TIRANË- Skena reale lufte u regjistruan këtë të diel në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, Sheshin Skënderbej, bllokun e ministrive dhe rrugicat përreth qendrës. Bombat molotovë ishin me qindra të lëshuara në drejtim të forcave të policisë, të cilat këtë 18 tetor janë gjendur nën një sulm të pandodhur kurrë më parë ndaj uniformave blu të shtetit.

Skenat janë shokuese. Blutë kishin strategji tjetër këtë ditë të gjashtë të dhunës, duke mos i lënë në asnjë moment protestuesit t’i afroheshin Kryeministrisë. Pasi kishin bërë ecejaket e përditshme nga Ministria e Arsimit, Rruga e Durrësit dhe pranë ku herë pas herë sulmonin me gurë policët dhe shpërndaheshin me gas, grupet e të maskuarve incidentin e parë të rëndë e regjistruan në Selinë e Partisë Socialiste. Godina e forcës që qeveris vendin u gjend nën një breshëri gurësh. 

Për t’u furnizuar kishin marrë masat. Një protestues me biçikletë elektrike mbrapa ka një arkë të të cilën e ka mbushur plot. Ai lëviz si ‘armatosës’ i grupeve të maskuara sa herë që i duhen gurë për të dhunuar.

Selisë rozë iu thyen xhamat te fasada kryesore, ndërkohë që brenda socialistët kishin një grup tjetër të rinjsh, të pajisur me shkopinj në duar. Konflikti mes dy grupeve nuk ndodhi pasi policia ndërhyri duke hedhur gaz lotsjellës dhe ujë me presion drejt protestuesve. 

Pas PS protestuesit ecën sërish nga blloku i ministrive, dhe për herë të parë gjatë ditës morën drejtimin për nga kryeministria rreth orës 15.30. Herët që në mëngjes ishin hequr me fadromë të gjithë gurët nga trotuarët në të dyja anët e bulevardit te zona rreth kryeministrisë. Kështu që protestuesit nisën të shkulin pllakat e gurit nga rruga kryesore ku kalojnë makinat, në zonën pranë ministrive apo edhe rreth parkut rinia.

Me ata gurë ishin nisur drejt godinës kryesore qeveritare në kryeqytet por blutë planin këtë herë e kishin ndryshe. Pamjet tregojnë se si qindra forca policie të paraprirë nga 4 autobote uji dhe të mbështetur nga disa furgonë i paraprinë me mësymjen. 

Forcat kryesore të policisë barrikadën ndaj protestuesve e vendosën pranë ministrisë së Brendshme. Nga këtu protestuesit u shpërndanë pjesa më madhe në sheshin Skënderbe, i cili për disa orë u shndërrua një tjetër fushë betejë.

Një pjesë e bluve u kapën në befasi dhe grupe të maskuarish nuk e kursyen dhunën makabre përplasje fizike trup me trup me policët, shoqërime, dhunë e paparë momenti i fishekzjarrëve në shesh si luftë.

Rreth orës 17:20 situata u bë dramatike dhe shokuese. Policë në flakë nga molotovët.

Akti më i rëndë ndaj bluve në Komisariatin nr 3 në Tiranë. Bomba molotov, lëndë piroteknike, gurë dhe sende të forta në një sulm të koordinuar kundër godinës dhe punonjësve të Policisë.

Pamjet brenda komisariatit si pas një bombardimi. Policë të shtrirë në tokë në gjendje shoku dhe të asfiksuar. Edhe bilanci i të plagosurve shokues, 10 policë përfunduan në spital. Asnjëri prej tyre nuk kishte qenë i angazhuar në protesta.

Nga sulmi shpëtuan fatmirësisht personat e shoqëruar nga protesta, të cilët ishin të shumtë brenda ambienteve të komisariatit.

Edhe vetë Ministria e Brendshme u sulmua dy herë me molotovë dhe u gjend në flakë gjatë ditës, si për të dëshmuar edhe një herë se protestuesit e dhunshëm e kishin qëllim të posaçëm rrezikimin e jetës të policëve në këtë ditë të gjashtë të protestës.

