TIRANË- Elisa Spiropali nuk e pranon përjashtimin nga radhët e Partisë Socialiste. Në një konferencë të posaçme për shtyp, pasi socialistët vulosën edhe largimin e saj nga grupi parlamentar i PS, deputetja foli për vendime nul dhe legjitim të një vendimmarrje të marrë nga vetë Edi Rama. Duke e quajtur si një dekoratë, Spiropali e bëri të qartë se nuk heq dorë nga mandati i deputetes dhe se betejën do ta bëjë në Partinë Socialiste, pjesë e së cilës ishte prej 9 vitesh.

“Unë jam e para grua në 35 vjet dhe po e marr si dekoratë këtë meqë jam edhe kryetarja më e re e zgjedhur e Kuvendit të Shqipërisë. Me këto dy skaje, duke qenë edhe gruaja e parë e përjashtuar nga një parti në 2026 për arsye të qëndrimeve të mia, nuk duhet të çuditemi fare. Nuk ka asgjë për sa kohë që ata që duhet të ikin, rrinë dhe ata që duhet të rrinë, ikin”, tha Elisa Spiopali duke theksuar se nuk iu dha mundësia të dëgjohej dhe duke e krahasuar mënyrën si u mor vendimi me praktikat e mbledhjeve të mbyllura të kohës së Koçi Xoxes dhe Kadri Hazbiut.

Ligjvënësja tha se 40 deputetë nuk e ngritën dorën për përjashtimin e saj në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së dhe la të kuptohej se do të tentojë të hyjë në mbledhjen e radhës, edhe nëse aty do të ketë roje e policë.

“Do ta bëj betejën time aty sepse duhet të largohen ata që i kanë rënë Shqipërisë në qafë, ata, vendimmarrja e të cilëve ka ndikuar në jetën e njerëzve, që kanë abuzuar me pushtetin, që tregojnë arrogancë, që sot deputetët e PS kanë frikë të pinë kafe me njëri-tjetrin sa i kërkon përballjes publike. Unë s’kam mbyllur asnjë derë. Ata që duan të mbyllin derën me forcë, ndoshta do të jetë hera e parë në histori që një grua do të tentojë të hyjë në një mbledhje me roje e policë”, vijoi Elisa Spiropali.

Sfidën për Edi Ramën e ka të hapur, të cilit i kërkon ose të ndryshojë modelin e qeverisjes, ose në të kundërt të ikë.

“Është domdosdoshmëri që ai të ndryshojë mënyrën e qeverisjes, ose të ikë. Ose ta bëjë këtë punë, si burrë, si udhëheqës, si lider e të mbajë përgjegjësi ose të lëvize nga ai pozicion, të mos mbrojë të pambrojtshmit. Nuk bëhet kjo as me propagandë, as me pasqyra, as duke normalizuar abuzimin, dhunën arrogancën. Unë do luftoj në kuvend dhe në PS, dhe në çdo organizatë dhe kudo në publik për të bashkuar ata njerëz që sot ndihen të pa përfaqësuar në PS. Kjo është punë e qeverisjes së vendit dhe përgjegjësisë që ne duhet të kemi për vendin, pavarësisht raportit personal dhe vijoj ta them se unë nuk hedh poshtë, as veten time, as Ramën, as atë që kemi bërë për Shqipërinë, po i them të ngrihet në lartësinë e kohës, jo të bjerë në të tilla situata që vetëm ia bjerrin autoritetin dhe ia pamundësojnë qeverisjen. Sot menaxhohet vetëm pushtetin. Sa më shpejt ta kuptojmë që duhet të heqim dorë nga mitet dhe ti kthemi përgjegjësisë së njerëzve”, tha Spiropali.

Madje deri aty sa edhe vetë është e gatshme të garojë për drejtimin e PS.

“Sfida është kjo, meqë qenka garë popullariteti dhe le të hapet gara në PS pas 17 vitesh dhe jo vetëm unë, por shumë të tjerë të garojnë për kreun e PS. Kush është i pazëvendësueshëm?”, vijoi deputetja.

