Partizani ka gjetur fitoren e parë të sezonit në Superligë, duke mposhtur 2-3 në një ndeshje dramatike Vllazninë. Të kuqtë kaluan dy herë në avantazh, por shkodranët arritën të barazonin, ndërsa në fund vendimtare ishte një penallti e ekzekutuar nga Human në shtesë. Kjo disfatë për Vllazninë vjen në një moment tejet të vështirë pas episodeve në Elbasan si pasojë e pretenedimeve ndaj arbitrave, ndërsa të dënuar për disa javë nga disiplina janë presidenti Xhaferri dhe trajneri Martini.

“Ajo që çaloi është përqëndrimi dhe ekuilibri. Në disa raste duhet të jemi më të qetë si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Kemi patur shumë raste për të mbyllur lojën. Reaguam mirë tek të dy golat e Partizanit, por duhet të mbyllim ndeshjen më shpejt,”-u shpreh Ergi Borshi, zv/trajner i Vllaznisë.

“Jam shumë i kënaqur për këtë fitore dhe e besoja se mund të arrinim sepse për këtë kemi punuar gjithë javën. Për më shumë ne për fitore erdhëm në Shkodër,”-tha Florin Bratu, trajner i Partizanit.

Më herët Teuta fitoi 1-3 në fushën e Laçit, ndërsa Egnatia mposhti 2-1 Skënderbeun. Java e tretë e Superligës mbyllet sot me sfidat Tirana-Vora në Selman Stërmasi dhe Dinamo-Elbasani në orën 18:30.