Pas heshtjes së pakuptueshme 2-ditore, Sali Berisha shfaqi sot qëndrimin e tij për resortin që është planifikuar tëndëtohet në Zvërnec, një investim që kap vlerën e 4 miliardë eurove.
Kreu i Partisë Demokratike, e cilësoi investimin e planifikuar ndër më seriozët që Shqipëria ka njohur në 13 vitet e fundit, por tha se Partia Socialiste po tenton të pengojë realizimin e tij.
Sa i përket protestave të banorëve që pretendojnë se po u merret padrejtësisht prona që kanë në Zvërnec, Berisha tha se shteti duhet të kryejë detyrën e tij për verifikimin dhe hetimin thellues ndaj çdo prteendimi, dhe në rast se nevojitet, dëmshpërblimin e çdo qytetari që i takon.
"Por, në gjithë këtë histori, çfarë kemi? Investitori i vetëm i huaj në 13 vite po përballet me përpjekje për t’u larguar nga Shqipëria. Po jua them qartë: prej 13 vitesh nuk ka asnjë investitor të huaj të rëndësishëm në tokën shqiptare.
Sipas ‘Europe Tender’, asnjë tender në Shqipëri nuk është fituar nga kompani europiane. Mos e harroni këtë fakt. Një prej kompanive më të fuqishme, e cila do të ndërtonte një resort turistik në Gjirin e Lalzit me vlerë 1.5 miliardë euro, u përball me pengesa dhe presione të vazhdueshme deri në largimin e saj. Pronari i saj priste në zyra për zgjidhje, por pa rezultat.
Sot nuk kemi asnjë investitor të huaj të rëndësishëm. Çfarë po ndodh? Cili është qëndrimi i Partisë Demokratike?
Qëndrimi ynë është i qartë: ne besojmë se investimet e huaja janë jetike për zhvillimin e Shqipërisë.
Nga viti 2008 deri në vitin 2013, investimet e huaja varionin nga 1.2 deri në 1.4 miliardë euro në vit.
Ndërkohë sot, Partia Demokratike vazhdon të mbështesë investimet e huaja, por ju po largoni të vetmin investitor të huaj që ka mbetur në Shqipëri. Mbajeni shënim këtë.
Vetë ai tha: ‘Ju më votuat mua’. Pra, e hoqi maskën. E pranoi hapur.
Nëse një investitor disponon një projekt të miratuar nga qeveria dhe dokumente të firmosura nga institucionet zyrtare, kadastra dhe agjenci të tjera shtetërore, atëherë, pasi shteti e ka miratuar projektin, investitori nuk duhet të mbajë përgjegjësi për konfliktet e mëvonshme.
Çdo qytetar që pretendon padrejtësi apo abuzim duhet të përballet me shtetin, i cili ka detyrimin ta dëmshpërblejë me vlerën reale të tregut dhe, njëkohësisht, të ndëshkojë me forcën e ligjit falsifikatorët dhe spekulantët.",- tha Berisha.
Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamnetar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, nënvizoi se "investimi do të bëhet", ndërsa dha dhe një përgjigje për mediat greke.
"Mos harroni se komshiu e ka zili komshiun; ndoshta jo i pari, por elementë të tjerë do ta donin investimin për vete”,- tha Balla.
lajm në përditësim...
Deputeti i Partisë Demokratike, Tomorr Alizoti, ka akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama se ka si qëllim ndarjen e Shqipërisë.
Komentet Alizoti i bëri gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku tha se pas të gjitha vendeve turistike në Shqipëri, qëndron një njeri me pushtet.
Alizoti tha gjithashtu se kryeministri Edi Rama është një autokrat që i trembet protestave qytetare.
Sipas Alizotit, Rama gjatë fjalimit të sotëm, pas protestave qytetare të këtyre ditëve, shfaqi frikë.
“Mu kujtua një vjershë nga koha e komunizmit, ‘moj parti ta lumsha synin’. Armiqtë e brendshëm po rrezikojnë Shqipërinë. Tani kush nuk e di në Shqipëri, që po të shkelësh në një vend të bukur, në det, në mal apo në fushë, nuk të del një njeri me pushtet. Kush shqiptar nuk e di këtë, që i përket një të forti, një politikani, një deputeti. Shkon përshembull në zonën e bukur të bregdetit dhe thonë ‘kujdes se e ka filani’. Misioni i kësaj qeverie është ndarja e Shqipërisë. Sepse autokracia funksionon sëbashku me oligarkinë. Autokratët kanë frikë. Sot Rama e shfaqi frikën, sot tha ‘unë nuk iu tradhtoj kurrë’. Sot Rama ka frikë se njerëzit kanë dalë rrugëve”, tha mes të tjerash Alizoti.

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, është shprehur se pushteti politik në Shqipëri i shërben banditëve.