Deputetja Elisa Spiropali u pyet nga gazetarët gjatë konferencës për shtyp edhe për procedimin që SPAK ka regjistruar, siç u bë publike në disa media. Deputetja tha kjo është bërë për shantazh dhe foli për kallëzim nga njerëz anonimë. Spiropali nuk dha detaje kur u pyet nga Report Tv nëse një restorant në bllok i bashkëshortit të saj është objekt hetimi nga SPAK, por foli për Prokurorinë e Posaçme si një aset që duhet mbrojtur.

“Jo një kallëzim të ketë në SPAK, por të gjithë ata, se dihet kush janë, anonimë ose jo, të vihen në rresht e të bëjnë 100 kallëzime, se s’e kam pikën e problemit. Kur e kam nisur këtë betejë, e kam ditur mirë se çfarë vjen. Një, pesë, dhjetë kallëzime, le të bëjnë çfarë të duan. Mos e përfshini SPAK-un në këtë diskutim. Sa të duan të bëjnë kallëzime, unë nuk kam asgjë për të fshehur. Këtë betejë e kam bërë se nuk jam e shantazhueshme. Nuk më bëjnë dot mua asnjë shantazh.

Çështja që unë kam ngritur nuk ka qenë personale. Edhe çështjet administrative zgjidhen në gjykata. Unë kam folur vetëm për përdorimin e institucioneve në funksion të shtypjes së çdo lloj zëri dhe qëndrese. Më shumë mund t’i vlejë atij që merr gjobë 5 milionë. Zgjidhja ishte presioni, të merreshe me njerëzit për t’i kontrolluar, apo t’i dëgjoje, të reagoje ndaj ndjeshmërive, të uleshe e të gjeje zgjidhje me opozitën? Këtu, ata që humbin treten, ikin nga vendi se s’kanë më asnjë mundësi", tha ajo. 

Deputetët socialistë votuan të martën për përjashtimin e Spiropalit në një mbledhje me dyer të mbyllura, ku munguan si kryeministri Edi Rama, ashtu edhe vetë Spiropali. Sipas burimeve të Report Tv, të gjithë deputetët e pranishëm votuan pro largimit të saj nga grupi, ndërsa Erion Braçe dhe Bledi Çuçi abstenuan.

Me largimin e Spiropalit, grupi parlamentar i PS-së mbetet me 81 deputetë. Për të arritur shumicën e cilësuar prej 84 votash, që nevojitet për miratimin e ligjeve që kërkojnë tri të pestat, socialistët varen tashmë nga votat e të tre deputetëve të partisë së Tom Doshit.

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:08
Përjashtimi/ Spiropali: Mbledhje grupi me roje e policë, do të jetë hera e parë që një grua do të tentojë të hyjë (VIDEO)

 

Edhe pse u përjashtua nga grupi i Partisë Socialiste, Elisa Spiropali thotë se do të tentojë të hyjë me forcë në mbledhjen me "roje e policë".

“Unë s’kam mbyllur asnjë derë. Ata që duan të mbyllin derën me forcë, ndoshta do të jetë hera e parë në histori që një grua do të tentojë të hyjë në një mbledhje me roje e policë. Nëse kanë kaq frikë nga një grua, s’di ç’të them, por edhe një person që ka kontribuar kaq shumë. Kolegët e mi sot janë të turpëruar nga ai vendim pa vendim. Janë të turpëruar. Kam komunikime me të gjithë kolegët, edhe Taulantin e kam shok, çështja është te modeli. Është një akt i dhunshëm arbitrar që nuk reflekton asnjë lloj legjitimiteti, vetëm arbitraritet të pastër. Administrata e shtetit duhet të reformohet në të tërën, s’ka lidhje ajo qasje me integrimin europian. Kemi qenë këtu nga koha e gjeografia, të jemi edhe nga standardi. Nuk e kushtëzoj qëndrimin tim me votimin për ligjet e integrimit europian”, tha deputetja.

