Zëvendëssekretarja e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu ka kritikuar qeverinë për mungesat e politikave sociale duke lënë pa mbështetje familjet shqiptare.

Haxhiu thotë se përballjen më të madhe me mungesën e kushteve financiare, e kanë kryesisht prindërit e rinj, referuar këtu çmimeve të larta të ushqimeve bazë, arsimit, energjisë e transportit.

Brunilda Haxhiu ka prezantuar programin social të Partisë së Lirisë ku parashikohen pagesa nga 70-100% për nënat për dy vite pas lindjes, trefishim të bonusit të bebes, ulje taksash për nënat me më shumë se dy fëmijë dhe kredi 20 mijë euro për çiftet e reja, me interesat e paguara nga shteti.

Ndër të tjera, programi parashikon ushqim dhe vizita mjekësore falas për gratë shtatzëna dhe nënat e reja në gjendje të vështirë, pagesë për kujdestarët gjatë shtatzënisë si dhe rritje e numrit të çerdheve e kopshteve publike.

Deklarata e Zv. Sekretares së Përgjithshme të Partisë së Lirisë, Znj. Brunilda Haxhiu:

Familjet e reja në Shqipëri po përballen me një kosto jetese gjithnjë e më të papërballueshme, ndërsa mungesa e politikave sociale i ka lënë ato të pambrojtura përballë krizës ekonomike. Të dhënat e INSTAT tregojnë se familjet me dy të rritur dhe fëmijë arrijnë deri në 110.000 lekë, krahasuar me 56.000 lekë që shpenzon një individ i vetëm.

Kjo tregon se barrën më të rëndë të inflacionit e mbajnë prindërit e rinj, të cilët përballen me kosto të larta për ushqim, arsim, energji dhe transport, pa asnjë lehtësim real nga shteti. Ndërkohë që vendet e Bashkimit Europian dhe rajonit mbështesin familjet e reja përmes subvencioneve, dhe ndihmave ekonomike për fëmijët, në Shqipëri qeveria e ka lënë familjen shqiptare pa siguri, pa mbështetje dhe pa shpresë.

Kjo tregon se familjet me fëmijë mbajnë barrën më të rëndë të krizës ekonomike, ndërsa qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë reale për të lehtësuar situatën. Rritja e çmimeve të ushqimeve, energjisë dhe qirave, e kombinuar me pagat e ulëta dhe mungesën e ndihmës financiare, ka krijuar një realitet ku shumë familje shqiptare përballen me pasiguri ekonomike dhe sociale.

Në vend që të ketë politika për uljen e TVSH-së për produktet e shportës bazë, për garantimin e arsimit publik cilësor dhe te sigurt, shërbimeve shëndetësore apo mbështetje financiare për lindjet e reja, qeveria ka zgjedhur t’i lere familjet e reja ne mëshirë te fatit. Flitet për “rritje ekonomike”, por në realitet qytetarët përballen me rritje çmimesh dhe ulje të standardit të jetesës.

Ndërkohë, vendet e Bashkimit Europian dhe të rajonit po zbatojnë politika konkrete për të mbështetur familjet e reja dhe për të nxitur rritjen e lindshmërisë.

 Në këto vende, familja shihet si investim për të ardhmen.

 Në Shqipëri, përkundrazi, familja shihet si barrë.

 Është koha që qeveria të kuptojë se mbështetja e familjeve të reja është detyrim kombëtar.

Partya e Lirisë ka nje program i cili synon të vendosë familjen dhe nënën në qendër të politikave sociale. Ai parashikon pagesë 70–100% të pagës për nënat për dy vite pas lindjes, trefishim të bonusit të bebes, ulje taksash për nënat me më shumë se dy fëmijë dhe kredi 20 mijë euro për çiftet e reja, me interesat e paguara nga shteti. Programi ofron gjithashtu banesa për çiftet e reja sipas modelit hungarez, fond shtetëror për strehim, si dhe kredi të subvencionuara për blerje shtëpie, me zbritje progresive për çdo fëmijë të lindur. Parashikohet mbështetje ushqimore dhe mjekësore falas për gratë shtatzëna dhe nënat e reja në gjendje të vështirë, pagesë për kujdestarët gjatë shtatzënisë si dhe rritje e numrit të çerdheve e kopshteve publike. Gjithashtu, programi synon uljen e TVSH-së për produktet e fëmijëve deri në 5 vjeç dhe sigurimin falas të barnave, veshjeve e ushqimeve për nënat dhe fëmijët në nevojë. Partia e Lirisë do të ngrejë gjithmonë zërin për politika që mbrojnë nënën, fëmijën dhe familjen shqiptare.

Nëse sot nuk ndërhyjmë për të mbrojtur familjen, nesër do të jetë tepër vonë për të mbrojtur shoqërinë.