Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës hapi dyert spitali i ri i Laçit, i rindërtuar nga themelet pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, një investim i qeverisë shqiptare.  Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu inspektuan spitalin e ri, të cilin e konsideruan një model për spitalet bashkiake në vend. Me anë të një postimi në Facebook, kryeministri Edi Rama thotë se është model shembullor i spitaleve bashkiake në vend. Ndërsa në fjalën e tij para stafit, kryeministri Edi Rama e pati një koment edhe për mjekët dhe infermierët që largohen nga vendi duke thënë se nuk ka boshllëk në mjekësi.

"Kjo ditë përjetohet në mënyrë të posacme në këtë zonë ku është prania e Shna Ndoit dhe janë të panumërt shqiptarët që vijnë për pelegrinazh. Më vjen shumë mirë që në këtë ditë të sotme përgjatë hedhjes së një vështrimi në mjediset e reja të spitalit, pashë disa mjeke të reja, të cilat janë atashuar spitalit të Kurbinit për të dhënë kontributin e tyre pasi kanë mbaruar me rezultate të shkëlqyera në shkollë. Dua ta theksoj sepse shpesh herë dëgjojmë të përsëritet që s’kemi mjekë, s’kemi infermierë, kanë ikur të gjithë. Në fakt, për hir të vërtetës ne nuk e kemi një boshllëk të tillë, pavarësisht të pamohueshmes që ka mjekë e infermierë që të provojnë veten dhe të kërkojnë një eksperiencë gjetkë", tha Rama.

Nga Laçi, pak orë para nisjes së sesionit të ri parlamentar Rama premtoi rritje pagash për bluzat e bardha ndërsa tha se shpresojnë që të kenë mundësi të rishikojnë pensionet. Pas nëntë vitesh në pushtet, Rama nuk nguroi të thumbonte paraardhësin e tij, Sali Berisha në lidhje me shëndetësinë duke thënë se ende nuk e kupton përse kishin mbyllur specializimet.

Ndërsa gjatë fjalës së saj ministrja Manastirliu premtoi se brenda 6 muajsh do të fillojnë rehabilitimin e spitalit rajonal të Lezhës dhe rindërtimin e spitalit të Mirditës.

“Kurbini nuk ka vetëm një spital të ri. Është një strukturë spitalore e ndërtuar sipas modelit tonë të ri të spitaleve bashkiake, duke patur në vëmendje zhvillimet demografike, sëmundshmërinë dhe elementet socio-ekonomik të zonës. Modeluar me teknologjinë e kohës, me një hapesirë rreth 2800m2, nga sistemet e integruara të gazrave mjekësore, të ajrimit, e pajisur, me pajisje të reja biomjekësore. Pas ndërtimit të spitalit të ri të Kurbinit dhe pas ndërtimit të Maternitetit të ri të Lezhës, brenda 6 muajve të ardhshëm fillojmë rehabilitimin e spitalit rajonal të Lezhës dhe rindërtimin e spitalit të Mirditës”, tha Manastirliu. 

Duke folur për autonominë spitalore, Ministrja e Shëndetësisë tha:

“Po këtë vit ne mbajmë edhe një tjetër premtim: Zbatimin e Autonomisë Spitalore. Jemi duke përgatitur planin spitalor kombëtar. Pas miratimit të ligjit, reformën e fillojmë nga Spitali Memorial, Fier për ta shtrirë më pas në të gjithë Shqipërinë. Kështu rrisim efiçensën në spitalet publike duke i bërë më konkurruese. Kështu promovojmë më fort punën e mjekëve përmes mekanizmave të reja financiarë. Kështu sigurojmë aksesin e qytetarëve në shërbime cilësore”, tha Manastirliu. 

Spitali i ri i Laçit i rindërtuar nga themelet, investim i qeverisë shqiptare, është pajisur me aparatura mjekësore të teknologjisë së avancuar. Ka një kapacitet prej 40 shtretërish dhe do të ofrojë shërbimet e urgjencës; të imazherisë; laboratorit; kirurgjisë; patologjisë; maternitetin dhe pediatrinë; fizioterapinë, etj. Bashkë me investimin e ri, në këtë spital vijnë edhe mjekët e specializuar, ku vetëm këtë vit sapo janë punësuar pesë mjekë, në specialitetet: pediatri, obsetrikë-gjinekologji, mjekësi interne, endokrinologji, okulistikë, duke plotësuar stafin e përbërë nga 60 mjekë dhe infermierë të këtij spitali.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:37
Rama nga Laçi: Fluksi i turizmit fetar do të sjellë shërbime hotelerie e agroturizmi! Duket e çuditshme, por do të bëhet realitet

 

Kisha e Shna Ndout sjell shumë turistë në Laç. Kryeministri Rama tha se atyre nuk iu ofrohet asgjë përveç rrugës, por fluksi i turizmit fetar do të sjellë shërbime hotelerie dhe agroturizmi në mënyrë që të rriten të ardhurat për qytetarët e Laçit.