Kaq uniforma blu në flakë Tirana nuk i ka parë kurrë. Sipas raportimeve 17 prej tyre kërkuan ndihmë mjekësore, ndërsa bilanci mund të ishte edhe më i rëndë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:15
Xhama të thyer dhe shkatërrim në ambientet e brendshme, çfarë la pas sulmi me molotovë i protestuesve në Komisariatin nr.3 në Tiranë (VIDEO)

Report Tv ka siguruar të tjera pamje nga dëmet e shkaktuara në Komisariatin nr.3 në Tiranë, i cili u sulmua me gurë, sende të forta dhe bomba molotov nga protestues të maskuar.

Nga pamjet duken xhamat e thyer dhe shkatërrimet në ambientet e brendshme, një pjesë e të cilave u shkrumbuan nga flakët.

Nga sulmi në ambientet e Komisariatit nr.3 mbetën të dëmtuar disa efektivë policie, një pjesë e të cilëve u shoqëruan me auto-ambulanca drejt spitalit, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Ora 21:32
Sulmet me molotovë dhe sende të forta pranë Ministrisë së Brendshme, Policia shoqëron disa protestues (VIDEO)

Efektivët e Policisë kanë shoqëruar disa protestues pranë Ministrisë së Brendshme, pas sulmeve me molotovë dhe sende të forta që u kryen aty kundër policëve.

Nga pamjet e siguruara nga Report Tv, duket se personat e shoqëruar nga Policia janë kryesisht të rinj, të cilët dyshohet se kanë kryer akte dhune gjatë tubimit.

Ora 21:12
Protestat e dhunshme, Ministria e Shëndetësisë: 23 të lënduar, mes tyre 17 efektivë policie

1792344740_Sequence01.02502413.Still091.jpg

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se 23 të lënduar si pasojë e protestave të dhunshme në Tiranë janë paraqitur sot te Trauma.

Mes të lënduarve janë 17 efektivë policie, 1 protestues (i mitur), 1 përfaqësuese e medias dhe 4 kalimtarë.

Njoftimi i plotë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, informon se gjatë ditës së sotme në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë shërbim mjekësor 23 të lënduar:

17 efektivë policie

1 protestues (i mitur)

1 përfaqësuese e medias

4 kalimtarë

Aktualisht në urgjencën e SUT po merr trajtim 1 efektiv policie, ndërsa përfaqësuesja e medias është shtruar për ekzaminime të mëtejshme, gjendja shëndetësore është e mirë.

Nga data 13 tetor e në vijim, numri i personave të shtruar në spital dhe që vijojnë të marrin mjekim ka arritur në 14: 5 efektivë, 4 protestues, 4 kalimtarë dhe 1 përfaqësuese e medias.

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur 5 të lënduar:

2 efektiv policie

3 protestues

Aktualisht, vetëm njëri prej efektivëve vijon të marrë shërbim mjekësor në urgjencë, ndërsa personat e tjerë janë larguar pas marrjes së këshillës mjekësore.

MSHMS shpreh mirënjohjen dhe falënderimin për të gjithë mjekët, infermierët dhe ekipet shëndetësore, të cilët me profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi po ofrojnë kujdesin e nevojshëm për çdo të lënduar, ndërsa mbetet e angazhuar në misionin e saj të përhershëm për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së qytetarëve, duke garantuar kujdes shëndetësor me përkushtim, pa dallim dhe në çdo rrethanë.

Ora 20:02
Protesta, kioskat sërish në shënjestër të protestuesve! Tentojnë t'i vënë flakën njërës në qendër

1792346528_protestatkunderqeverise.jpg

Situata në qendër të Tiranës është përshkallëzuar.

Disa protestues kanë tentuar të djegin një kioskë pranë '9-katëshit'.

Edhe më herët ata kanë djegur disa kioska.

Ora 19:56
Protestuesit vijojnë me aktet e vandale, i vënë flakën koshave te '21 Dhjetori' (VIDEO)

Protestuesit kanë vijuar me aktet vandale.

Ata i kanë vënë flakën flakën koshave të mbeturinave te '21 Dhjetori'

Ora 19:41
Protestuesit marshim në 'rrugën e Kavajës', policia i ndjek nga pas (VIDEO)

Një grup protestuesish kanë nisur marshimin në 'rrugën e Kavajës'.

Ndërkohë policia po i ndjek nga pas.

Ora 19:32
Protestuesit sërish sulm ndaj policisë, breshëri fishekzjarresh e gurësh (VIDEO)

Protestuesit kanë sulmuar sërish policinë.

Ata kanë hedhur fishekzjarre e gurë drejt tyrte në qendër.

Blutë i janë përgjighur me gaz lotsjellës.

