Ndonëse ishte një seancë me fokus problemet e evidentuara në terren të zgjedhësve, debatet mes opozitës dhe mazhorancës u fokusuan edhe tek sulmi i dhunshëm me molotovë I militantëve të PD ndaj vilës së Enver Hoxhës, duke rrezikuar jetën e artistëve që ndodheshin Brenda.
Gjithcka nisi nga një kërkesë e deputetit demokrat Tritan Shehu që Kuvendi i Shqipërisë të dilte me një deklaratë të përbashkët për situatën e luftës në Iran për të treguar qëndrimin e Shqipërisë krah sulmeve të koordinuara mes SHBA-së dhe Izraelit. Kreu I grupit të PS, Taulant Balla iu përgjigj duke e paralelizuar situatën me aktet e dhunës të ushtruara nga opozita nëpër protesta.
Duke e cilësuar Berishën si Ajatollahu i fundit i mbetur në Evropë, Balla tha se në kohën që SHBA dhe Izraeli sulmonin Iranin, kryetari i PD urdhëronte militantët të sulmonin ashpër vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha në një moment që brenda kishte artistë.
"Ndërkohë që SHBA dhe Izraeli me forcat e tre godisnin objektivat e regjimit të Ajatollahëve, Ajatollahu i fundit në Evropë, Sali Berisha urdhëronte ju dhe ata që iu vijnë nga mbrapa të sulmonit godina. Në ato godinë vetëm Saliu ka qenë brenda, asnjëri nga ne. I vetmi që mund të hynte në atë godinë dhe të ngrohej pranë zjarrit bubulak të diktatorit, ishte Ajatollahu i partisë tuaj”, tha mes të tjerash Balla.
"Berisha deklaroi se po ta dinte se në Vilën 31 se do kishte njerëz brenda, nuk do kishte sulm. E pranoi e shprehu qartazi se dhuna është me pult, se s’ka revoltë", tha Ardit Bido.
"Turizmi sigurisht që nuk e do flakën dhe dhunën, sepse mjafton një titull i vetëm në mediat ndërkombëtare, një foto e vetme me molotov në zemër të Tiranës, që shumë njerëz të anulojnë pushimet, të ndryshojnë destinacionin dhe të largohen nga Shqipëria", tha Iris Luarasi.
Akuzave të mazhorancës për dhunë dhe sulme të urdhëruara nga Sali Berisha, iu përgjigj kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi i cili tha se nuk kishin dijeni për prezencën e tyre në vilë.
"Duhet të kesh parasysh që ne nuk rrimë në paradhomën e Ramës për të ditur se çfarë qokash bën me pronat e shqiptarëve. Fakti që një pronë publike i është kaluar për menaxhim një fondacioni francez u desh protesta e datës 28 që ta mësonim ne dhe shqiptarët”, iu përgjigj Bardhi-Ballës.
Ndërsa deputeti i Partisë Mundësia , Agron Shehaj çoi në Kuvend kauzën e banorëve të Rrjollit në Velipojë që kundërshtojnë prej 28 ditësh ndërtimin e resortit të Bashkim Ulajt. Ai kritikoi deputetët që heshtin për dhunën mbi banorët dhe tha se atyre po u grabitet prona nga njeriu përmendej në përgjimet e ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku.
150 hektarë i keni marrë gjithë fshatit. Ja ka marrë ish-drejtori i Hipotekës Taulant. Pasi keni vjedhur pronën, tani po i dhunoni. Ja ka marrë me atë që Belinda Balluku përmendte në përgjim dhe thoshte ‘i kemi bërë nderin e jetës, i kemi dhënë rrugën Thumanë-Kashar 1.3 miliardë euro. T’ju vijë turp, ka qytetarë që dhunohen nga Policia e Shtetit dhe Policia private”, tha Shehaj.
Drejtuesja e seancës i fiku mikrofonin Shehjat dhe kaq mjaftoi që të niste përplasjen me deputetët e Partisë Socialiste.
