Pas FRPD, Basha hap garën për të zëvendësuar kryetaren e Forumit të Gruas! Reagon Albana Vokshi: Vendim uzurpues! Do vazhdojmë zgjedhjet në bazë të statutit tonë

Pas FRPD, Basha hap garën për të zëvendësuar kryetaren e Forumit të Gruas! Reagon Albana Vokshi: Vendim uzurpues! Do vazhdojmë zgjedhjet në bazë të statutit tonë

Lulzim Basha dhe Albana Vokshi

Pas vendimit për riorganizimin dhe zgjedhjen e organeve drejtuese të Forumit Rinor, edhe Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë do të hyjë në një proces zgjedhor. Kryetari i PD, Lulzim Basha udhëzoi zhvillimin e zgjedhjeve për kryetaren e LDGSH-së, post i cili mbahet me emërim që prej vitit 2012, si dhe të organeve të tjera drejtuese të Lidhjes së Gruas.

Sipas Bashës, zgjedhja e kryetares së LDGSH-së do të bëhet sipas parimit 1 anëtar, 1 votë. Kjo është hera e parë që anëtareve të Forumit të Gruas u njihet e drejta për të zgjedhur drejtuesen e tyre me votë direkte.

Ndërkohë, pas këtij vendimi, Kryetarja e Lidhjes të Gruas në Partinë Demokratike, Albana Vokshi ka reaguar ashpër, duke e konsideruar atë një vendim "arbitrar" dhe "uzurpues". Në Facebook Vokshi thotë se Basha e njoftoi vetëm me një telefonatë, duke e konsideruar këtë fakt "qesharak". Ajo thekson se LDGSH ka zgjedhur drejtueset lokale të forumit të gruas, në mbi 600 grupseksione me parimin një anëtar një votë dhe në 74 degë dhe se pjesë vijuese e këtij procesi është gara për zgjedhjen e drejtueseve të LDGSH.

Sipas Vokshit, asnjë drejtues i PD-së nuk ka rol në vendim-marrjen e LDGSH, teksa shton se ata do të vijojnë me zgjedhjet në LDGSH në bazë të statutit të tyre.

Nga ana tjetër Basha ka ngritur edhe një grup të posaccëm për zgjedhjet në LDGSH, për të garantuar standardet e procesit.

Ky grup përbëhet nga:

1. Grida Duma 

2. Arta Sakja  

3. Dhurata Çupi  

4. Orjola Pampuri  

5. Greta Bardeli 

6. Alfrida Marku  

7. Ina Zhupa  

8. Eralda Tase Bano  

9. Zheni Gjergji 

10. Ledina Aliolli 

Grupi i punës do të mbikëqyrë mbarëvajtjen e procesit për zgjedhjen e Kryetares dhe zgjedhjet dhe riorganizimin e të gjitha forumeve të tjera të LDGSH në qendër dhe në degë. Në LDGSH mungojnë prej vitesh forume të tilla drejtuese si kryesia apo Këshilli Kombëtar i LDGSH-së.

Vokshi reagoi edhe një ditë më parë, pas shpalljes nga Basha të zgjedhjeve në FRPD, Vokshi e  theksoi se LDGSH dhe FRPD, janë forume që organizohen dhe drejtohen në bazë të Statutit të tyre dhe se askush, nuk ju merr dot vendimmarrjen, madje as kryetari. Megjithatë Basha duket se nuk po merr asgjë parasysh, duke shkelur në mënyrë të njëpasnjëshme statutin e PD. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:28
Pampuri i përgjigjet Vokshit: Procesi për zgjedhjet demokratik! Kryetarja është emëruar që në 2009 në krye të LDG-së pa garë, s'mund të flasë për legjitimitet

Depuetja e Partisë Demokratike, Oriola Pampuri i ka dalë në mbrojtje kreut të PD-së, Lulzim Basha, duke theksuar se gara për kryetaren e PD-së është legjitime dhe demokratike. Duke ju përgjigjur reagimit të kryetares aktuale të këtij Forumi, Albana Vokshit, e cila e quajti vendimin e kreut të PD-së për të zhvilluar zgjedhje të reja si abuziv dhe uzurpues, thotë se ajo është emëruar në këtë post pa garë nga kryetari që në 2009. Sipas Pampurit, mandati i Vokshit ka skaduar prej të paktën 8 vitesh dhe askush nuk mund të pretendojë për legjitimitetet apo demokraci në drejtimin e LDG.