Ora 12:01
Spiropali ‘sfidë’: S'e di a më do Rama, të hapet gara pas 17 vitesh në PS, e gatshme të kandidoj për kryetare! Nuk heq dorë nga mandati i deputetes (VIDEO)

 

Hapje të garës për kreun e PS pas 17 vitesh kërkon Elisa Spiropali, duke u shprehur se është e gatshme të garojë. Ajo thotë se statuti nuk është respektuar lidhur me përjashtimin e sot. Spiropali refuzon të heqë dorë nga mandati i deputetes.

“Nuk e di a më do a s’më do Edi Rama, unë di vullnetin tim, di që më duan socialsitët sepse kam bërë beteja për ta që s’i ka bërë kush tjetër, beteja shumë të vështira. Jam e majtë, socialiste e bindur në vlerat e mia. Nëse duan të bëjnë një garë popullariteti, kam një propozim shumë të thjeshtë: të hapet gara në PS pas 17 vjetësh. Nuk kemi kryetar të përjetshëm. Statuti nuk është Bibël, as Kuran. Ata që sot e kanë hequr statutin nga faqet e PS, flasin sot për të? Statuti është rregulla të përbashkëta. U respektua lidhur me mua a të tjerë? Këta njerëz pse janë larguar nga PS kur janë të dinjitetshëm, pa asnjë arsye?

Unë jam aty, ata që kanë probleme le të ikin. Nuk heq dorë nga mandati. Kam qenë drejtuese politike në Tiranë, kam punuar të marrin vota edhe të tjerë. Nuk kam pikë problemi ta përfundoj karrierën time politike, i detyrohem gjithmonë forcës sime politike. Unë do të jem aty. Sfida është kjo, meqë qenka garë popullariteti dhe le të hapet gara në PS pas 17 vitesh dhe jo vetëm unë, por shumë të tjerë të garojnë për kreun e PS. Kush është i pazëvendësueshëm? Kjo logjikë e sulltanit, e kryetarit ka prodhuar këto problematika të rënda që të rinjtë po i tregojnë me gisht dhe po na tregojnë me gisht të gjithëve. A mundet të hapet gara në PS dhe të garohet me platforma? A ka bërë Edi Rama shumë për këtë proces? Patjetër që ka bërë!

Humbja e shpresës e forcon pushtetin dhe këtu kemi përgjegjësi të gjithë, jo vetëm Edi Rama, ka përgjegjësi edhe media, edhe opozita. Kur ti heq dorë, një vendimmarrje e caktuar kalon, ti nuk do të jesh i vetëm që nuk thua një fjalë. Pak nga pak, shikon që pak nga pak, me vite të tëra, rrëshqet”, tha Spiropali.

Ora 11:53
Restoranti i bashkëshortit objekt hetimi nga SPAK? Spiropali flet për kallëzim anonim: Nuk kam asgjë për të fshehur! Por nuk përgjigjet mbi pronësinë (VIDEO)

Deputetja Elisa Spiropali u pyet nga gazetarët gjatë konferencës për shtyp edhe për procedimin që SPAK ka regjistruar ndaj saj. Deputetja tha kjo është bërë për shantazh dhe foli për kallëzim nga njerëz anonimë.

Spiropali nuk dha detaje kur u pyet nga Report Tv nëse një restorant në bllok i bashkëshortit të saj është objekt hetimi nga SPAK. Ajo nuk e mohoi, por nuk foli as për pronësinë. 

“Jo një kallëzim të ketë në SPAK, por të gjithë ata, se dihet kush janë, anonimë ose jo, të vihen në rresht e të bëjnë 100 kallëzime, se s’e kam pikën e problemit. Kur e kam nisur këtë betejë, e kam ditur mirë se çfarë vjen. Një, pesë, dhjetë kallëzime, le të bëjnë çfarë të duan. Mos e përfshini SPAK-un në këtë diskutim. Sa të duan të bëjnë kallëzime, unë nuk kam asgjë për të fshehur. Këtë betejë e kam bërë se nuk jam e shantazhueshme. Nuk më bëjnë dot mua asnjë shantazh.