Kjo solli përjashtimin e tij nga seanca. Protestat kundër resortit të Ulajt në Rrjoll u përshkallëzuan gjatë ditëve të fundit, duke çuar në përleshje mes banorëve, Policisë së Shtetit dhe policisë private të kontraktuar nga Ulaj, ku u dhunua një i ri.
Kreu i Partisë Mundësia, deputeti Agron Shehaj, ka folur jashtë Parlamentit lidhur me situatën e ndodhur brenda sallës, ku ai u përplas me socialistët për protestën e banorëve të Rrjollit kundër ndërtimit të resortit të biznesmenit dhe botuesit Bashkim Ulaj.
Jashtë Parlamentit Shehaj tha për gazetarët se në Parlament nuk duan që të flitet për hallet e qytetarëve dhe kundër oligarkëve. Kjo ishte arsyeja sipas tij, që i ndërprenë fjalën në foltoren e Kuvendit.
Teksa për çështjen e Rrjollot dhe për problemet e qytetarëve me pronat në mbarë Shqipërinë paralajmëroi protestë të enjten para Parlamentit, Shehaj tha gjithashtu se biznesmeni Ulaj përmes policisë private të kontraktuar prej tij ka dhunuar banorët që kundërshtojnë resortin e tij.
“Në 4 orë diskutim sot në Parlament, nuk u përmend lajmi i javës. Kanë mbi 1 javë që qytetarët e Rrjollit protestojnë se po u rrëmbehet prona. 150 hektarë janë rrëmbyer nga ish-drejtori i Hipotekës dhe janë përjashtuar të gjithë pronarët e Rrjollit. Tani po protestojnë, por çfarë ndodh. Oligarku me të cilin po ndajnë pronat e këtij fshati, praktikisht u kanë vërsulur policinë private me grushta. Ky djali këtu është një 19-vjeçar që familjes së tij i kanë rrëmbyer pronën. Polica gjoja privatë me kapuçë, me shkopa gome, shikoni ça i kanë bërë, ky është babai i tij, i kanë thyer këmbën. Kur fillova të flisja për këtë çështje në Parlament, nënkryetarja më hoqi fjalën. Sepse për këto çështje nuk duan që të flitet në Kuvend. Në mbrojtje të banorëve të Rrjollit dhe të të gjithë Shqipërisë që po u rrëmbehet prona, do të protestojmë të enjten para Parlamentit dhe nuk na ndalon dot askush. Taulant Balla pa pikë turpi i thoshte ‘do ta pezullojmë 1 muaj këtë’. Pse? Sepse fola për Rrjollin, fola për hallet e qytetarëve”, tha mes të tjerash Shehaj.
Ndërkohë gazetarja e Report TV, Danjela Maloku, e pyeti Shehajn nëse do të votonte në Kuvend për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut pa iu vënë në dispozicion dosja, deputeti nuk i ktheu një përgjigje të prerë.
“Zoti Shehaj kam një pyetje përsa i përket kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut. Ju u keni bërë thirrje të dyja palëve që t’ju vënë dosjen në dispozicion dhe më pas të vendosni mbi votën. Edhe në këto kushte kur nuk e keni dosjen dhe provat, a do jepni votën pro në Kuvend në momentin që do të hidhet për votim heqja e imunitetit të Ballukut?”, e pyeti gazetarja e Report TV, Danjela Maloku, deputetin Agron Shehaj.
Shehaj tha se dosja e paraqitur nga SPAK për Ballukun po mbahet e fshehur në kasafortat e Kuvendit dhe nuk po u jepet deputetëve për ta parë.
Votimi për imunitetin e Ballukut pa parë dosjen, për Shehajn do të ishte një precedent i rrezikshëm, pasi sipas tij, deputetët do të votonin pa e ditur se çfarë po votojnë.
