuk arritën planin, por ranë edhe në raport me një vit më parë.

Nga 180 milionë euro të planifikuara për katër muajt e parë të vitit, u realizuan vetëm 155 milionë euro, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2025 investimet kishin arritur në 165 milionë euro.

1780406827_shpenzimetkapitale.jpeg

Mosrealizimi i vazhdueshëm i investimeve sugjeron se institucionet vazhdojnë të përballen me pengesa strukturore, që lidhen me vonesat në procedurat e prokurimit, ritmin e ulët të zbatimit të projekteve dhe dobësitë në planifikimin financiar. Në aspektin ekonomik, kjo situatë mund të ndikojë negativisht në ritmin e investimeve publike dhe në efektin që buxheti pritet të ketë mbi rritjen ekonomike.

Për shkak të shpenzimeve më të ulta se parashikimet, dhe rritjes përtej planit të të ardhurave, ky katërmujor është mbyllur me 567 milionë euro suficit.

Një pjesë e këtyre parave pritet të rishpërndahen me aktin normativ që do të ketë për buxhetin e shtetit gjatë këtij muaj, ku do të sigurohen fondet edhe për garancinë sovrane për të mbështetur nismën ‘dyfisho sipërmarrjen tënde’.