‘Nuk ka asgjë antidemokratike në vendimin e Kryetarit Basha për të zgjedhur Kryetaren e re të LDG dhe strukturat inekzistente drejtuese të Lidhjes. Zgjedhja e kryetares së LDG-së me parimin “një anëtar, një votë” është një lajm i mirë për të gjitha gratë dhe vajzat demokrate, që besojnë tek PD dhe duan të japin kontributin e tyre.

Zonja Albana Vokshi është emëruar në ketë detyrë që në vitin 2009 nga Kryetari i PD, pa garë. Mandati i saj ka skaduar prej të paktën 8 vitesh dhe askush nuk mund të pretendojë për legjitimitetet apo demokraci në drejtimin e LDG.

Shumë pak e dinë, por LDG nuk ka patur në 12 vjet asnjë strukturë përveç Kryetares me mandat të skaduar. Zonja Vokshi nuk e miratoi kurrë statutin e LDG, siç e urdhëron Statuti i Partisë, nuk hapi kurrë garë për asnjë strukturë drejtuese të Lidhjes. Nën drejtimin e znj. Albana Vokshit, LDG nuk ka patur as Sekretare të Përgjithshme, as Nënkryetare, as Kryesi, as Këshill Kombëtar. Ky mund të jetë akti më antidemokratik që mund të bëhet ndaj një forumi politik.

Pas procesit të nisur sot nga Kryetari Basha do të sigurohet zbatimi korrekt i statutit të PD, në mënyrë që organizimi i LDG të jetë i ngjashëm me atë të PDSH. Për këtë arsye, Kryesia e PD do duhet të miratojë edhe Statutin për funksionimin demokratik të LDG për t’i dhënë fund praktikës antidemokratike të uzurpimit të Kryetares së Lidhjes për 12 vjet, pa votë.

Suksese zonjave demokrate në këtë proces të rëndësishëm demokratik, që ndodh për herë të parë në Shqipëri dhe që do të jetë modeli më i mirë për përfaqësimin dinjitoz të grave dhe vajzave.- shlruan Pampuri.

Ora 21:44
Hapja e garës për Forumin e Gruas në PD, kryetarja e Forumit të Gruas në PPE, Doris Pack thirrje Bashës: Respekto statutin e LDGSH dhe shmang çdo ndërhyrje të dëmshme

Kryetarja e Forumit të Gruas në Partitë Popullore Europiane, Doris Pack ka reaguar pas vendimit të Bashës për mbajtjen e zgjedhjeve në Lidhjen e Gruas në Partinë Demokratike. Në “Twitter”, ish-eurodeputetja gjermane i bën thirrje Bashës që të respektojë statutin e LDGSH dhe të shmangë çdo ndërhyrje të dëmshme.

"Si Kryetare e Grave të Partive Popullore Europiane i bëj thirrje z.Lulzim Basha, kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë që të respektojë statutin e Lidhjes Demokratike të Grave në Shqipëri dhe të frenojë veten nga çdo ndërhyrje e dëmshme", shkuan ajo.

Ora 20:21
Hapja e garës për Forumin e Gruas në PD, Vokshi: Vendimi i Bashës arbitrar, uzurpues dhe i bërë në mënyrë qesharake me telefonatë

1543666424_AVOKSHI.jpg

"Arbitrar" dhe "uzurpues" e ka konsideruar Kryetarja e Lidhjes të Gruas në Partinë Demokratike, Albana Vokshi, vendimin e Lulzim Bashës për hapjen e garës në LDGSH për ta zëvendësuar atë.