“Ky është Parlamenti që mbron të korruptuarit. Është i vetmi Parlament në botë që për të patur një interpelancë me Ballukun për 2 vjet rresht ka mohuar. Tani SPAK ka sjellë një dosje për Belinda Ballukun dhe këta e kanë mbyllur në kasafortë. E kanë ndarë me njëri-tjetrin dhe nuk u’a kanë dhënë deputetëve. Atëherë si do të votojnë deputetët kur s’kanë dosjen. Është çështje parimore. Sepse nuk mund të krijohet një precedent në Kuvend, që deputetët të votojnë, pa ditur se çfarë po votojnë. I kemi dërguar kryetarit të Kuvendit një shkresë zyrtare që të na vihet në dispozicion dosja. Nëse ai preferon, mund të na i vërë në dispozicion dosjen brenda një ambienti të mbyllur, por është e papranueshme që dosja të fshihet në kasafortë”, iu përgjigj Shehaj pyetjes së gazetares së Report TV.
Deputeti Agron Shehaj është përplasur në Kuvend me kolegët socialistë, lidhur me protestat e banorëve të fshatit Rrjoll të Velipojës, të cilët janë ngritur kundër resortit që biznesmeni dhe botuesi Bashkim Ulaj po ndërton atje.
Gjatë fjalës së tij, Shehaj tha se banorët e Rrjollit po dhunohen dhe po u grabitet prona nga Bashkim Ulaj, njeriu që sipas tij përmendej në përgjimet e ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku.
Shehaj pas fikjes së mikrofonit nisi të përplasej me socialistët lidhur me zhvillimet në Rrjoll, çka solli përjashtimin e tij nga seanca dhe ndërprerjen e seancës plenare.
Një kritikë Shehaj e kishte edhe për deputetët e PD-së dhe të partive të tjera opozitare, të cilët sipas tij nuk kanë ngritur zërin për atë që ai e cilëson ‘grabitje të pronave në Rrjoll’.
“Askush nuk foli këtu me një çështje që ka prekur pjesën më të madhe të shqiptarëve. Kjo ka ndodhur falë pushtetarëve të korruptuar. Kjo këtu është një pamje që tregon sesi dhunohet një qytetar shqiptar. Ndërkohë që Taulanti zgërdhihet. Taulant e ke parë këtë grushtin Taulant? Ky djali që rrahin me grushta është një 19 vjeçar që mbron pronën e vet, ku ka lindur, jetuar e është rritur, ndërkohë që ju ja keni vjedhur. 150 hektarë i keni marrë gjithë fshatit. Ja ka marrë ish-drejtori i Hipotekës Taulant. Pasi keni vjedhur pronën, tani po i dhunoni. Ja ka marrë me atë që Belinda Balluku përmendte në përgjim dhe thoshte ‘i kemi bërë nderin e jetës, i kemi dhënë rrugën Thumanë-Kashar 1.3 miliardë euro. T’ju vijë turp, ka qytetarë që dhunohen nga Policia e Shtetit dhe Policia private”, tha mes të tjerash Shehaj.
Kujtojmë se protestat kundër resortit të Ulajt në Rrjoll të Velipojës janë përshkallëzuar gjatë ditëve të fundit, duke çuar në përplasje mes banorëve të zonës dhe Policisë së Shtetit dhe policisë private të kontraktuar nga biznesmeni dhe botuesi. Një i ri u dhunua nga punonjësit e 'Breçani Security' pak ditë më parë, ndërsa banorët e Rrjollit shprehen se nuk do i ndalin protestat, pasi pretendojnë se toka ku po ndërtohet është pronë e tyre që po tentohet të grabitet.
Deputeti i PS, Ardit Bido tha se Sali Berisha sot e pranoi haptazi se dhuna në protesta është me “pult”, duke iu referuar deklaratës së tij se nëse do e dinin që brenda në Vilën 31 kishte artistë, nuk do sulmonin me molotovë. Bido tha se të rinjtë e keqpërdorur si bandë e vogël sulmojnë vetëm me urdhrin e tij.
