Parti Demokratike ka ankimuar sot në Gjykatën Kushtetuese vendimin për zgjedhjen e Avokatit të Popullit me pretendimin se përbën shkelje të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit.

Nëpërmjet ankimimit PD kërkon shfuqizimin e votimit në Kuvend për zgjedhjen e Avokatit të Popullit por edhe pezullim të ushtrimit të detyrës nga Endri Shabani deri sa të shprehet Gjykata Kushtetuese.

Endrit Shabani u zgjodh Avokat Populli më 11 dhjetor të vitit të shkuar, me 85 vota pro, të ardhura nga socialistët dhe socialdemokratët, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike, edhe pse 35 prej tyre i dhanë firmat që të ishte kandidat, e braktisën votimin që në fillim.

Shabani u betua më 18 dhjetor, në një seancë të tensionuar parlamentare, e cila u shoqërua me përplasje dhe ndërprerje të punimeve të Kuvendit.

Më herët, deputetët demokratë kishin mbështetur me firma gjashtë kandidatë për Avokatin e Popullit, por më pas deklaruan tërheqjen nga nënshkrimet. Në fillim të seancës plenare, ata kërkuan heqjen nga rendi i ditës të pikës për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.

Debati disaorësh në Kuvend u përqendrua kryesisht në akuzat e opozitës e cila akuzoi mazhorancën për një marrëveshje politike me Endri Shabanin, një nga kandidatët që ishte mbështetur fillimisht edhe nga më shumë se gjysma e deputetëve të opozitës.