“Jam shumë i lumtur sa herë vij këtu se shoh çfarë po bëhet këtu. Do i japin kësaj zone jo vetëm pamje tjetër, jo vetëm mundësinë që mijëra fëmijë të shkojnë në shkolla ndryshe, por edhe një mundësi akoma më afatgjatë dhe e rëndësishme për ta parë perspektivën e të jetuarit këtë vend që do të jetë mundësia për ta kthyer këtë zonë që fluksin e turizmit fetar që e ka në fakt ngarkesë sepse në pamundësi për të ofruar shërbimi përveç kalimit të rrugës, të krijohet mundësia që të rrinë më gjatë, të ketë shërbime hotelerie e agroturizmi. Këto që duken të çuditshme sot, do të jenë realitet vit pas viti”, tha Rama.

Ora 13:28
Rama-laçjanëve: Ata që e kanë marrë votën rëndshëm prej jush, ju kishin lënë pas dore

 

Pasi inspektoi spitalin e ri të Laçit, kryeministri Edi Rama kujtoi se qyteti ishte i lënë pas dore nga qeveritë e mëparshme. Nuk hezitoi të përmendte votën duke thënë se opozita aktuale ka marrë rëndshëm vota për shumë vite nga qytetarët në Laç, ndonëse ky vend ishte lënë në harresë për vite me radhë.

“Sa më shumë gjëra të përpiqesh të bësh, aq më shumë je i ekspozuar ndaj gabimeve dhe prova që po i japim këtij komuniteti është provë e rëndësishme e natyrës së bindjeve të qasjes sonë, e cila nuk varet nga sa shumë na voton apo jo një komunitet. Shpresoj të na votojnë më shumë në Laç, por pak rëndësi ka ky fakt përballë nevojës së njerëzve për të shërbyer, pavarësisht se kë votojnë.

Dua të kujtoj se ishte një qytet i lënë pas dore rëndshëm për shumë vite nga ata që e kanë marrë votën rëndshëm për shumë vite. Ne më pas nuk është se bëmë ndonjë gjë të madhe, por bëmë diçka më shumë deri kur tërmeti dhe gjithë ajo tragjedi që goditi këtu më shumë se kudo tjetër, na vuri përpara detyrimit për të nxjerrë nga ajo krizë e rëndë të gjithë atë që të ofron një mundësi e madhe, për ta rilindur të gjithë këtë zonë”, tha Rama.

Ora 13:26
Premtimi i Ramës: Pavarësisht vështirësive, do rrisim sërish rrogat e mjekëve dhe infermierëve! Shpresoj të kemi lajm të mirë për pensionistët

 

Kryeministri Edi Rama ka premtuar nga spitali i ri i Laçit se do të rriten sërish rrogat e mjekëve dhe infermierëve ndërsa tha se uron që së shpejti të kenë lajm të mirë për pensionistët.

“Unë thjesht dëshiroj të falënderoj dhe miqtë e Kishës që ishin sot të pranishëm dhe i bënë bekim spitalit. Me atë rast mora dhe unë disa pika uji që shpresoj të më sjellin mbarësi. Me sigurinë që pasi u rritën rrogat edhe një herë për ju, do vijojmë t’i rrisim sërish përtej vështirësive që kemi, sepse është e rëndësishme që në këtë fazë kritike, të vijojmë të mbështesim. Rrogat do vazhdojnë të rriten për të gjithë ata që punojnë në sistemin shëndetësor dhe shpresoj që së shpejti të kemi lajm të mirë për pensionistët, edhe pse gjithmonë ndaj tyre do të jemi në borxh”, tha Rama.

Ora 13:19
Rama ‘thumbon’ opozitën nga Laçi: Nuk e gjej dot shpjegimin pse mbyllën specializimet

 

Kryeministri Edi Rama nuk ka kursyer një thumb për opozitën nga spitali i ri i Laçit duke thënë se nuk e kuptojnë përse mbyllën specializimet. Teksa ka shumë largime të mjekëve dhe infermierëve, Rama tha se nuk ka boshllëk dhe me spitalet e reja, kanë vënë në dispozicion apartatura të reja që të vijojnë të punojnë në shërbim të njerëzve.

“Ne sot në sistemin spitalor kemi shpërndarje e prani më të plotë e të racionalizuar sesa kishim vite më parë kur trashëguam një gropë të madhe e të pashpjegueshme të mungesës së specialistëve prej mbylljes së specializimeve. Një vendim i marrë nga qeveritë e mëparshme që nuk ia gjejmë dot shpjegimin.

Sot jemi në kushtet e harmonizimit të mjekëve të vjetër dhe atyre të rinjve që duke i ofruar kushte të tilla dhe duke i vënë në dispozicion aparatura, iu ushqejmë dëshirën që të vijojnë të punojnë në shërbim të njerëzve. Ndaj dua ta nis duke ju uruar mjekëve më me përvojë që këto vite të mbetura të shërbimit ti kalojnë sa më mirë, po ashtu dhe mjekëve të rinj e t’ia dalin t’i ofrojnë këtyre komuniteteve një shërbim cilësor. Për ti bërë njerëzit të ndihen mirë”, tha Rama.