Parlamenti Europian ka votuar rezolutën këtë të enjte, lidhur me veton që Franca vendosi për procesin e hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Nga 578 eurodeputetë, 412 prej tyre kanë votuar pro rezolutës në lidhje me negociatat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në rezolutën e votuar këtë të enjte nga PE thuhet se Komisioni Europian ka rekomanduar hapjen e negociatave për këto dy vende dhe se bllokimi i këtij procesi do të sjellë destabilitet në të gjithë rajonin.
Rezoluta përmend reformat që kanë ndërmarrë të dy vendet, si reforma në drejtësi në Shqipëri dhe marrëveshja e Prespës mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.
"Duhet pasur parasysh përparimi në reformën gjyqësore në Shqipëri, e cila përcakton kushtet për të përmirësuar pavarësinë, përgjegjshmërinë, profesionalizmin dhe efikasitetin e institucionet gjyqësore të vendit dhe rrisin besimin e njerëzve në organet gjyqësore.
Marrëveshja e Prespës e 17 qershorit 2018 për zgjidhjen e dallimeve dhe krijimin e një partneriteti strategjik midis ish Republikës Jugosllave të Maqedonia dhe Greqia është një marrëveshje historike që përfaqëson një model për stabilitetin dhe pajtimi në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili ka përmirësuar frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal dhe duhet t'i hapë rrugën për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut", thuhet në rezolutë.
Pas një samiti dy ditor, liderët e Bashkimit Europian nuk arritën të merrnin një vendim për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me Francën që vuri veton, teksa kundër Shqipërisë u pozicionuan edhe Holanda me Danimarkën.
Macron argumentoi qëndrimin e tij se progresi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk mjafton dhe se më parë duhet reformim i brendshëm i BE-së.