Komentet Zhupa i bëri gjatë fjalës së saj në Kuvend, ku komentoi mbi dhunën e ushtruar nga rojet privatë ndaj qytetarëve.
Zhupa tha se banditë me maska dhunuan, tërhoqën zvarrë dhe hodhën spraj me piper ndaj qytetarëve, ndërkohë që sipas deputetes, efektivët e Policisë së Shtetit nuk ndërmorën asnjë veprim.
“Shteti ka degraduar, kur pushteti haptazi i shërben banditëve të tij. Banditë të veshur me kapuçë të zinj, të cilët tërhoqën zvarrë qytetarët shqiptarë protestues. Këtu po të ndërtosh një derë në kasollen e dhive, të shikon shteti, ndërkohë që të vendosësh tela me gjemba në zonën e mbrojtur, nuk të shikon shteti. Ndërkohë që i hodhën spray policisë dhe policia rrinte si më e paafta në botë, sepse banditët kishin mbrojtjen shtetërore. U mjaftua Policia e Shtetit duke thënë se ‘do të pezullojë drejtorin’. Do ta lërë 2 javë në shtëpi me pushime. Në fakt aty kemi të bëjmë me rastin e shpërdorimit të detyrës”, tha mes të tjerash Zhupa.

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, është shprehur në Kuvend se problemet dhe ngatërresat me pronat në Vlorë, por edhe në gjithë Shqipërinë, kanë nisur që nga viti 1993 me ligjin 7501.
Komentet Braçe i bëri teksa komentoi situatën në Zvërnec, ku banorët vendas kundërshtojnë ndërtimin e një resorti turistik në zonë, e cila është zonë e mbrojtur.
Braçe tha se procesi i turpshëm i shndërrimit të tokës që ishte fond pyjor, në tokë bujqësore, për t’u ndarë më pas me ligjin 7501 për të gjithë ata që sot sipas deputetit socialist thonë ‘jemi grekë’, ka sjellë këto shqetësime.
“Në vitin 2009, drejtuesi i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronave ka qenë njëri që ti e njeh shumë mirë. Meqë i përmende emrin, kam qenë i vetmi në këtë sallë që në vitet 2000-2003 kam qenë i pari që kam denoncuar grabitjen e pronave në Vlorë dhe veçanërisht në këtë territor për të cilin bëhet fjalë. Mund të hapësh gazetën Zëri i Popullit, është publikuar 200 ditë rresht, se çfarë i kishte ndodhur nga viti 1993 dhe në vijim, veçanërisht me atë procesin e turpshëm të shndërrimit të tokës që ishte fond pyjor, në tokë bujqësore, për t’u ndarë me 7501 për të gjithë ata që sot thonë jemi homogjenë grekë”, tha mes të tjerash Braçe.
Deputetja socialuste Iris Luarasi nuk e quan rastësi faktin që një sërë personazhesh e faqesh publike flasin një zëri për çështje si investimi në Zvërnec, për të cilën deri pak ditë më parë ishin totalisht indiferentë. Ligjvënësja thotë se një shpjegim mund të jetë orkestrimi i sinkronizuar i tyre nga fuqi jodashamirëse ndaj Shqipërisë.
"Aktorët e huaj të lidhur me interesa kineze, ruse dhe rajonale shfrytëzojnë rregullisht tema mjedisore, etnike dhe kulturore për fushata dezinformimi në Ballkanin Perëndimor. Mjedisi është bërë një nga vektorët më të preferuar.
Indikatorët e hershëm paralajmërues ishin pikërisht ato modele që po shohim sot, video që janë me qindra, që qarkullojnë në mënyrë të koordinuar dhe narrativa",- tha Luarasi.

Deputeti socialist Ardit Bido ka mbrojtur sot në Kuvend projektin turistik prej 4 miliardë eurosh në Zvërnec, ndërsa ka argumentuar se protesta përfshinte dy grupe të ndryshme: banorët që kërkojnë zgjidhjen e konfliktit të pronave dhe kundërshtarët e zhvillimit të zonës. Ai ngriti gjithashtu pyetje për praninë e protestuesve të ardhur nga Greqia dhe deklaratat e Fredi Belerit për Zvërnecin dhe Nartën.
