Parlamenti Europian voton pro liberalizimit të vizave për Kosovën, reagon politika

BRUKSEL-Parlamenti Europian ka një lajm të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pasi ka votuar pro liberalizimit të vizave.  Raportuesja e BE-së për Republikën e Kosovës, Tanja Fajon u shpreh se Kosova e meriton liberalizimin e vizave. ‘Vendimi i këtij parlamenti është jashtëzakonisht i rëndësishëm për procesin. Dihet se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuar për liberalizim të vizave” tha Tanja Fajon. Pas votimit në Parlamentin Evropian duhet të bëhet votimi në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të BE-së në Bruksel (COREPER) që planifikohet të ndodhë në muajin tetor ose nëntor.

Vetëm një javë pas votimit nga ky Komitet, pritet që vendimi për liberalizimin e vizave për kosovarët të votohet përsëri nga Këshilli i BE-së, por tani në nivel të Ministrave të Brendshëm, që është edhe votimi përfundimtar. Nëse nga këtu, ky proces merr dritën e gjelbër, gjatë periudhës nëntor – dhjetor, gjithçka mbetet është ceremonia e nënshkrimit dhe hyrja në fuqi. 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:26
Vizat për Kosovën, Veliaj: Superlajm! Provë se përtej populizmit, ka edhe politikë të mirë

Vendimi i sotëm i Parlamentit Europian për të liberalizuar vizat me Kosovën është përshëndetur nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Veliaj e cilëson një superlajm votimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, ndërsa vlerëson angazhimin dhe punën fantastike të kryer nga eurodeputetja e raportuesja për liberalizimin e vizave me Kosovën në Parlamentin Europian, Tanja Fajon.

Një super-lajm për Kosovën ky! Punë fantastike, sërish, nga Tanja Fajon - provë se përtej populizmit e histerive, ka dhe një politikë të mirë, solidare e konkrete në dobi të njerëzve të mirë të vendit e rajonit tonë! FORCA!

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë

Ora 16:06
Vizat, Mustafa: Qytetarët e Kosovës e meritonin këtë vendim

Për votimin pro të Parlamentit Europian, një reagim ka ardhur edhe nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Në reagimin e tij, Mustafa shkruan se kjo fitore e përbashkët, mes institucioneve të BE-së dhe përmbushjes së kritereve nga Kosova.

Të shpresojmë por edhe të punojmë që edhe Këshilli i Ministrave të BE-së në të ardhmen e afërt të vendosë pozitivisht për liberalizimin e vizave. Këtë vendim e meritojnë qytetarët e Kosovës.

Isa Mustafa

Postimi i plotë:

Sot Parlamenti Evropian votoi që qytetarët e Kosovës t’i barazojë me qytetarët tjerë evropian, që edhe ata të lëvizin lirë në vendet e Shengenit.

Është kjo fitore jonë e përbashkët, e institucioneve të BE-së, e përmbushjes së kritereve nga shteti i Kosovës dhe e vetëdijesimit të atyre që kundërshtuan më shumë se dy vite ratifikimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi. 

Të shpresojmë por edhe të punojmë që edhe Këshilli I Ministrave të BE-së në të ardhmen e afërt të vendosë pozitivisht për liberalizimin e vizave. Këtë vendim e meritojnë qytetarët e Kosovës. IM

Ora 15:55
Haradinaj uron qytetarët e Kosovës: Së shpejti pa viza në Europë

Pas votimit pro të Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave për Kosovën, një reagim ka ardhur edhe nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Në statusin e tij në Facebook, Haradinaj uron qytetarët e Kosovës se shumë shpejt do të lëvizin lirshëm në Europë.

Postimi i Haradinaj:

Urime qytetarë të Kosovës! Së shpejti do të lëvizni lirshëm në Europë. Falënderues ndaj të gjithë deputetëve dhe grupeve parlamentare, të të gjitha partive e shteteve anëtare, që në Parlamentin Europian e mbështetën të drejtën tonë për lëvizje të lirë.

Ora 15:50
Kryemadhi: Liberalizimi i vizave, lajm i jashtëzakonshëm për Kosovën

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka reaguar mbi votimin pro të Parlamentit Europian mbi liberalizimit të vizave për Kosovën.

Kryemadhi shkruan se uron se edhe Këshilli Europian të miratojë sa më parë rekomandimin e Parlamentit në mënyrë që t’i hapet rrugë bashkëpunimit me rajonit.

Lajm i jashtëzakonshëm për Kosovën dhe qytetarët e saj. Uroj që edhe Këshilli Europian të miratojë sa më parë këtë rekomandim të Parlamentit Europian, për t’i hapur rrugë më pas bashkëpunimit të mëtejshëm të rajonit tonë me Bashkimin Europian.

Monika Kryemadhi, kryetaja e LSI-së

 

Postimi i plotë:

Lajm i jashtëzakonshëm për Kosovën dhe qytetarët e saj. Parlamenti Europian i hap dritën jeshile liberalizimit të vizave për Kosovën, duke dhënë kështu një mesazh të qartë të perspektivës së saj europiane.

Kosova në gjithë sakrificat e saj do duhej t’i ishte bashkuar shumë më herët të drejtës për të lëvizur të lirë e pa barriera.