“Sot u faktua dhe u pranua zyrtarisht nga PD. Sot Berisha deklaroi se po ta dinte se në Vilën 31 se do kishte njerëz brenda, nuk do kishte sulm. E pranoi e shprehu qartazi se dhuna është me pult, se s’ka revoltë. Se nëse ai vendos që të këtë dhunë ndaj vilës 31, ata të rinj të keqpërdorur nga PD si një bandë e vogël do shkojnë dhe do hedhin zjarr, do përdorin fishekzjarr dhe molotov. Nëse ai e vendos që s’do të ketë dhunë ndaj vilës 31, askush nuk do të veprojë”, tha Bido.
Deputeti i Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto, është shprehur se situata e infrastruturës në Shqipëri ngjason me një situatë të pasluftës.
Komentet Haxhinasto i bëri gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku tha se janë 20 akse rrugore të dëmtuara, mes tyre edhe Korridori VIII.
“Situata e infrastrukturës është një alarm tjetër kombëtar. Ndonëse infrastruktura fizike ka marrë çdo vit 10 % të buxhetit, situata sot është e ngjashme me atë të pasluftës. Janë rreth 20 rrugë dhe vepra rrugore të dëmtuara rëndë, por më kryesorja është një korridor ndërkombëtar që është Korridori VIII, që prek edhe një nga qarqet më të varfra të Shqipërisë. Çarja e rrugëve ka treguar se standardet janë shumë për të dëshiruar. Shtresat dhe nënshtresat janë thuajse inekzistente. Janë më të varfra se ato që janë ndërtuar në kohën e Romës, që ishin ndërtuar për karroca dhe jo për makina. Sinjalistika rrugore është mbi 10-vjeçare dhe kjo është reflektuar në rritjen e numrit të aksidenteve. Mirëmbajtja është kthyer në çështje qokash e nderesh. Shtretërit e lumenjve dhe inertet e tyre janë pre e babëzisë dhe grabitjes”, tha mes të tjerash Haxhinasto.
Deputetja e Partisë Socialiste, Ilir Luarasi, gjatë fjalës në Kuvend ka dënuar hedhjen e molotovëve nga militantët e Sali Berishës ndaj vilës së Enver Hoxhës, sot qendër kulture.
Luarasi tha se pamjet me molotovë të shpërndara në mediat ndërkombëtare, dëmtojnë turizmin në Shqipëri.
“Kur flasim për turizmin, nuk po flasim për një çështje politike. Kur një turist vendos të vijë në Shqipëri, ai nuk sheh kush është në pushtet, por nëse Shqipëria është një vend i sigurit. Pamjet me molotovë, me flakë, me tension, janë pamje që për fat të keq nuk mbeten vetëm brenda Shqipërisë, sepse përhapen menjëherë në mediat ndërkombëtare dhe krijojnë perceptimin e pasigurisë.
Turizmi sigurisht që nuk e do flakën dhe dhunën, sepse mjafton një titull i vetëm në mediat ndërkombëtare, një foto e vetme me molotov në zemër të Tiranës, që shumë njerëz të anulojnë pushimet, të ndryshojnë destinacionin dhe të largohen nga Shqipëria.
Brenda Vilës 31 ku ndodheshin artistë të huaj, u krijua një situatë frike për jetën. Fatmirësisht të gjithë janë mirë, por mesazhi që doli jashtë vendit nuk është ai që duam. Nuk është mirë të hedhësh molotov ndaj një qendre arti. Tërësisht e papranueshme që fëmijët të përdoren për hedhje molotovi”, tha mes të tjerash Luarasi.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, teksa replikoi me deputeten demokrate Ledina Alolli për shembjen e aksit Librazhd-Prrenjas, tha se rrugët nuk ndërtohen me fjalime në Kuvend.
“Rrugët as nuk ndërtohen dhe as nuk riparohen me fjalime këtu. Meqënëse e kam fjalën, dua të falënderoj punën e madhe që po bëhet 24 orë dhe falë asaj pune dhe interesimeve të të gjithë deputetëve pa thënë krahët, për shumë pak kohë, rruga alternative do të hapet dhe do tejkalojë një ngjarje që as nuk varet nga fjalimet e recitimet tuaja e as nga të miat”, tha mes të tjerash Niko Peleshi në Kuvend.
