Pas mungesës së një marrëveshjeje në takimin e zhvilluar të martën në Ministrinë e Ekonomisë, minatorët e minierës së Spaçit në Mirditë kanë vijuar protestën e tyre edhe këtë të mërkurë.
Pavarësisht kushteve të vështira atmosferike dhe reshjeve të dendura të shiut, ata janë mbledhur që në orët e para të mëngjesit në hyrje të kompanisë, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre.
Kjo shënon ditën e 14-të të bojkotit të punës nga ana e minatorëve, të cilët deklarojnë se nuk do të tërhiqen pa u plotësuar kërkesat që lidhen me përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e pagave dhe njohjen e sindikatës.
Një ditë më parë, u zhvillua një takim i ndërmjetësuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, me synimin për të gjetur një zgjidhje për konfliktin mes palëve, por nuk pati rezultate. Po ashtu dje, edhe kompania “TETE Albania” reagoi përmes një deklarate për mediat, ku theksoi se Konfederata e Sindikata të Shqipërisë (KSSH) ka vepruar në kundërshtim me ligjin, duke mos respektuar procedurat ligjore për fillimin e bisedimeve dhe duke organizuar greva në periudha të ndaluara nga ligji.
Kompania tha se mirëpret dialogun me institucionet dhe kërkon respektimin e detyrimeve ligjore nga të gjitha palët.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku dhe njëkohësisht kryetare e Komisionit e Medias dhe të Drejtave të Njeriut, ka treguar hapur mbështetjen e saj dhe të Partisë Demokratike për minatorët e Spaçit, të cilët prej 14 ditësh kanë bojkotuar punën dhe protestojnë për kushte të mira pune e rritje pagash.
Tabaku shpreh se dera e Komisionit për të Drejtat e Njeriut është e hapur për minatorët për të diskutuar mbi problematikat e tyre, si dhe për faktin që po pushohen nga puna padrejtësisht.
“Kolegët e PD të qarkut Lezhë, kanë pasur takime të shumta ame minatorët që janë duke u pushuar nga puna në Spaç. Kjo është një çështje që shkon në shkelje të ligjit dhe përtej. Këto punonjës u keqtrajtuar nga Policia e Shtetit vetëm sepse protestuan. Këto punonjës janë duke u pushuar nga puna vetëm se protestuan e janë duke kërkuar të drejtat e tyre. Për këtë arsye i kam njohur që komisioni i të Drejtave të Njeriut është i hapur për të diskutuar për të drejtat e tyre për punë, për të mbrojtur dinjitetin, për tu punësuar dhe për tu organizuar në sindikata.
Ajo që ka ndodhur me këta punonjës është një shëmbëlltyrë e shtetit shkel me këmbë që janë shumica, që jetojnë me punën e ndershme, ndërkohë që mbështet me ligje me favore ato që janë pakicë. Komisioni do të jetë një derë e hapur që mund të trokasë kushdo, duke nisur nga minatorët”, tha Tabaku.
Komente