Ora 19:17
E rëndë, protestuesit dhunojnë efektivët e policisë me shkopinj! Njërin e shtrijnë në tokë dhe e rrahin (VIDEO)

Protestuesit nuk i kanë ndalur sulmet e tyre ndaj efektivëve të policisë. Pasditen e sotme gjatë kaosit të krijuar në qendër të Tiranës disa protestues të maskuar rrahën dhe shtrinë në tokë një efektiv policie.

Por ata nuk janë mjaftuar me kaq. Në një video që ka shpërndarë Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS, disa protestues të tjerë shihen që gjuajnë me shkopoinj dhe gurë efektivë të policisë.

"Studentët  janë këta? Një pjesë e të arrestuarve janë shtetas të huaj. Moralistët vazhdojnë të thonë protesta e studentëve", shkruan Balla.

 

Ora 19:14
Selia e PS sërish në shënjestër, protestuesit hedhin kapsolla (VIDEO)

Selia e PS sërish në shënjestër të protestuesve.

Pasi thyen xhamat ata kanë hedhur kapsolla

Ora 19:07
Kaos te Ministria e Infrastrukturës, dera kryesore në flakë! Protestuesit hedhin fishekzjarre dhe molotov (VIDEO)

Dera kryesore e Ministrisë së Infrastrukturës është përfshirë nga flakët, pas hedhjes së fishekzjarreve dhe molotovëve nga protestuesit.

Ora 19:04
Protesta e dhunshme, RENEA zbarkon te Kryeministria (VIDEO)

Forcat RENEA ka zbarkuar te Kryeministria ashtu si një natë më parë.

Ora 19:00
Protestuesit shpërndahen sërish nëpër kryqyetet! Një pjesë e tyre qëndrojnë te sheshi 'Skënderbej'

Protestuesit kanë nisur të shpërndahen sërish në zona të ndryshme në kryeqytet.

Një pjesë e tyre qëndrojnë te sheshi 'Skënderbej'

Ora 18:40
U sulmua me molotov nga protestuesit, Report Tv brenda komisariatit numër 3, xhamat të bëra copash (VIDEO)

Report Tv sjell pamjet nga dëmet brenda komisariatit numër 3, i cili u sulmua me molotov nga protestuesit.

Ora 18:39
'Tym e flakë', protestuesit zhvendosen sërish te Mininistria e Brendshme, vijojnë me aktet vandale (VIDEO)

Protestuesit janë mbledhur sërish te Mininistria e Brendshme.

Ata kanë vijuar me aktet vandale duke sulmuar me gurë e fishekzjarre.

Ndërkohë një pemë është përfshirë nga flakët. Policia hedh ujë me presion për shpërndarjen e tyre.

Ora 18:36
Gurë e fishekzjarrë drejt efektivëve të Policisë, protestuesit e dhunshëm zhvendosen te Pedonalja! Përplasje të forta (VIDEO)

Përplasjet e dhunshme mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë janë zhvendosur në zonën e Pedonales në Tiranë.

Disa dhjetëra protestues të dhunshëm kanë sulmuar me gurë dhe fishekzjarrë efektivët e Policisë, ndërkohë që e gjithë zona është e përfshirë nga kaosi total.

Ora 18:21
Të shtrirë në tokë, disa efektivë policie të lënduar pasi protestuesit i vendosën flakën Komisariatit nr.3 (VIDEO)

Disa  punonjës policie kanë mbetur i lënduar pasi protestuesit i vendosën flakën Komisariatit nr.3.

"Janë shumë efektivë të lënduar, nuk e dimë se sa", tha një efektivë

Nga pamjet live që Report Tv solli shihet se disa prej punonjësve shihen të shtrirë në tokë brenda institucionit.

Ata janë marrë me ambulancë për të marrë mjekim të specializuar.

Ora 18:15
Akte vandale në Tiranë, protestuesit e dhunshëm i vënë zjarrin Komisariatit nr.3! Flakët përhapen me shpejtësi në ambientet e brendshme (VIDEO)

Protestuesit e dhunshëm i kanë vendosur flakën Komisariatit nr.3 në zonën e Mine Pezës në Tiranë.

Nga pamjet e siguruara nga Report Tv, duket se zjarri është vendosur në ambientet e brendshme të Komisariatit dhe ka marrë përhapje të madhe.

