Më 30 dhjetor, shërbimi postar danez do të shpërndajë letrën e fundit, duke i dhënë fund një tradite që ka zgjatur mbi katër shekuj. Vendimi i kompanisë PostNord, e krijuar në vitin 2009 nga bashkimi i posteve suedeze dhe daneze, shënon një kthesë historike për vendin që sot konsiderohet ndër më të digjitalizuarit në botë.

PostNord ka njoftuar se do të shkurtojë 1 mijë e 500 vende pune dhe do të heqë 1 mijë e 500 kuti postare të kuqe, duke u fokusuar vetëm tek shpërndarja e pakove. Kërkesa për letra ka rënë me mbi 90% gjatë 25 viteve të fundit, ndërsa blerjet online janë rritur ndjeshëm.

Kutia postare e kuqe, simbol i postës daneze, është kthyer në objekt nostalgjie. Vetëm në tre orë, 1 mijë prej tyre u blenë kur dolën në shitje këtë muaj, me çmime që varionin nga 1 mijë e 500 deri në 2 mijë korona daneze. 200 të tjera pritet të dalin në ankand në janar.

Megjithatë, dërgimi i letrave nuk do të zhduket plotësisht. Kompania Dao do të marrë përsipër këtë shërbim duke zgjeruar kapacitetin e saj nga 30 milion letra në vit në 80 milion. Klientët do të duhet t’i dorëzojnë letrat në dyqanet e Dao ose të paguajnë ekstra për mbledhjen në shtëpi, ndërsa pullat do të blihen online ose përmes aplikacionit.

Ligji danez kërkon që mundësia për të dërguar letra të ekzistojë gjithmonë. Kjo do të thotë se nëse Dao ndalon shërbimin, qeveria duhet të caktojë një kompani tjetër. Ministria e Transportit ka theksuar se ndryshimi është më shumë “sentimental” sesa praktik, pasi qytetarët do të vazhdojnë të kenë mundësi të dërgojnë e marrin letra.

Sistemi kombëtar i identitetit digjital MitID ka bërë që komunikimet zyrtare të kalojnë automatikisht në “postë digjitale”. Sot, 97% e danezëve mbi moshën 15 vjeç janë të regjistruar në MitID, ndërsa vetëm 5% kanë zgjedhur të marrin postë fizike.

Ekspertët thonë se kjo është një epokë e re.

“Është e vështirë të kthehesh tek posta fizike në një vend kaq digjital,” tha Magnus Restofte, drejtor i muzeut të komunikimeve Enigma në Kopenhagë.

Megjithatë, ai shtoi se vlera e letrave fizike është rritur: “Kur merr një letër të shkruar me dorë, e di që dikush ka shpenzuar kohë dhe para.”

Zëvendësdrejtori ekzekutiv i PostNord Denmark, Kim Pedersen, e përshkroi vendimin si të vështirë: “Ne kemi qenë shërbimi postar danez për 400 vjet. Por danezët janë bërë gjithnjë e më digjitalë dhe sot ka shumë pak letra. Tregu i letrave nuk është më i qëndrueshëm.”