Çështja që unë kam ngritur nuk ka qenë personale. Edhe çështjet administrative zgjidhen në gjykata. Unë kam folur vetëm për përdorimin e institucioneve në funksion të shtypjes së çdo lloj zëri dhe qëndrese. Më shumë mund t’i vlejë atij që merr gjobë 5 milionë. Zgjidhja ishte presioni, të merreshe me njerëzit për t’i kontrolluar, apo t’i dëgjoje, të reagoje ndaj ndjeshmërive, të uleshe e të gjeje zgjidhje me opozitën? Këtu, ata që humbin treten, ikin nga vendi se s’kanë më asnjë mundësi.

Unë kam qenë drejtuese politike në shumë vende. Kam edhe unë përgjegjësitë e mia. Ka ikur koha kur drejtuesi politik vendoste se kush do të shkonte infermiere në bashki, se kujt do t’i jepej titulli i këshilltarit. O do të zgjedhim më shumë demokraci, o autokraci. O liri, o kontroll.

Tymnaja që është ngritur në publik për një kallëzim anonim s’ka lidhje fare. Unë jam krenare për familjen time. Këtë luftë politike e kemi marrë përsipër dhe do ta bëjmë. SPAK-u është një aset i çmuar i Shqipërisë. Patjetër që duhet mbrojtur. Patjetër që i duhen garantuar të gjitha kushtet për çdo punë që ka të bëjë me drejtësinë. SPAK-u është një institucion që duhet ruajtur nga ndikimi politik. Emri i tij s’duhet të përmendet në sulme politike nëpër portale e televizione nga media që paguhen nga interesa të errëta e të dyshimta. Paratë që ua marrin shqiptarëve i hedhin në kanale të tilla për të sulmuar kundërshtarët e rivalët politikë”, tha Spiropali.

Ora 11:50
Spiropali për Ballukun: Nuk e shoh si xhelat, por si viktimë! Duhet të mbajmë përgjegjësi, PS s’duhet ta hedhë trashëgiminë e saj në kosh (VIDEO)

 

‘Viktimë’ e quan Elisa Spiropali atë që shpesh ia cilësojnë si ‘rivale’, Belinda Ballukun. Ajo shprehet se deputetja nuk pyet për integritet pasi “pushteti absolut korrupton tërësisht”.

Spiropali kërkon përgjegjësi politike nga PS dhe çrrënjosjen e modelit, ndërsa thekson se partia s’duhet të katandiset si të tjerat.

“Bela, Lali, Bela, Elisa. Vihen përballë njëri tjetrit në këtë model njerëz, për çfarë? Këtu nuk ka lidhje me emri, madje kam keqardhje për personin në fjalë që ma vini përballë sepse mendoni që ma vini xhelat, unë mendoj që është viktimë. Që nuk pyet për integritet, nuk ka kufij për mënyrën se si e ushtron legjitimitetin. Punët publike kanë ngelur rrugëve. Unë mendoj që pushteti korrupton absolutisht, pushteti absolut korrupton tërësisht dhe nuk ka përjashtime nga kjo, në asnjë vend të botës sepse natyra njerëzore është e tillë nëse s’ka fre, ligje e institucione nëse s’ka kufi. Nuk janë kumbullat, dardhat, mollët, është bahçja që kontaminohet dhe më pas, përgjegjësia. A duhet të mbajmë përgjegjësi? Patjetër, si kaloka kjo pa përgjegjësi? Në momentin që kam bërë letrën e dytë, në momentin që filluan protestat e dhunshme. Njerëzit u ndien të shpërfillur sepse nuk mund t’i vëmë përballë pasyra, duhet të tregojmë besnikëri reale në funksion të forcimit të shtetit se kemi bërë shumë punë, nuk duhet ta hedhim gjithë trashëgiminë tonë në kosh dhe nuk duhet që PS të katandiset si të tjerat. Në këtë pikë ne duhet të çrrënjosim këtë model, t’i ofrojmë Shqipërisë diçka tjetër. Pse duhet të vuajë PS që të thirret nën armë kur s’ka qenë fare pjesë e vendimmarrjeve? Socialistët janë tërësisht të përjashtuar nga ndarja e pushtetit”, tha Spiropali.