Ora 17:59
Protestuesit nuk ndalin aktet e dhunës, breshëri fishekzjarrësh ndaj efektivëve (VIDEO)

Protestuesit po përplasen me policinë në qendër, pranë Bankës së Shqipërisë dhe sheshit Skëndërbej. Breshëri fishekzjarrësh janë lëshuar në drejtim të efektivëve.

Ora 17:47
Kishte ardhur në Tiranë për një problem familjar, pamjet kur protestuesit dhunojnë qytetarin nga Korça! Lëndohet edhe një polic (VIDEO)

Një qytetar, i ardhur nga Korça në Tiranë, është dhunuar nga disa protestues në sheshin Skënderbej në Tiranë. I gjakosur, i shtrirë në tokë, qytetarit i kanë ardhur në ndihmë punonjësit e Policisë që ndodheshin në terren për të ruajtur rendin. Po ashtu, atij i ka ardhur në ndihmë edhe Elona Lalaj, drejtuesja e Policisë Bashkiake në Tiranë.

‘Shyqyr që dole gjallë’- dëgjohet t’i thotë qytetarit një prej efektivëve të Policisë.

Por i lënduar nga sulmet e protestuesve ka mbetur edhe një efektivë policie, i cili pavarësisht se është i gjakosur në fytyrë, i vjen në ndihmë qytetarit të dhunuar.

Ndërkohë kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka publikuar pamjet kur qytetari dhunohet nga protestuesit dhe ka shkruar se ai gjendej për një hall familjar në Tiranë dhe sipas tij, Policia ka ndërhyrë në kohë për ta shpëtuar.

“Policia e Shtetit ka ndërhyrë në kohë për të shpëtuar nga dhuna e protestuesve një qytetar nga Korça, i cili gjendej në Tiranë për një hall familjar”, ka shkruar Balla krahas pamjeve në rrjetet sociale.

Ora 17:31
Përplasjet zhvendosen te sheshi 'Skënderbej'! Protestuesit sulmojnë me gurë policinë, efektivët ndërhyjnë me ujë me presion (VIDEO)

Sheshi Skënderbej është kthyer në arenën e përplasjeve mes protestuesve dhe policisë në ditën e gjashtë të protestës në Tiranë. Protestuesit kanë vijuar sulmet me gurë ndaj efektivëve, ndërsa uniformat blu janë kundërpërgjigjur me ujë me presion për të shpërndarë turmën.

Në këtë orë, kur në ditët e mëparshme përplasjet zhvilloheshin përpara Kryeministrisë, këtë herë ato janë zhvendosur në Sheshin Skënderbej. Ndërhyrjet e vazhdueshme të policisë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, si dhe zhvendosja e forcave të rendit më poshtë në bulevard, kanë penguar rigrumbullimin e protestuesve te Kryeministria, duke e zhvendosur përballjen në qendër të kryeqytetit.

Ora 17:29
Me këmishë, kollare dhe kapele sportive, aktivisti Sazan Guri shfaqet në protestën e dhunshme në Tiranë

1792337416_ztrujdtyo.JPG

Aktivisti Sazan Guri është filmuar ditën e sotme në protestën e dhunshme në Tiranë, e cila po vijon për të gjashtën ditë me radhë.

Sazan Guri ka qenë i veshur me këmishë, kollare dhe mbante në dorë një kapele sportive.

Ora 17:16
Zjarr dhe gurë 'beteja' te Ministria e Brendshme, hidhet ujë dhe gaz lotsjellës (VIDEO)

Policia ka hedhur ujë dhe gaz lotsjellës pas përshkallëzimit të tensioneve te Ministria e Brendshme.

Protestuesit hodhën molotovë dhe gurë në drejtim të policisë.

Ora 17:10
Përshkallëzohet situata në Tiranë, disa të shoqëruar (VIDEO)

Policia ka shoqëruar disa protestues pas përshkallëzimit të tensioneve te Ministria e Brendshme.

Ora 17:07
Tirana në kaos, protestuesit e dhunshëm ‘zbrazin’ sasi të mëdha molotovi pranë Ministrisë së Brendshme (VIDEO)

Protestuesit e dhunshëm kanë hedhur sasi të mëdha molotovi pranë Ministrisë së Brendshme në Tiranë.

Protestuesit përshkallëzuan dhunën pasi efektivët e Policisë nisën shoqërimin e disa personave në atë zonë.

Ora 17:05
Tensione te Ministria e Brendshme, protestuesit përplasen me policinë: Nuk jemi në luftë civile (VIDEO)

Protestuesit përplasen me policinë pas hedhjes së fishekzjarreve te Ministria e Brendshme.

“Nuk jemi në luftë civile”, tha një protestuese.

Ora 16:36
Protestuesit i vënë flakën dhe përmbysin koshat e mbeturinave te ‘Asim Vokshi’, efektivët e Policisë lirojnë rrugën

1792334233_fxykvhupo.JPG

Në rrugën Asim Vokshi në Tiranë, protestuesit e dhunshëm u kanë vënë flakën dhe kanë përmbysur koshat e mbeturinave.

Ndërkohë efektivët e Policisë në atë zonë po punojnë për lirimin e rrugës nga sendet e forta të hedhura nga protestuesit në këtë aks.

Ora 16:36
Protestuesit vijojnë marshimin në rrugicat e lagjes në Tiranë! Policia i ndjek nga pas

1792334540_protestatkunderqeverise.jpg

Protestuesit kanë vijuar me marshimin e tyre në kryeqytet.

Një pjesë e tyre është duke lëvizur në një rrugë lagjeje në 'Mine Peza'.

Ndërkohë policia i ndjek nga pas.

Ora 16:27
Protesta e dhunshme në Tiranë, një grua në bulevardin ‘Zogu i Parë’ ndihet keq! Disa persona i vijnë në ndihmë

1792333717_dytiygp.JPG

Një grua, e pranishme në protestën e dhunshme që po zhvillohet prej 6 ditësh në Tiranë, nuk është ndjerë mirë teksa ndodhej në bulevardin ‘Zogu i Parë’.

Disa persona të pranishëm në tubim, i kanë ardhur në ndihmë gruas dhe e kanë shoqëruar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Ora 16:22
VIDEOLAJM/ Ja si furnizohen me gurë protestuesit! I maskuari i transporton me biçikletë elektrike në një arkë të kuqe, të tjerët mbushin duart dhe sulmojnë selinë e PS

Pamjet e siguruara nga Report Tv tregojnë mënyrën se si protestuesit janë furnizuar me gurë gjatë sulmit ndaj selisë së Partisë Socialiste.

Në video shihet një protestues i maskuar dhe me një biçikletë elektrike, i cili transporton një arkë të kuqe të vendosur në pjesën e pasme të saj. Nga kjo arkë, protestuesit marrin gurët që më pas i hedhin në drejtim të selisë së PS-së.

Ora 16:19
Protestuesit shpërndahen në rrugët e Tiranës, pas hedhjes së gazit lotsjellës dhe ujit (VIDEO)

Pas hedhjes së gazit lotsjellës dhe ujit protestuesit janë shpërndarë në rrugët e Tiranës.

Një pjesë e tyre ka shkuar drejt 'Zogut I'.

Ora 16:19
Protestat/3 të lënduar në Spitalin e Traumës, mes tyre një 15-vjeçar dhe një gazetare! Ministria e Shëndetësisë përgënjeshtron lajmin për vdekjen e një të mituri

Tre persona kanë mbërritur në Spitalin Universitar të Traumës si pasojë e protestave të sotme në Tiranë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, deri në orën 16:00 të kësaj të diele, më 18 tetor, në spital janë paraqitur një efektiv policie, një i mitur 15 vjeç dhe një përfaqësuese e medias. Gjendja e të treve është e qëndrueshme dhe ata po kryejnë ekzaminimet e nevojshme, ndërsa po marrin trajtim mjekësor.

Ministria ka përgënjeshtruar kategorikisht edhe lajmin që po qarkullon për humbjen e jetës së një të mituri, duke theksuar se informacioni është i pavërtetë. Ajo u bën thirrje mediave dhe qytetarëve të verifikojnë informacionet përpara se t'i shpërndajnë, për të shmangur panikun, shqetësimin e familjarëve dhe tensionet e panevojshme.

Ora 16:14
Protesta e dhunshme në Tiranë, një vajzë ndihet keq dhe humb ndjenjat! Disa persona i vijnë në ndihmë (VIDEO)

Në zonën pranë Sheshit Skënderbej, një vajzë është ndjerë keq dhe ka rënë pa ndjenja gjatë protestës.

Disa persona, të pranishëm në protestë i kanë ardhur menjëherë në ndihmë. Ende nuk dihet nëse gjendja e saj është përkeqësuar për shkak të gazit lotsjellës, apo për arsye të tjera.

