Pas më shumë se 30 vitesh, semaforët rikthehen në qytetin e Vlorës. Projekti ka nisur të zbatohet në disa nga akset më të rëndësishme, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe uljen e numrit të aksidenteve.

Në total, parashikohet vendosja e rreth 40 strukturave semaforike në kryqëzime të ndryshme të qytetit, ndërsa projekti do të përfshijë 9 segmente rrugore.

Punimet kanë nisur nga aksi “Transballkanike”, një nga rrugët më problematike dhe me qarkullimin më të dendur në Vlorë. Firma “Rafin”, e cila ka fituar të drejtën për realizimin e këtij investimi, ka nisur punën për krijimin e infrastrukturës së nevojshme për vendosjen e semaforëve.

Përveç “Transballkanikes”, semaforë do të vendosen edhe në rrugën “Ali Demi”, si dhe në segmentet që lidhin bulevardin me aksin “Transballkanike”, përfshirë rrugët “Kosova”, “Gjergj Arianiti” dhe “Gjergj Kastrioti”.

Projekti pritet të përfundojë brenda 30 ditëve dhe synon të lehtësojë qarkullimin e automjeteve, të shmangë trafikun dhe të rrisë ndërgjegjësimin e këmbësorëve për respektimin e rregullave të qarkullimit.

Rikthimi i semaforëve pas tre dekadash konsiderohet një ndërhyrje e rëndësishme për një qytet që po përballet çdo vit me rritje të ndjeshme të trafikut, veçanërisht gjatë sezonit turistik.