Ora 11:39
Përjashtimi/ Spiropali: 40 vetë s’e ngritën dorën në mbledhjen e grupit, legjitimim i vendimmarrjes individuale (VIDEO)

 

Sipas mesazheve që thotë se i kanë ardhur pas mbledhjes së djeshme të grupit të PS, Elisa Spiropali shprehet se 40 vetë nuk kanë ngritur dorën për përjashtimin e saj.

“Dje në mbledhjen e grupit parlamentar 40 vetë as e kanë ngritur dorën, kishte një legjitimim të një vendimmarrjeje individuale. Evropa nuk është një akt burokratik i plotësismit të disa listave, është standard, liri, kurajë për të ndryshuar situatën tënde, por sot a ka shanse ta ndryshosh kur përqendrimi i pushtetit është kaq i madh sa njerëzit ndihen të përjashtuar? Si i kemi sot institucionet? Gëzon respekt institucioni i Kuvendit?”, tha Spiropali.

Ora 11:36
Spiropali: Betejën do ta bëj në PS, të largohen ata që kanë abuzuar me pushtetin! Socialistët, jo kthim pas (VIDEO)

 

Elisa Spiropali s’ka ndërmend ta braktisë Partinë Socialiste, as pas përjashtimit. Ajo shprehet se u qëndron parimeve të majta dhe duhet të largohen vetëm ata që kanë abuzuar me pushtetin. Ajo bën thirrje që socialistët të bëhen bashkë kundër modelit të qeverisë dhe mos të kthehen pas.

“Unë jam një socialiste e bindur, jam progresiste, e majtë, por e konsideroj veten edhe një shqiptare të mirë, patriote të këtij vendi. Nuk di që në detyrat e mia publike të kem bërë ndonjë turp, përkundrazi. Do ta bëj betejën time aty sepse duhet të largohen ata që i kanë rënë Shqipërisë në qafë, ata, vendimmarrja e të cilëve ka ndikuar në jetën e njerëzve, që kanë abuzuar me pushtetitn, që tregojnë arrogancë, që sot deputetët e PS kanë frikë të pinë kafe me njëri-tjetrin sa i kërkon përballjes publike. Nuk kam arsye të largohem nga fronit. U bëj thirrje të gjithë socialistëve, jo kthimit pas në reminishencat e 1974, por ata që besojnë që PS dhe e majta shqiptare i kanë rrënjët te Fan Noli dhe jo te Koçi Xoxe, te socializmi demokrat, progresizmi, lufta për njerëzit, çfarë lidhje kanë socialistët me këto sjellje që nuk i bëjnë nder PS? Unë kam vënë fytyrën, jetën, kohën dhe nuk pendohem, mbaj përgjegjësitë e mia. U bëj thirrje atyre që duan ndryshimin, kjo s’është çështje e një njeriu, është çështje e modelit. Ata që dalin në rrugë thonë nuk na përfaqësoni, si t’i përfaqësojmë ne? Ata vetë s’kanë guxim të shohin njëri-tjetrin në sy për vendimmarrjen”, tha Spiropali.

Ora 11:31
Përjashtimi nga PS dhe grupi parlamentar, Spiropali: Vendime nul, s’pati votime! As Kadri Hazbiu s’i bënte këto nëpër mbledhje të mbyllura pa e dëgjuar atë që akuzohej (VIDEO)

 

Elisa Spiropali i cilësoi nul vendimet për përjashtimin e saj nga forumet e PS-së dhe grupi parlamentar socialist, duke thënë se as në Asamblenë Kombëtare dhe as në mbledhjen e grupit nuk pati votim. Në konferencën për shtyp, ajo tha se mbledhja e grupit nuk kishte rend dite dhe se vendimi u mor pa e dëgjuar. “As Koçi Xoxe e Kadri Hazbiu s’i bënin këto nëpër mbledhje të mbyllura, pa u dëgjuar ai që po akuzohej”, tha Spiropali.