Deputeti i partisë Lëvizja Bashkë Redi Muçi është filmuar teksa luante shah ndërkohë që në foltore po mbante fjalën deputetja e PD Ledina Allolli, e cila ngriti si shqetësim bllokimin e qarkullimit drejt juglindjes për shkak të rrugës së shembur.
Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi replikoi me Taulant Ballën i cili iu kërkoi të distancohen nga protestat e dhunshme dhe u kujtoi sulmin e dhunshëm me molotovë ndaj vilës së Enver Hoxhës, ku ndodheshin artistë. Bardhi i tha Ballës se nuk kishin dijeni që vila i është lënë të menachohet një fondacioni francez, duke thënë se u desh protesta e 28 shkurtit që të zbulohej se çfarë qokash bën kryeministri me pronën publike.
“Meqë kërkoi që të distancohen nga dhuna, po ne distancohemi nga dhuna e korrupsionit, nga politikanët e lidhur me krimin e organizuar, ne distancohemi nga çdo normalizim i një situate që po e çon Shqipërinë shumë hapa pas. Të vish në foltore të marrësh fjali të kreut të komisionit të jashtëm të PE dhe të injorosh një fjalim ku i kërkohet kësaj mazhorance të distancohet nga korrupsioni i Ballukut dhe të mos vonojë heqjen e imunitetit dhe përballjen e saj me drejtësinë, duhet të kesh parasysh që ne nuk rrimë në paradhomën e Ramës për të ditur se çfarë qokash bën me pronat e shqiptarëve. Fakti që një pronë publike i është kaluar për menaxhim një fondacioni francez u desh protesta e datës 28 që ta mësonim ne dhe shqiptarët”, iu përgjigj Bardhi-Ballës.
Deputeti i PD-së, Ivi Kaso, deklaroi në Kuvend se shembja e aksit rrugor Librazhd-Prrenjas ka çuar në rritjen e çmimit të autobusit për në Tiranë dhe rritjen e çmimit të bukës në qarkun Korçë.
“Shembja e rrugës Librazhd-Prrenjas, një akt i pastër korrupsioni. Halli më i madh i Ministrisë së Invrastrukturës sot është halli i ministres së saj, dhe jo i rrugëve që po bëhen thërrime. Keni 12 vite që vetëm i gënjeni me lugë të zbrazët qytetarët e juglindjes. Dëmet sot po i paguajnë mbi 200 mijë banorë të juglindjes, që po përballen me pasojat. Kamionët devijojnë 40-60 km më shumë, me kosto të rritura në kohë dhe karburantë. Dje ishte rritur bileta e autobusit për në Tiranë, ndërkohë që sot është rritur edhe çmimi i bukës në Korçë”, tha mes të tjerash Kaso.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla iu përgjigj kërkesës së Tritan Shehut duke thënë se qëndrimi i Shqipërisë është bërë mjaft i qartë nëpërmjet deklaratave zyrtare të kryeministrit Edi Rama. Balla gjithashtu e cilësoi Berishën si Ajatollahu i fundit i mbetur në Evropë duke paralelizuar luftën në Lindjen e Mesme me protestën e dhunshme të PD-së më 28 shkurt. Balla tha se ndërkohë që SHBA dhe Izraeli godisnin Iranin, Berisha sulmoi vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha ndërkohë që brenda kishte artistë. Sot ajo vilë funksionon si qendër kulturore.
