Pas futbollit dhe librave, kur do të nisë lufta ndaj piratëve të lajmeve?

Pas futbollit dhe librave, kur do të nisë lufta ndaj piratëve të lajmeve?

Sot prokuroria e Tiranës njoftoi një procedim penal që në Shqipëri nuk ka precedentë: Një botuese, pronare e të famshmit Libri Universitar “Book Store”, u inkriminua me akuzën e piraterisë së disa veprave të shkrimtarit Ismail Kadare. Prokurori i çështjes, Bledar Valikaj ka kërkuar në gjykatë caktimin e masës se sigurisë detyrim paraqitje dhe ndaj saj është ngritur akuza  për “Shkeljen e të drejtave të pronësisë intelektuale” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Praktikisht, pa pasur të drejtën, kjo botuese ka stampuar dhe vënë në shitje veprat e shkrimtarit të njohur, i cili ia kishte besuar të drejtat e tij ekskluzive një shtëpie tjetër botuese. Hetimi është i paprecedentë pasi në Shqipëri, ku çdo ditë flitet për raste të mëdha korrupsioni dhe për një kriminalitet të organizuar të fuqishëm, më në fund një prokuror merret edhe me grabitësit e veprave intelektuale. Të piratosh një libër (pra pa i kaluar autorit dhe shtëpisë botuese të ardhurat përkatëse) është e rëndë njësoj si të vjedhësh.

Deri më tani e vetmja pirateri me të cilën janë marrë institucionet shtetërore është ajo e futbollit, pasi prek interesat e botuesve që kanë blerë të drejtat e transmetimit. Dhe sigurisht, kundër kësaj piraterie është e drejtë dhe e detyrueshme të veprohet. Tani po nis lufta ndaj piratëve të librave.

Problemi qëndron se përditë botues të TV dhe veçanërisht të mediave serioze dhe profesionale online, janë viktima të një tjetër piraterie të egër: Ajo e lajmeve. Lajme të tëra, të plota nga një media që ka paguar gazetarët e saj për t’i shkruar, kopjohen dhe ripublikohen gratis nga një ushtri piratësh online që vetëm vjedhin punën e kolegëve të tyre. Këto shkrime sigurisht që nuk janë veprat e çmuara të Ismail Kadaresë, por ama kemi të bëjmë edhe këtu me një vjedhje që mbi të gjitha meriton të njëjtën vëmendje dhe mbrojtje nga ligji.

Një krim nuk është më i rëndë krahasuar me vlerën e objektit të vjedhur, por nga veprimi i grabitjes. Shpresojmë që hetimi i nisur nga prokuroria e Tiranës kundër piratëve të veprës së Kadaresë të hapë një epokë të re dhe që më në fund Shteti dhe institucionet e tij të shqetësohen të mbrojnë edhe të drejtat e botuesve të ndershëm që u paguajnë gazetarëve rroga transparente (pa fshehur një pjesë nëpër zarfe) për të gjetur lajme ekskluzive dhe që si të tilla meritojnë të mbrohen. Ndërsa sot vidhen nën indiferencën e të gjithëve.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Barazimi me Kroacinë, mendoni se Kombëtarja kalon grupet e Euro 2024



×

Lajmi i fundit

Dumani e Kraja hetojnë Metën dhe Berishën/ I dërguari i Blinken shkon në SPAK, sheh malin e dosjeve dhe garanton: SHBA-të do të vazhdojnë t'ju mbështesin

Dumani e Kraja hetojnë Metën dhe Berishën/ I dërguari i Blinken shkon në SPAK, sheh malin e dosjeve dhe garanton: SHBA-të do të vazhdojnë t'ju mbështesin