Aleanca LGBT sot do të bëhet pjesë e protestës së qytetarëve në sheshin ‘Skënderbej’ kundër ndërtimeve në Zvërnec, në orën 18:00.
Por ndërsa i bashkohet kësaj qëndrese, komuniteti shprehet se paralelisht po sulmohet nga pastori Akil Pano e “ushtarët e tjerë të Sali Berishës”, pas urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë për terapinë hormonale për transgjinorët që do të ofrohet në QSUT.
“Duke pushtuar hapësirën publike me urrejtje, Akil Pano dhe ushtarët e tjerë të Sali Berishës po përpiqen të bëjnë sa më shumë zhurmë”, thotë Aleanca.
Koalicioni Shqiptar pro Familjes dhe Jetës do të organizojë po sot, në të njëjtën orë, një protestë kundër terapisë hormonale në sistemin publik shëndetësor. Sali Berisha ka shprehur mbështetjen e tij në një deklaratë për shtyp, ndërsa përfaqësues të PD pritet t'i bashkohen protestës.
“Sot është dita e fëmijëve, por Koalicioni për Familjen ka vendosur, më thonë se edhe ai do bëjë një protestë. Dhe shanset janë që ne të mbështesim sot protestën e koalicionit për familjen. Sepse, është 1 Qershori. Ju e patë që, po kjo do njoftohet. Ju e patë domethënë, se në ç'mënyrë më kriminale, perverse, Edi Rama me Salën, me këtë ministren, vendosën që të përdorin terapinë për ndryshimin e gjinisë tek 14-vjeçarët. Jashtë çdo lloj, jashtë çdo lloj kriteri, qoftë biologjik, qoftë sociologjik, qoftë të përgjegjësisë. Kjo është t'ia rrëmbesh prindërve fëmijën nga gjiri i tyre. Dhe ky është një akt i shëmtuar, antiligjor, nuk jemi kundër, më fal, ka një moshë të caktuar në të cilën fëmija, se nuk jemi t'i injorojmë, diskriminojmë, jo. Por jemi, mosha më ideale është mosha e përgjegjësisë, 18-22 vjeçare. Çdo veprim para kësaj moshe është një atentat në identitetin njerëzor. Dhe unë shpreh solidaritetin tim me aleancën për familjen”, tha Berisha.
Akil Pano është shprehur se urdhri për terapinë hormonale synon të “shkatërrojë familjen.” Aleanca thotë se ndërsa Berisha dhe mbështetësit e tij po e maskojnë protestën si mbrojtje ndaj fëmijëve, synojnë në të vërtetë të largojnë vëmendjen nga projekti i Zvërnecit.
“Duket ironike që sot komuniteti LGBTI+ po i bashkohet protestës për ajër të pastër, për tokën, detin, të drejtat e njeriut, mjedisin dhe të ardhmen e Shqipërisë, ndërsa Sali Berisha proteston kundër personave LGBTI+”, thuhet në deklaratën e Aleancës.
Komente