“Qeveria shqiptare përmes kryeministrit e ka bërë të qartë mbështetjen e Shqipërisë ndaj ndërhyrjes së SHBA dhe të Izraelit në një sulm parandalues ndaj Iranit dhe po ashtu sikurse jeni në dijeni Rama ka shprehur solidaritetin e plotë të Shqipërisë me vendet në Gjirin Persik që janë kthyer në target të regjimit në shkatërrim e sipër të Ajatollahëve në Iran. Kryeministri ka biseduar sot me presidentin e emirateve të Bashkuara Arabe, dhe po ashtu ka shprehur solidaritetin dhe me vend të tjera mike, por siç jeni në dijeni ka pasur sulme ndaj Qipros. E mirëpresim propozimin tuaj për të pasur një qëndrim po besoj se qëndrimi ka qenë i qartë. Në të njëjtën linjë me atë që presidenti Trump konfirmoi se objektivi i SHBA ishte të mbronte popullin amerikan dhe vendet aleate duke eliminuar kërcënimet ndaj regjimit iranian. Ndërkohë që SHBA dhe Izraeli me forcat e tre godisnin objektivat e regjimit të Ajatollahëve, Ajatollahu i fundit në Evropë, Sali Berisha urdhëronte ju dhe ata që iu vijnë nga mbrapa të sulmonit godina. Në ato godinë vetëm Saliu ka qenë brenda, asnjëri nga ne. I vetmi që mund të hynte në atë godinë dhe të ngrohej pranë zjarrit bubulak të diktatorit, ishte Ajatollahu i partisë tuaj. Besoj që sot është dita që në emër të PD në linjë me grupin e partive popullore evropiane në PE, e thënë qartë përmes McAllister, që duhet të distancoheni nga dhuna”, tha Balla.

Sali Berisha brenda vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha
Deputetja demokrate Ina Zhupa i ka bërë thirrje kolegëve socialistë që të mos bëhen mburojë e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.
Zhupa teksa iu kundërpërgjigj Ballës lidhur me molotovët e hedhur gjatë protestës së PD-së te vila e Enver Hoxhës, tha se revolta e opozitës do të vazhdojë.
“Zoti Balla mendova se to të kërkonit falje në ëmër të policisë së shtetit që morët protestuesin me flamur kombëtar, e goditët dhe pastaj hodhët edhe flamurin kombëtar. Është hera e parë që një punonjës i policisë përdhos simbolin e shtetit.
Zoti Balla dijeni që protesta është një e drejtë qytetare. Janë qytetarët që kërkojnë që qeveria t’u kthehet atyre dhe që ju të mos bëheni mburojë politike siç jeni bërë për të mbajtur imunitetin e zv.kryeministres.
Nëse doni të citoni kryetaren e Komisionit të Jashtëm të BE-së, atëherë citojeni drejtë kur thotë se testi kritik për Shqipërinë është imuniteti i Ballukut. Zbatojeni atë që t’i hapni rrugë Shqipërisë për në BE. Të gjitha dhembshuritë që keni për vilën e diktatorit, mjafton të shihni pamjet e Teatrit me njerëz brenda, si i shembnit ju”, tha Zhupa.
Deputeti i PD Tritan Shehu kërkoi që Kuvendi i Shqipërisë të dilte me një deklaratë për të shprehur qëndrimin e qartë krah SHBA-së në sulmin e koordinuar të ndërmarrë së bashku me Izraelin kundër regjimit të Iranit. Shehu foli për disa shqiptarë të bllokuar në Lindjen e Mesme ndërsa kërkoi nga qeveria angazhim të plotë për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve shqiptarë.
“Mora disa telefonata nga Gjirokastra për qytetarë të bllokuar në Lindjen e Mesme pa në kushte të rrezikshme. Do të kërkoja involvimin e plotë të qeverisë shqiptare në disa aspekte, jo vetëm në ndihmën dhe identifikimin e shqiptarëve që janë atje në mëshirë të fatit dhe askush nuk tenton t’i kontaktojë ndërsa të gjitha qeveritë e tjera evropiane janë në këmbë, kanë krijuar qendrat e emergjencës. Parlamentet e vendeve evropiane janë mbledhur sot për të gjykuar këto probleme. Këtu tek ne heshtet. Sot duhet të vinte ministrja e Jashtme të jepte përgjigje për këto çështje. Kërkoj nga të gjithë të dalim me një qëndrim ku të deklarojmë se jemi ngushtësisht në krah të SHBA-së në këtë veprim ushtarak që ka marrë kundër një regjimi gjakatar. Të marrim një pozicion të qartë krah SHBA në këtë moment të vështirë por dhe shprese për një shpëtim nga një regjim i tillë. Kërkoj që parlamenti të dënojë sulmet që Irani ka marrë ndaj vendeve përreth”, tha Shehu.
