Pas Korçës e Vlorës, duket se edhe Lezha ka menduar si 'zgjidhje' për problemin me qentë endacakë, helmimin e tyre. Pamje të rënda janë regjistruar në rrugët e qytetit e po ashtu edhe në shëtitore, ku shihen kafshët e ngordhura. Ngjarja dyshohet e qëllimshme, teksa nuk dihet kush është shkaktari i këtij krimi, ndërsa nga bashkia nuk ka patur asnjë reagim në lidhje me këtë situatë.

Prej disa kohësh qentë endacakë janë kthyer në shqetësim në qytetin e Lezhës, ku nuk kane munguar dhe rastet që kane sulmuar qytetaret, duke ju shkaktuar dhe fraktura. Megjithatë, në mungesë të një zgjidhje, me i rëndë është fakti se qentë po helmohen masivisht.

E njëjta ngjarje u regjistrua edhe në Korçë disa javë më parë, ku një numër i madh qensh u gjetën të ngordhur nëpër rrugë, si pasojë e helmimit. Ngjarja ende nuk është zbardhur dhe nuk ka një autor për helmimin e kafshëve.

E njëjta pamje e trishtë është parë edhe disa muaj më parë në qytetin e Vlorës. Ishte vullnetarja Entela Guberaj ajo që ka denoncuar rastin makabër, e cila prej 8 vitesh merrte qentë nga rruga dhe i strehonte në këtë qendër, duke i dhënë ushqim dhe i adoptonte jashtë vendit. 9 qen nga kjo qendër janë helmuar dhe për pasojë kanë ngordhur, teksa në tokë është gjetur mish i grirë me helm.