"Dua të flas sot me atë që pamë këto ditë në Zvërnec, duke nisur me një vlerësim për aktin e fundit të Ministrisë së Brendshme që dëgjoi thirrjen e Vlonjatëve për të hequr licencat e banditëve të cilët kishin uniformën e një policie private. Ato skena ishin të turpshme për Shqipërinë. Skena të tilla nuk pijnë ujë në Vlorë, përkundrazi prodhojnë më shumë reagim dhe inat. Në protestë pamë dy kategori të ndryshme: banorët e Zvërnecit të cilët kanë një petendim mbi pronësinë e tokës së tyre. Ata janë pro zhvillimit dhe duan që territori i Zvërnecit të zhvillohet dhe Vlora të kthehet në një pikë turistike elitare siç i takon Shqipërisë. Ata pretendojnë se prona nuk i takon Shehit të Kaninës siç është marrë vendim nga Agjensia e Kthimit të Pronave në vitin 2009, madje nga një emrë i lidhur ngushtë me PD, por se i takon një fisi tjetër, fisit Balliu, që ka një pretendim pronësor që në vitin ’30. Agjensia e Kthimit të Pronave ia ka refuzuar që në vitin 2009 me një argument që ndoshta nuk qëndron, e që në bindjen time nuk qëndron.
Sikurse janë banorët e fshatit që pretendojnë se nëse këto dy tituj pronësie nuk janë të saktë, atëherë është ligji 7501 që funksionon. Është e qartë si dritë e diellit që aty nuk ka tokë që do të mbetet publike në fund. Ose i takon atij që e ka me çertifikatë pronësie që në vitin 2009, falë akteve të PD-së, ose fisit Balliu që e pretendon falë një kontrate shit-blerje të viteve 30, ose nëse të dyja titujt do të ishin të pavlefshëm do u takonte banorëve me ligjin 7501. Kjo është kategoria e parë. Ata kanë të drejtë që protestojnë sepse kanë një kalvar gjyqesh të padrejta prej akteve të paformësuara siç duhet ligjërisht nga një administratë që nuk dinte çfarë bënte me pronat. Ata kanë të drejtë të protestojnë sepse protestojnë për pronën që pretendojnë se është e tyre. Ndoshta nuk kanë të drejtë të protestojnë aty sepse kanë 30 vite që sorrollaten gjykatave dhe nuk gjejnë të drejtën. Të drejtën e kanë ama. Kategoria e dytë që pamë në protestë ishte ajo kundërthënëse.
Ishte kategoria e atyre që thonë se janë anti-oligarkë dhe që nuk duan asnjë lloj zhvillimi në asnjë lloj forme apo ambientalistët që duan ta lënë Nartën si një tokë të paprekur. Unë dua të bëj një pyetje, duke mos rënë dakord me vendimin e PS-së që lumin e Vlorës e ka shpallur lumin e vetëm të egër në europë. Pse të mos zhvillohemi? Pse të mos jemi si Greqia, Italia, Kroacia, Mali i Zi? Pse të mos vijnë këtu 4 miliard euro investim?
Përse të mos kthehet Gjiri i Vlorës si pika më e rëndësishme turistike përtej Shqipërisë? Strategjia energjitike e viteve ’80 përcaktonte shumë qartë që HEC-i më i madh në Shqipëri do të ishte në Grykën e Këlcyrës. Sot nuk e bëjmë dot, por ajo do të kthente balancat dhe Greqia do të ishte e varur nga Shqipëria. Sepse strategjia e turizmit e viteve ’90 përcakton që Gjiri i Vlorës ka potencialin të kthehet në gjirin më të rëndësishëm elitar turistik të Mesdheut. Prandaj kam disa pyetje ndaj Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Jashtme: 3 autobuzët që erdhën nga Greqia përse nuk i deklarojnë? Kush i nxiti këto autobuzë? Shumica ishin banorë të zonës por shumë nuk ishim. Doli Fredi Beleri që kërkoi për minoritetin grek në Zvërnec dhe Nartë që sipas tij po iu hiqen të drejtat. Nuk janë tek kategoria e parë që duan zhvillimin por janë te kategoria e dytë që Zvërneci të mos zhvillohet. A është qëllimi i ambientalistëve, i Belerit e atyre që sponsorizuan autobuzët që mos të prishen balancat në Mesdhe, që turizmi elitar do të vinte në Vlorë, apo ka interesa të tjera me minoritete të paqena që do riprodhojnë Himarën të cilën e humbën në betejën e 2 viteve më parë” tha Bido.

Deputeti socialist Pirro Vengu tha sot kë Kuvend se SHqipëria nuk e ka luksin të përçmojë investime të nivelit si ai që planifikohet të bëhet në Zvërnec dhe i cili parashikohet të kapë vlerën e të paktën 4 milionë eurove.
Vengu tha se në një kohë kur bota po përballet me kriza të vazhdueshme, është detyra e ligjvënësve që të marrin "vendime të guximshme që i japin vendit siguri ekonomike".
"Po kush flet për nevojën që ka laguna për rehabilitim mjedisor, kush flet për nevojat që kanë banorët e zonës për shërbime? Kush mund të jetë kaq naiv të mendojë që kemi luksin të refuzojmë investime të tilla? Debati për trashëgiminë tonë kulturore po",- tha Vengu ndër të tjera.

