Pas perdhosjes së flamurit kombëtar ditë më parë në Suharekë, një tjetër simbol kombëtar është vandalizuar në Kosovë.

Kësaj here, objektiv i sulmit u bë shtatorja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në qytetin e Prizrenit, ku përkrenarja dhe shpata e heroit u ngjyrosën me ngjyrë ari. Shoqata “Trojet e Arbrit” ka reaguar ashpër ndaj këtij akti, duke e cilësuar si një “sulm të shëmtuar dhe të qëllimshëm ndaj figurës më të ndritur të historisë sonë kombëtare”.

Kryetari i shoqatës, Mr. Sc. Nue Oroshi,ne rrjetin social facebook u bëri thirrje institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë që të veprojnë menjëherë për gjetjen e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë.

“Ky është një akt i papranueshëm, një provokim i qëllimshëm që cenon jo vetëm figurën e Skënderbeut, por edhe krenarinë tonë kombëtare,” tha Oroshi.

Policia Rajonale e Prizrenit njoftoi se është duke e faktuar gjendjen në terren dhe do të veprojë sipas udhëzimeve të Prokurorisë. Sipas tyre, zona ku ndodhet shtatorja është e pajisur me kamera sigurie, çka pritet të ndihmojë në identifikimin e autorëve.

Shtatorja e Gjergj Kastriotit -Skënderbeut, e vendosur më 28 nëntor 2020 në rrethrrotullimin e rrugës “Hasan Prishtina” në Prizren, është një ndër monumentet më të rëndësishme historike e simbolike të qytetit.