Pas Vasilika Hysit dhe Besnik Bares, një tjetër deputet i Partisë Socialiste ka deklaruar se nuk do të jetë pjesë e listave të 25 prillit.

Deputeti Sadi Vorpsi ka lajmëruar me anë të një postimi në rrjetet sociale se pas 4 vitesh kontribut si Prefekt i Qarkut Tiranë dhe 4 vitesh si deputet i Partisë Socialiste, ka vendosur t’ia kaloj stafetën prurjeve të reja për t’u fokusuar më shumë tek familja ime dhe në angazhime të tjera private.

Ndër të tjera Vorpsi shkruan se edhe pse nuk do të kandidojë sërish, do të jetë po aq aktiv në fushatën e 25 Prilllit për mandatin e domosdoshëm të PS-së dhe Edi Ramës për t’i çuar gjer në fund punët e nisura e për ta bërë Shqipërinë zonjë.

'Të nderuar miq, mbështetës e dashamirës! Pas 4 vitesh kontribut si Prefekt i Qarkut Tiranë dhe 4 vitesh si deputet i Partisë Socialiste, kam vendosur t’ia kaloj stafetën prurjeve të reja për t’u fokusuar më shumë tek familja ime dhe në angazhime të tjera private. T’i sherbeja vendit dhe qytetit tim ka qenë nder dhe privilegj i jetës sime.  Partia Socialiste është jo vetëm shtëpia më e madhe politike, por dhe më përparimtarja e gjithëpërfshirësja. Edi Rama e transformoi nga një parti në opozitë të vështirë, në forcën vendimtare për qeverisjen dhe modernizimin e vendit.  Kam shijuar çdo moment përfaqesimin e komuniteve nga zemra e Tiranës, e më pas në Vorë e në Farkë dhe jam krenar për gjithçka kemi arritur së bashku. Edhe pse nuk do të kandidoj sërish, do të jem po aq aktiv në fushatën e 25 Prilllit për mandatin e domosdoshëm të PS dhe Edi Ramës për t’i çuar gjer në fund punët e nisura e për ta bërë Shqipërinë zonjë.  Ju falenderoj nga thellësia e zemrës për të gjithë mbështetjen dhe mezi pres të bashkojmë forcat për fitoren e 25 Prillit. Juaji gjithmonë, Sadi!'- shkruan Vorpsi.

Një ditë më parë deputeti Besnik Baraj bëri të ditur largimin e tij nga politika duke thënë se ai nuk do të kandidoj më si deputet nën siglën e PS në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 25 prillit. Besnik Baraja ka qenë deputet Partisë Socialiste në 2 legjislatura në Qarkun e Tiranës, por nuk do të kandidoj më si i tillë.  Sakaq edhe Vasilika Hysi, deputete e PS dhe nënkryetarja e Kuvendit, u largua nga politika duke thënë se largimi i saj po ashtu po i lë hapësira të rinjve që të hyjnë në politikë duke pasuruar PS-në.