Partizani që noton në ujëra të turbullta dhe Vllaznia që pretendon kreun janë ndalur në një barazim 1-1 në javën e 12 të Superligës. Në Arenën e Demave vendasit realizuan të parët me Toman, ndërsa miqtë barazuan me Esat Malën. Pas sfidës tek të kuqtë pati shumë zhgënjim, pasi pretendojnë se në këtë përballje lanë dy pikë.

“Sigurisht që nuk jam i kënaqur me këtë barazim sepse meritonim të fitonim. Madje me shumë gola diferencë, por futbolli ndonjëherë është i padrejtë dhe nuk fiton ekipi më i mirë,"-u shpreh Oltijon Kërnaja, trajner i Partizanit.

“Dhamë jashtëzakonisht shumë. Ishim agresivë dhe të bashkuar në çdo moment. Jam shumë i lumtur për golin pavarësisht se meritonim ta fitonim këtë ndeshje. Kështu besoj unë,”-tha Rrok Toma, futbollist i Partizanit.

Në barazim 1-1 u mbyll edhe sfida tjetër e së dielës mes Flamurtarit dhe Tiranës. Dy klubet që mbajnë vendet e fundit në renditje mbetën të zhgënjyera, pasi pika e fundit është shumë pak për objektivat e tyre.

Më herët Egnatia shkatërroi 5-1 Bylisin, Vora u mposht 0-1 nga Teuta, ndërsa Dinamo barazoi 1-1 me Elbasanin. Pas javës së 12 të kampionatit Vllaznia dhe Elbasani vijojnë të ndajnë kreun me 24 pikë, të ndjekur nga Egnatia me 2 pikë më pak dhe Dinamo e vendit të katërt me 5 pikë më pak. Pas disa javësh nga zona e rrezikut doli Partizani, që më pikën e fituar dhe humbjen e Bylisit u ngjit në vendin e 7.