Deputeti i PD-së, Bardh Spahia, kritikoi në Kuvend urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë “Për trajtimin hormonal të personave transgjinorë”, duke ngritur shqetësime për zbatimin e terapisë hormonale në shërbimin publik shëndetësor. Spahia tha se urdhri është nxjerrë “në mënyrë të fshehtë e tinzare” dhe pyeti ministren se mbi çfarë baze është përcaktuar mosha 14 vjeç për aplikimin e kësaj terapie. Ai kërkoi sqarime për konsultimet e kryera me autoritetet dhe grupet e interesit, duke e cilësuar nismën si të paligjshme dhe me pasoja të pakthyeshme për fëmijët dhe familjet shqiptare. Deputeti demokrat ngriti gjithashtu pyetje mbi nevojën mjekësore të procedurës dhe qëllimin e kësaj iniciative.
"Ju zonja ministre në mënyrë të fshehtë e tinzare nxorrët një urdhër për aplikimin e terapive hormonale pranë shërbimit të endikronologjisë në QSUT. Ky urdhër ka ndikim direkt dhe impakt të pakthyeshëm në jetët e fëmijëve, dhe familjeve shqiptare. Me ç’të drejtë e përcaktoni ju moshën 14 vjeçare për aplikimin e terapisë hormonale për fëmijë të pambrojtur sikur të ishin kavie eksperimentale? Kush e përcaktoi kufirin e moshës 14 vjeç? Cilat kanë qenë konsultimet me autoritetet përkatëse e grupet e interesit. Kush është ideatori i një nisme të tillë? Këto janë axhenda të qarta Woke-iste. Ky akt është i paligjshëm. Cila është nevoja mjekësore dhe prioriteti i kësaj procedure? Çfarë qëllimi fshihni pas kësaj iniciative?" tha Spahia ndër të tjera në fjalën e tij në Kuvend.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, me ironi ka uruar Sali Berishën për rikonfirmimin në krye të PD-së. Nga salla e Kuvendit, Balla foli edhe për investimin që pritet të bëhet në Zvërnec, investim i cili ka nxjerrë në protesta qytetarët.
Balla tha se investimi është historik dhe më i madhi që ka pasur Shqipëria ndonjëherë, teksa njoftoi gjithashtu se pas pak ditësh nga Aeroporti i Rinasit do të nisin fluturimet direkte nga Tirana në Toronto.
Lidhur me reagimet e shumta në Greqi për protestën në Zvërnec, Balla me ironi tha se 'komshiu e ka zili komshiun', në rastet e investimeve të tilla.
“Nuk mund të mos e vlerësoj faktin dhe qëndrimin pro investimit. Një investim historik, më i madhi në historinë e Shqipërisë, për të cilin do të flas pak më poshtë. U tha këtu se investimet e huaja kanë rënë. Tani, investimet e huaja direkte, në vitin 2012, që ishte viti i fundit i juaji në pushtet zoti Sali, ishin 666 milionë euro. Në vitin 2025, shifra e investimeve të huaja direkte shkon 1.64 miliardë euro. Tani me matematikën e Lulit, mund të jetë 1.64 miliardë më e madhe se 666 milionë. Por me matematikën normale, 666-ta te 1.64 hyn të paktën 2.5 herë.
Pra investimet e huaja direkte në Shqipëri janë rritur me të paktën 2.5 herë. Por zotëria, që urime edhe për zgjedhjen në krye të PD-së dhe nuk dihej se kush fitonte. Por pas kësaj gare kaq të fortë, të luftuar deri në minutën e fundit, fitoi zoti Sali. Ndërkohë i bashkohem edhe urimit të Piter Bayer, me të gjitha kuptimet që kishte brenda urimi i tij. Ndërkohë sa i përket PBB, GTP-ja ishte diku poshtë 10 miliardë euro, ndërkohë në 2025 e kemi kaluar 27 miliardë euro. Pra e kemi 3-fishuar ekonominë e vendit në një kohë kaq të shkuartër.
Asnjë vend nuk e ka bërë këtë në kaq pak kohë. Meqë u tha diçka edhe për aeroportin e Vlorës, aeroporti i Vlorës është ndërtuar, po përfundon, aty ku ka qenë gjurma e aeroportit të Vlorës prej 100 vitesh. Numri i turistëve, këtu pastaj na ndjeni, se të qeshurën nuk e mbajmë dot. Pas pak ditësh, për herë të parë në Rinas do të inaugurohet fluturimi i parë ndërkontinental, nga Tirana në Toronto. Investimi në Zvërnec do të bëhet, mos harroni që komshiu e ka zili komshiun, ndoshta jo i pari, por element të tjerë, do donin investimin për vete”, tha mes të tjerash Balla.
Komente












Per banoret Vendas te jete falas me marveshje 100 vjet pra pa pagese ! Keshtu do ishte nje mundesi te futen ne ishullin Sazan pa pagese
Përgjigju