Zv.kryetarja e Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, Evis Kushi, është shprehur se prej janarit të këtij viti ka nisur indeksimi i pagave me 2.5% për të gjithë punonjësit e sektorit të arsimit.
Kushi tha gjithashtu se për kategorinë e arsimtarëve që kanë paga nga 58 mijë deri në 74 mijë lekë në muaj, është parashikuar edhe një shtesë prej 3 mijë lekësh.
“Prej një janarit ka hyrë në fuqi indeksimi i pagave me 2.5% për të gjithë punonjësit e sektorit të arsimit. Ndërsa për kategoritë që kanë paga nga 58 mijë deri në 74 mijë lekë në muaj, ne kemi parashikuar edhe një shtesë prej 3 mijë lekësh, që do të thotë se rritja e përgjithshme e pagave për këtë kategori arrin në 5.17 %. Ky është një lajm i mirë për çdo mësues dhe për çdo punonjës që jep kontribut në arsim.
Nga ky vendim përfitojnë 36 mijë e 390 punonjës të sistemit arsimor. Të dashur koleg, ky nuk është vetëm një vendim me efekt financiar, por është edhe një mesazh për të gjithë ata që edukojnë brezin e ri, se në çdo rritje pagash, do të përfitojnë edhe ata. Ne do të diskutojmë nismën ligjore që u jep zgjidhje shqetësimit të të gjithë atyre mësuesve, që janë punësuar para sistemit të Bolonjës”, tha mes të tjash Kushi.
Deputetja Ledina Alolli ka ngritur në Kuvend shqetësimin për shembjen e aksit Librazhd-Prrenjas, duke thënë se ka çuar në izolimin e jug-lindjes së vendit. Alolli tha gjithashtu se shembja e aksit ndodhi për shkak të korrupsionit dhe shkeljes së standardeve.
“Në këto momente e gjithë juglindja e vendit është e bllokuar. Banorët janë të izoluar. Është izoluar arteria kryesore e jug-lindjes. Kjo ka krijuar probleme shumë të mëdha. Ka bllokuar Korçën nga pjesa tjetër e vendit. Një situatë e paprecedentë, që ka sjellë izolimin e plotë të disa bashkive. Kjo ka sjellë problematika të mëdha në ekonominë e banorëve të qarkut Korçë. Atyre u është përmbysur normaliteti i jetës. Kjo nuk ndodhi nga natyra. Ekspertët flasin për shkelje të rënda teksnike dhe standarde të cënuara. Bizneset lokale janë përballur me kosto të rritura, ndërsa sektori i turizmit me humbje të mëdha”, tha mes të tjerash Alolli.
Deputetja e PS Milva Ekonomi dënoi sulmin e protestuesve të PD-së ndaj vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha gjatë tubimit të 28 shkurtit teksa brenda ndodheshin artistë. Ekonomi tha se përpjekjet e opozitës për të zhvendosur Shqipërinë drejt një krize politike, nuk dëmtojnë vetëm një palë, por imazhin e interesit kombëtar.
“Për Shqipërinë stabiliteti ndërkombëtar është interes i drejtpërdrejtë. Angazhimi në struktura që promovojnë paqen është një akt përgjegjësie. Në planin e brendshëm opozita organizoi protesta. Protesta nuk mund të jetë zëvendësim i debatit institucional, dhunë, zjarr, argument dhe shkatërrim dhe as alternativë. Demokracia nuk është vetëm drejta për të protestuar për dhe për të kontribuar me ide. Çdo përpjekje për të zhvendosur vendin drejt krizës politike nuk dëmton një palë apo qeveri, por dhe imazhin e interesin kombëtar. Dënojmë me forcë aktet e dhunës që arritën në një nivel të papranueshëm ndaj vilës 31. Vila 31 që nga viti 2025 është rezidencë për artistë kombëtarë. Organizatorët nuk duhet ta injorojnë këtë fakt. Shqiptarët presin stabilitet, nuk presin konflikte pa fund. Shqipëria nuk ka luksin e krizave të fabrikuara politike”, tha Milva Ekonomi.
