Pas 48 viteve punë në spitalin Infektiv profesor Dhimitër Kraja iu përgjigj i pari thirrjes për t’u rikthyer në shërbim, për të ndihmuar kolegët në kurimin e pacientëve të infektuar me COVID-19.

"Prof. Dhimitër Kraja ka një jetë që shërben në spitalin Infektiv. Dr. Luli, siç e thërrasin të gjithë, pas 48 vitesh punë, është përgjigjur i pari thirrjes për t’u kthyer në shërbim, për të ndihmuar stafin e palodhur të Infektivit në këto ditë të vështira", shkruan ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Djali i tij është DJ i njohur, Vik Kraja, i cili ka ndarë në rrjetet sociale një postim për babain e tij bashkë me apelin për të qëndruar në shtëpi.

"Heronjtë e së nesërmes. Nuk e di sa vite dhe sa orë punë bëhen po t'i mbledhësh një nga një në këtë foto. Po luftojnë për ne, dhe si shihet nga mosha e disave, ka që rrezikojnë shumë. Kanë lënë familjet duke cenuar dhe shëndetin e tyre për ne. Dhe ne s'na rri b*** në shtëpi??? Duam të dalim se u mërzitem??? Jam i prekur se ai në mes është Baba im qe u rikthye në detyrë megjithëse kishte dalë në pension. Duroni, duroni, duroni sepse po vazhduam kështu do marrim fund! Qëndroni në shtëpi", shkruan Vik Kraja.

Mjekët dhe infermierët e spitalit Infektiv në Tiranë po kujdesen këto ditë me përkushtim për kurimin e pacientëve të infektuar me COVID-19 në vendin tonë