"As isha në atë mbledhje grupi, as kishte rend dite. Aty au bë votim, u bë legjitim i një vendimi jo legjitim i një vendimi të asamblesë kombëtare që s’kishte votim. Kaq e madhe qenka frika nga fjalët e një gruaje, lërë me veprimi. Gratë nuk janë fasadë për t’i vendosur aty kur ka fushatë dhe të duken bukur, gratë kanë dhe qëndrime. Kur nuk përputhen me qëndrimin e udhëheqjes. Unë diskutimet i bëra aty, s’ka rëndësi a jam unë flamingo e parë. Unë nuk jam, do ta kisha për nder. Por flamengot janë një shprehje  e kërkesës shoqërore për tu ngritur në një nivel tjetër, demokratizim. As Koçi Xoxe e Kadri Hazbiu si bënte këto nëpër mbledhje të mbyllura, pa u dëgjuar ai që po akuzohej. Ca është kjo që partitë duhet të jenë grusht i bashkuar për unitetin. Kam mbajtur debatin me Berishën në kuvend, se ai përfaqëson këtë model brenda partisë së tij dhe opozitës në këndvështrimin tim. Por s’mund të këtë vendimmarrje të tilla, që më shumë se legjitimitet ato shprehen arbitraritetin ekstrem të vendimmarrjes së pak njerëzve", tha Spiropali. 

Ora 11:25
Përjashtimi/ Spiropali: E mbaj si dekoratë! Kam përgjegjësitë e mia në konsolidimin e pushtetit të personalizuar (VIDEO)

 

Elisa Spiropali e quan “dekoratë” të qenët e para grua në 35 vjet që përjashtohet nga një parti politike. Ajo thotë se tanimë sistemi elektoral është moçal politik dhe nuk ka më puls për nevojën e shoqërisë për më shumë përfaqësim.

Ajo shprehet se qëndrimet publike që ka mbajtur erdhën nga një analizë e gjatë se gjërat kanë ndryshuar. Më tej, pranoi përgjegjësitë e saj për krijimin e kësaj mënyre qeverisjeje e pushteti.

“Ti përmende historinë. Unë jam e para grua në 35 vjet dhe po e marr si dekoratë këtë meqë jam edhe kryetarja më e re e zgjedhur e Kuvendit të Shqipërisë. Me këto dy skaje, duke qenë edhe gruaja e parë e përjashtuar nga një parti në 2026 për arsye të qëndrimeve të mia, nuk duhet të çuditemi fare. Nuk ka asgjë për sa kohë që ata që duhet të ikin, rrinë dhe ata që duhet të rrinë, ikin. Mendoj se do të shohim edhe shumë të tjera sepse Shqipëria ka hyrë në një fazë shumë delikate. Këtë qëndrime kam mbajtur edhe para protestave të flamingove, për t’iu përgjigjur kohës për mënyrën si vepron pushteti dhe vendimmarrja. Kam folur për nevojën për reformim të sistemit tonë elektoral që tanimë është moçal politik, është në stanjacion të plotë të përfaqësimit politik. Këtu nuk pulson më nevoja e shoqërisë për më shumë përfaqësim.

Në momentin që unë kam mbajtur qëndrime publike për t’i vënë fre pushtetit, për ta kufizuar në funksion të një Shqipërie që është e të gjithëve, në momentin që kam mbajtur qëndrime që nuk udhëhiqeshin nga një nevojë personale, di ta bëj shumë mirë brenda forcës sonë politike, na ka mësuar koha e përgjegjësitë, por ishte koha për ta kuptuar që gjërat kanë ndryshuar thellësisht. Në atë kohë shumë ngritën vetulla dhe pyetën nga erdhi kjo, ishte një analizë. E mbaj si dekoratë që jam përjashtuar. Pa diskutim që kam edhe unë përgjegjësitë e mia në konsolidimin e pushtetit të personalizuar dhe partisë së një njeriu, qeverisë dhe pushtetit të një njeriu, kjo është përtej pushtetit të Edi Ramës dhe raportit personal. Ishte ajo nevojë e brendshme për të thënë që dinjiteti njerëzor dhe guximi qytetar janë më të fortë se çdo triumfalizëm. Kur kjo mungon, s’ka shtyllë që e mban në këmbë, s’ka rëndësi sa mandate”, tha Spiropali.