Uroj që edhe Këshilli Europian të miratojë sa më parë këtë rekomandim të Parlamentit Europian, për t’i hapur rrugë më pas bashkëpunimit të mëtejshëm të rajonit tonë me Bashkimin Europian.

Ora 15:08
Vizat për Kosovën, Meta: Mesazh i qartë i perspektivës europiane

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta me anë të një statusi në Facebook ka reaguar, në lidhje me votimin pro në Parlamentin Europian për heqjen e vizave për Kosovën.

Në statusin e tij Meta shkruan se ky është një mesazh i qartë i perspektivës evropiane dhe se është shumë i gëzuar për arritjet që ka arritur Kosova.

Mesazh i qartë i perspektivës së saj europiane! Shumë i gëzuar për këtë lajm të jashtëzakonshëm dhe arritje të madhe të popullit dhe të shtetit të Kosovës, që rritet dhe forcohet çdo ditë si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon! 

Ilir Meta, president

Postimi i plotë:

Urime Kosovë! 
Përshëndes vendimin e Parlamentit Europian për t’i hapur dritën jeshile liberalizimit të vizave për Kosovën! 
Mesazh i qartë i perspektivës së saj europiane! Shumë i gëzuar për këtë lajm të jashtëzakonshëm dhe arritje të madhe të popullit dhe të shtetit të Kosovës, që rritet dhe forcohet çdo ditë si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon! 

Ora 14:36
Hahn: PE ka dhënë dritën jeshile për liberalizimin e vizave

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn ka mirëpritur vendimin e Parlamentit Evropian për miratimin e rekomandimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Hahn në një postim në Twitter thekson se tashmë Parlamenti Evropian ka dhënë dritën jeshile për të nisur negociatat me Këshillin e Evropës për liberalizimin e vizave.

“Drita e gjelbër e Parlamentit Evropian për të nisur negociatat me Këshillin e Evropës për liberalizimin e  vizave për Kosovën, e mirëpritur”, ka shkruar ai në Twitter.

Ora 14:07
Vizat për Kosovën, Rama: Shyqyr që PE hoqi njollën

Kryeministri i vendit Edi Rama ka përshendetur vendimin e Parlamentit Europian për votimin pro liberalizimit të vizave për Kosovën. Në twitter, kreu i qeverisë thumbon Parlamentin Europian për të cilin thotë se hoqi nga vetja njollën me të cilën Europa ka kaq vjet që cenon flamurin e vet duke mos hequr vizat për Kosovën. 420 deputetë të PE votuan për liberalizimin e vizave ndërsa 186 ishin kundër dhe 22 abstenuan.

Postimi i Edi Ramës

Shyqyr që Parlamenti Europian e hoqi nga vetja njollën me të cilën Europa ka kaq vjet që cënon flamurin e vet duke mos hequr vizat për Kosovën!Kosova mbetet dhe për pak kohë i vetmi vend me viza për në Europë, por kjo e sotmja është një hap për t'u përshëndetur sidoqoftë

Ora 13:44
Thaçi përgëzon votimin në PE për liberalizimin e vizave: Një e drejtë bazike në familjen evropiane

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci ka reaguar përmes një postimi në facebook, në lidhje me votimin sot në Parlamentin Europian, i cili sot votoi pro rekomandimit për heqjen e vizave. Për Presidentin e Kosovës votimi i sotëm në parlamentin Europian, është një mesazh i qartë edhe për institucionet e tjera vendimmarrëse në Bashkimin Evropian.

Postimi i Hashim Thaçit

Qytetarët e Kosovës sot janë edhe një hap më afër drejt realizimit të një të drejte bazike në familjen evropiane, lëvizjen e lirë në zonën Shengen. Me më shumë se 2/3 e votave të eurodeputetëve, Parlamenti Evropian votoi pro liberalizimit të vizave për qytetarët tanë. Ky është një mesazh i qartë edhe për institucionet e tjera vendimmarrëse në Bashkimin Evropian. Jam i bindur se brenda një periudhe të shkurtër kohore, do të përmbyllet tërësisht ky proces dhe qytetarët tanë, pas një rrugëtimi të gjatë dhe tejet të mundimshëm, së shpejti do të jenë të barabartë me të gjithë qytetarët e Bashkimit Evropian. Si President i Republikës së Kosovës, në emrin tim personal dhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës, i falënderoj eurodeputetët për këtë vendim të drejtë.

Ora 13:29
Basha përshëndet votimin e PE për liberalizimin e vizave për Kosovën: Një e drejtë e merituar

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka përshëndetur votimin e Parlamentit Europian për lëvizjen pa viza të qytetarëve të Kosovës në BE. Basha  është shprehur se ky votim i njeh qytetarëve të Kosovës një të drejtë të merituar dhe dinjitet të barabartë në rajon. Sipas Bashës votimi i PE është mbështetje e qartë për Kosovën dhe perspektivën e saj europiane.

Postimi i Lulzim Bashës

Përshëndes votimin e Parlamentit Europian për lëvizjen pa viza të qytetarëve të Kosovës në BE. Ky votim i njeh qytetarëve të Kosovës një të drejtë të merituar dhe dinjitet të barabartë në rajon. Votimi i PE është mbështetje e qartë për Kosovën dhe perspektivën e saj europiane.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja