Pas protestës së dhunshme e përplasjeve me policinë të zhvilluar për të 2 herë në ambientet e jashtme të Parlamentit, qytetarët u mblodhën përsëri në sheshin ‘Skënderbej’ mbrëmjen e sotme për të vijuar më pas me marshimin drejt kryeministrisë. Protestuesit në kor thërrasin 'Lironi çuat', referuar 19 të arrestuarve pas përplasjeve te Kuvendi.
Gazetari Klevin Muka lexoi një deklaratë të grupit organizator duke akuzuar Policinë e Shtetit se ka dhunuar padrejtësisht protestuesit. Ai tha se protesta do të vijojë paqësore dhe se qytetarët nuk do të largohen nga sheshi deri në dorëheqjen e Ramës.
"Njërit prej protestuesve dyshohet se i është thyer hunda. Në atë moment dukej se policia kriminale ishte bërë gati për dhunimin e qytetarëve. Pas kësaj, protesta vijoi normalisht, me qytetarët e revoltuar. Kjo ndodhi deri sa qytetarët, të ulur para Parlamentit, filluan të dhunoheshin nga policia. Policia e Shtetit ndërhyri me dhunë, duke përdorur shkopinj gome dhe gaz lotsjellës”, tha ndër të tjera ai.
Një prej organizatorëve të protestës, Arben Kola, tha sot se personat e arrestuar nga tensionet para Parlamentit, janë provokuar nga grupet kriminale që janë të implikuara brenda Policisë së Shtetit. Kola bëri thirrje për të ruajtur qetësinë dhe se qeveria e kryeministrit Edi Rama do të rrëzohet me protestë paqësore.
“Kjo polici tregon që tani ndodhet para një dileme, ti shërbejnë mafies apo popullit. Duhet të jeni të vëmendshëm e të mos bini pre e provokimeve. Ruani qeverisë, do ta rrëzojmë përmes një revolucioni paqësor Edi Ramën. Çfarë e vret këtë sistem të kalbur, është prania e fëmijëve dhe grave, njerëzve si ai që u tërhoq zvarrë sot, Altin Hila, që vjen çdo ditë nga Durrësi me një fëmijë të sëmurë. Një duartrokitje për të gjithë të arrestuarit, ata janë provokuar nga bandat brenda policisë. Thirrje dhe për ambasadat, në veçanti atë të SHBA dhe atë të BE për ti hequr spinën Ramës se ata e kanë mbajtur me oksigjen. Nuk kemi qenë për dhunë, revolucioni është paqësor. Ata po kërkojnë dhunë. Nuk duhet të bie, pre e provokimeve”, tha Arben Kola.
Protestuesit u lajmëruan nga foltorja dje, që në Parlament të shkonin me miell e vezë me vete për t’i hedhur drejt ligjvënësve të Kuvendit. Nga përplasjet sot, 19 persona deri më tani janë arrestuar ndërsa organizatorët e protestës, që pas tensioneve të ditës së hënë, janë shprehur se nuk mbajnë më përgjegjësi për veprimet e qytetarëve ndërsa janë distancuar nga dhuna. Gjitahshtu si pasojë e dhunës e hedhjes së gurëve, u plagosën 15 policë, të cilën u dërguan te spitali i Traumës për të marrë mjekim.
Lajmi në përditësim...

Një pensionist mori fjalën gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, ku ironizoi bonusin e paralajmëruar nga qeveria për pensionistët, duke deklaruar se do ta përdorë atë për të udhëtuar nga Elbasani në Tiranë për të marrë pjesë në protesta.
Gjatë fjalës së tij, ai lëshoi akuza në adresë të qeverisë dhe u bëri thirrje pensionistëve të tjerë t'i bashkohen protestave në mbështetje të të rinjve.
“Mesazhin e parë do t’ia jap banditit të Surrelit. Na kanë dhënë 50 mijë lekë bonus. Mos u mërzit, sepse me ato para do të vij pesë herë në protestë. U bëj thirrje pensionistëve të vijnë në protestë dhe të mbështesin rininë e mrekullueshme. Ndryshe, ato 50 mijë lekë të qelbura le t’ua japin lëpirësve”, u shpreh pensionisti.

Ambasada e SHBA-vë u bën thirrje qytetarëve amerikanë në Tiranë të kenë kujdes nga protestat e përnatshme që po zhvillohen në kryeqytet.
Njoftimi i plotë i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë:
Vendndodhja: Në të gjithë vendin; Tiranë, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", segmenti mes Sheshit "Skënderbej" dhe Sheshit "Nënë Tereza", përpara Kryeministrisë.
Data/Koha: Në vijim.
Njoftimi: Protestat e përnatshme vazhdojnë përpara godinës së Kryeministrisë, e cila ndodhet në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", mes Sheshit "Nënë Tereza" dhe Sheshit "Skënderbej". Protesta të tjera mund të zhvillohen edhe në ditët në vijim, si në Tiranë ashtu edhe në qytete të tjera.
Edhe pse protestat dhe grumbullimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë me shpejtësi. Tubimet mund të shtrihen edhe në zonat përreth, përfshirë ndërtesa të tjera qeveritare. Në orët para zhvillimit të protestave dhe gjatë tyre pritet prani e shtuar e forcave të policisë, bllokime rrugësh, devijime të qarkullimit dhe ndërprerje të trafikut.
Nëse ndodheni në një qytet ku po zhvillohet një protestë, tregohuni vigjilentë dhe vendosni në prioritet sigurinë tuaj personale. Ndiqni mediat lokale dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve të rendit për informacionet më të fundit.
Masat e rekomanduara për sigurinë:
Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin pjesëmarrjen në protesta.
Tregohuni të vetëdijshëm për mjedisin përreth jush dhe kufizoni shpërqendrimet, si përdorimi i telefonit apo kufjeve në vende publike.
Ndiqni vazhdimisht mediat lokale për zhvillimet e fundit.
Keni gjithmonë një plan emergjence ose një strategji daljeje nga zona.
Mbani një profil të ulët dhe shmangni tërheqjen e vëmendjes.

Organizatori i protestës Ilir Xhemalaj akuzoi Policinë e Shtetit për ushtrim dhune ndaj qytetarëve gjatë protestës së zhvilluar paraditen e së enjtes para Kuvendit, ndërsa theksoi se tubimet do të vijojnë në mënyrë paqësore.
Gjatë fjalës së mbajtur në protestën e 33-të para Kryeministrisë, Xhemalaj deklaroi se protestuesit u përballën me forcën e policisë, por nënvizoi se nuk do t’i përgjigjen dhunës me dhunë.
“Sot ky regjim gjakatar kërkoi të bënte kurban qindra protestues paqësorë që ishin ulur. Janë tërhequr zvarrë, janë dhunuar dhe dhjetëra janë arrestuar. Sot bisha komuniste donte gjak, por ne nuk do t’ia japim. Ne jemi ndryshe nga ata. Ne nuk duam gjak shqiptari. Do të luftojmë paqësisht derisa ky regjim të zhduket”, u shpreh Likaj.

Aktivisti Edison Likaj ishte i pari që mori fjalën në nisje të protestës së 33-të para godinës së Kryeministrisë, ku komentoi edhe përplasjet e ndodhura më herët gjatë protestës së zhvilluar para Kuvendit.
Duke iu referuar tensioneve mes protestuesve dhe forcave të policisë, Likaj deklaroi se përdorimi i forcës nuk i frikëson qytetarët, por përkundrazi, sipas tij, forcon rezistencën dhe rrit pjesëmarrjen në protesta.
“Dhuna e tyre është shumë e panevojshme për demokracinë, por është e nevojshme për rezistencën. Çdo grusht i tyre shton 100 vetë më shumë në shesh. Jemi më të fortë. Ne nuk ndryshojmë pavarësisht se çfarë bëjnë ata,” u shpreh aktivisti.

Gazetari Klevin Muka foli sot para Kryeministrisë si i autorizuar i Grupit Koordinues të 33 protestave të zhvilluara në Tiranë, në lidhje me protestën që u zhvillua paraditen e sotme para Kuvendit, ku pati përplasje mes qytetarëve dhe policisë, dhunim të bluve dhe arrestim të qytetarëve.
Komunikatë!
Në emër të grupit koordinues të protestës, jemi të detyruar që sot, në ditën e 33-të, të mbajmë këtë komunikatë sqaruese, si për ata që janë në protestë, ashtu edhe për ata që po na ndjekin nga e gjithë Shqipëria ose diaspora.
Siç kemi njoftuar edhe publikisht ditën e djeshme, sot, meqë kishte seancë plenare, kemi vendosur që të jemi përpara Parlamentit për t’u thënë deputetëve se nuk janë përfaqësuesit tanë dhe se çdo seancë parlamentare duhet të pezullohet deri në një moment të dytë, për shkak se populli është në rrugë.
Në protestën e ditës së sotme, kishim lajmëruar qytetarët që të pajiseshin me vezë dhe miell, me qëllim bërjen pis të deputetëve që nuk përfaqësojnë votuesit, por krimin e organizuar, oligarkinë dhe kryetarin e partisë.
Kështu, një grup prej nesh, i cili ishte mbledhur më herët pranë Parlamentit, ishte ulur në një kafene, ku po priste orën 10:00 për fillimin e protestës. Në atë moment, pa pritur, është shfaqur ish-ministri i Drejtësisë, i akuzuar për blerje votash në Dibër, konkretisht në dosjen 184, Ulsi Manja, së bashku me badigardët e tij. Në atë moment, protestuesit kanë reaguar dhe më pas janë dhunuar nga policia private e Ulsi Manjës, ku njërit prej protestuesve dyshohet se i është thyer edhe hunda. Që në këtë moment dukej sikur sot policia kriminale ishte bërë gati për dhunë dhe arrestime ndaj qytetarëve.
Më pas, pas arrestimit të djemve, protesta vijoi normalisht, sigurisht me qytetarë të revoltuar për shkak të padrejtësisë që kishte ndodhur. Kjo vijoi derisa, në një moment, qytetarët, të cilët ishin ulur pranë Parlamentit, filluan të dhunoheshin nga Policia në mënyrë të menjëhershme dhe joproporcionale. Policia e Shtetit ndërhyri me dhunë, me shkopinj gome, gaz lotsjellës, pepper spray e me radhë, duke shpërndarë qytetarët dhe duke arrestuar shumë prej tyre.
Dita e sotme na tregoi se kryeministrit Rama dhe shtetit të tij kriminal i është sosur durimi. Ai po tenton me çdo kusht që këtë protestë, e cila ka qenë një protestë shembull për sa i përket qytetarisë, etikës, kreativitetit dhe nivelit të lartë të demokracisë, ta bëjë pis. Pikërisht në këtë moment, ne do t’i themi se kjo protestë është gjëja më e bukur që i ka ndodhur këtij vendi dhe ne do të jemi këtu derisa ti të largohesh në mënyrë paqësore dhe qytetare.
Nëse argumenti juaj është dhuna, argumenti ynë është rezistenca dhe qëndresa. Ne nuk dorëzohemi, ne nuk bëhemi si ju!
Prej sot e tutje ne do të vazhdojmë protestën në mënyrë paqësore, në bulevard deri sa shqiptarët të fitojnë!
Komente