Deputeti i Partisë Socialiste ka ngritur në Kuvend 2 shqetësime, një për një aks rrugor në Selitë, i cili sipas tij po vonohet për shkak se OST po kryen një tjetër vepër në atë zonë. Sipas Braçes, 2 kompanitë nënkontraktore të OST-së që po punonin për ndërtimin e linjës ajrore me qart të dyfishtë Tirana 2-Rrashbull dhe Unazën 110 kë të Tiranës, kanë lënë punën që në janar.
Kjo ka bërë që sipas Braçes vepra të mos përfundojë brenda fillimit të marsit siç ishte parashikuar, çka ndikon edhe te vonesa e ndërtimit të rrugës. Braçe i bëri thirrje Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës që të merrte masa për situatën në fjalë.
“Shqetësimi im ka të bëjë me një zonë të Tiranës, Njësia 5, Selita, e cila ka një aks të qartë qëndror që fillon në Unazën e madhe të Tiranës, e përshkon mes për mes dhe del në anën tjetër. Shqetësimi lidhet me një rrugë që ka 2 vite që ka nisur dhe që duhet të përfundonte. Në fakt është mirë që rruga nuk ka përfunduar dhe në këtë pikë mirë është bërë, sepse OST ka në plan të ndërtojë linjën ajrore me qark të dyfishtë Tirana 2-Rrashbull dhe Unazën 110 kë të Tiranës. Segmenti është loti 2 që ka të bëjë me linjën ajrore dhe seksionet e kabllove nëntokësore. Kontrata është lidhur dhe afati për mbarimin e kësaj linje është nga 9 dhjetori 2025 deri në 9 mars 2026. Ajo që mua më shqetëson është që 2 kompani nënkontraktore të OST kanë lënë punën që në janar. Ndërkohë që kanë ngelur edhe 7 ditë nga sot, nuk ka shans që vepra të përfundojë. Kjo ndikon edhe te mos-përfundimi i rrugës pranë Selitës. Do doja shumë që ministria përgjegjëse për Energjinë dhe Infrastrukturën të kërkonte zbatimin e kontratës me ngulm, që të mos vonohet ndërtimi i linjës dhe shtrimi i kabllove nëntokësore nga nënstacioni deri sipër në kondrën e diellit dhe punimet për rrugën. Shqetësimi është shumë i madh pasi krah rrugës është shkolla ‘Murat Toptan’. Të gjithë fëmijët e Selitës shkojnë në këtë shkollë dhe nuk e kanë gëzuar ndërtimin e kësaj shkolle sepse kalojnë në baltë”, tha Braçe.
Ndërkohë një shqetësim tjetër Braçe e kishte edhe për pensionistët, një pjesë e të cilëve sipas tij, nuk kanë arritur ta përfitojnë kompensimin e të ardhurave.
Braçe tha se mes pensistëve ka nga ata që nuk kanë përfituar pension të plotë, për fare pak ditë apo javë pune. Sipas Braçes, ministria përkatëse duhet të japë një zgjidhje për këtë situatë.
“Ka një grup pensionistësh që nuk e kanë përfituar kompensimin e të ardhurave dhe brenda këtij grupi është një grup tjetër që për fare pak ditë apo muaj pune nuk e kanë përfituar pensionin e plotë të pleqërisë. Do të doja t’i kërkoja ministrisë përkatëse që të gjejë një zgjidhje për këtë kategori pensionistësh që nuk kanë përfituar nga skema e kompensimit të të ardhurave për fare pak gjë. Do të ishte mirë që edhe kjo kategori pensionistësh të përfitonin nga vendimi i qeverisë”, vijoi më tej Braçe.
Komente