Me një postim në Facebook, Vokshi shkruan se LDGSH ka zgjedhur drejtueset lokale të forumit të gruas, në mbi 600 grupseksione me parimin një anëtar një votë dhe në 74 degë dhe se pjesë vijuese e këtij procesi është gara për zgjedhjen e drejtueseve të LDGSH. Sipas Vokshit, asnjë drejtues i PD-së nuk ka rol në vendim-marrjen e LDGSH, teksa shton se qëllimi i Basha po braktis anëtarësinë dhe gratë demokrate

Postimi i plotë i Vokshit:

Kryetari i PD-së Lulzim Basha më informoi sot se ai ka vendosur të fillojë një proces të zgjedhjeve në Lidhjen Demokratike të Gruas së Shqipërisë. Ai më informoi, me anë të një telefonate, edhe se ka vendosur që zgjedhja e kryetares së forumit të bëhet me një anëtar një votë.

Dëshiroj të theksoj me ketë rast:

1.    Ndërhyrja e kryetarit të PD, duke krijuar procedura sipas dëshirës së tij dhe në shkelje të statutit të LDGSH, janë një dhunim arrogant i punës së strukturave dhe anëtareve të LDG.

2.    Informoj publikun se LDGSH është në përfundim të procesit të anëtarësimeve, organizimit dhe zgjedhjes bazuar në Statutin e LDGSH. Janë zgjedhur drejtueset lokale të forumit të gruas, në mbi 600 grupseksione me parimin një anëtar një votë dhe në 74 degë. Pjesë vijuese e këtij procesi është gara për zgjedhjen e drejtueseve të LDG.

3.    Zgjedhjet në LDG organizohen nga vetë forumi, sipas përcaktimeve statutore. As kryetari i PD-së, dhe asnjë komision zgjedhor i ngritur prej tij nuk mund të kenë rol në vendim-marrjen dhe menaxhimin e procesit. Drejtimi dhe vendim-marrja e forumit janë krejtësisht të shkëputura nga ato të Partisë. Asnjë drejtues i PD-së nuk ka rol në vendim-marrjen e LDG-së.

Vendimi i zotit Basha është arbitrar, uzurpues dhe i bërë në mënyrë qesharake me telefonatë.

Qëllimi i vendimit është të zhbëjë të gjithë procesin e deritanishëm të zgjedhjeve brenda LDG-së dhe të vërë nën kontroll të tij edhe forumin e gruas së PD, duke shpërfillur jo vetëm statutin, por edhe kontributin e mbi 10 mijë grave që morën pjesë në zgjedhjet e brendshme në LDGSH.

Veprimi i tij është braktisje e rëndë e anëtarësisë dhe e grave demokrate. Zoti Basha fatkeqësisht tani nuk i takon, nuk i pyet, nuk u merr mendim demokrateve e demokratëve për asgjë.

Ky diktat është braktisje e anëtarësisë dhe e grave demokrate. Udhëheqja e Partisë duhet të flasë e bashkëpunojë me demokratët kudo ku ata janë, e jo vetëm me socialistët në Kuvend.

LDGSH do të vijojë të mbështet në statutin e saj dhe parimet e themelimit të PD si forcë konservatore.

LDGSH do të vijojë procesin e zgjedhjeve në bazë të statutit të saj.

J.GJ./M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Më 24 dhjetor në Tiranë mbrëmje festive për Krishtlindje! Muzikë festive, koncert në 19:00 në sheshin “Skënderbej”

Më 24 dhjetor në Tiranë mbrëmje festive për Krishtlindje! Muzikë festive, koncert në 19:00 në sheshin “Skënderbej”