Ora 16:11
Kaos në 'zemër' të Tiranës, protestuesit sulmojnë me fishekzjarre policinë (VIDEO)

Protestuesit kanë sulmuar me fishekzjarre policinë në qendër të Tiranës.

Ora 15:59
Vijojnë aktet e dhunshme, protestuesit djegin koshat e mbeturinave në zonën e 'Myslym Shyrit' (VIDEO)

 

Protestuesit kanë vijuar sërish me djegien e koshave.

Në zonën e Myslym Shyrit kanë djegur 4 kosha mbeturinash në mes të rrugës.

Ora 15:53
Policia zpraps protestuesit nga Kryeministria me gaz lotsjellës dhe ujë (VIDEO)

Policia ka zprapsur protestuesit nga Kryeministria pas ndërhyrjes me gaz lotsjellës dhe ujë.

Ora 15:52
Vijojnë sulmet me gurë ndaj policisë në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit'! Protestuesit shkulin pllakat e trotuareve dhe i hedhin drejt efektivëve

Sulmet ndaj policisë po vijojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku protestuesit janë vendosur në vijën e parë, përballë forcave të rendit. Në këmbët e tyre janë grumbulluar mijëra gurë dhe copa pllakash të shkulura nga trotuaret, të cilat po i hedhin drejt efektivëve të policisë, herë një nga një e herë në grup.

Ora 15:50
Sulmet me gurë e sende të forta, Policia nis shoqërimin e protestuesve në bulevardin Dëshmorët e Kombit (VIDEO)

Pas sulmeve me gurë dhe sende të forta të protestuesve të maskuar kundër efektivëve, Policia ka nisur shoqërimin e disa personave në bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë.

Nga pamjet e siguruara nga Report Tv duket një grup efektivësh teksa shoqërojnë një prej protestuesve, ndërkohë që situata në bulevard vijon të mbëtet e tensionuar.

Ora 15:46
Protestuesit nisin sulmet me gurë te Bulevardi, dëmtojnë xhamin e makinës së policisë! Hidhet gaz lotsjellës dhe ujë (VIDEO)

Protestuesit kanë nisur sulmet me gurë te Bulevardi ku kanë dëmtuar edhe xhamin e një makine policie.

Hidhet gaz lotsjellës dhe ujë për shpërndarjen e tyre.

Ora 15:34
Protestuesi i maskuar gjuan me llastiqe te 'Bulevardi Dëshmorët e Kombit': Të ruajt Zoti (VIDEO)

Protestuesi i maskuar gjuan me llastiqe te 'Bulevardi Dëshmorët e Kombit'.

Ndërsa shikon para kamerës, protestuesi i thotë gazetares 'Të ruajt Zoti'.

Protestuesit hoqën pllakat e trotuarit dhe i shpërndanë.

Ora 15:22
Protestuesit e maskuar para kryeministrisë, heqin pllakat e trotuarit dhe i shpërndajnë për sulm (VIDEO)

Protestuesit kanë lëvizur drejt Kryeministrisë.

Ata kanë hequr pllakat e trotuarit dhe më pas i kanë shpërndarë për sulm.

Ora 15:10
U sulmua nga protestuesit, policia kordon sigurie te selia e PS (VIDEO)

 

Policia ka krijuar një kordon te selia e Partisë Socialiste duke mos i lejuar protestuesit të përparojnë.

Ora 15:05
Protesta e dhunshme, një fëmijë i mitur në mesin e 'betejës'! Efektivi e ndihmon të largohet (VIDEO)

 

Ndërsa disa protestues sulmuan me gurë selinë e PS, aty pranë turmës u gjend edhe një i mitur.

Nuk dihet nëse ishte aty familjarë apo kalimtar.

Ndërkohë për mos t'u trembur një efektiv policie i ka ardhur në ndihmë që të largohet.

Ora 14:49
Protestat e dhunshme, protestuesit sulmojnë me gurë selinë e PS: Hajdeni çuna! Ndërhyn policia (VIDEO)

Protestuesit kanë sulmuar me gurë selinë e Partisë Socialiste, duke thyer xhamin e derës kryesore.

"Merrni gura çuna, hajdeni", dëgjohen të thonë ata.

Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe ujë për shpërndarjen e tyre.

Ora 14:41
Protestuesit marshojnë nëpër Tiranë, djegin kosha mbeturinash e tentojnë të shkatërrojnë kioska (VIDEO)

Protestuesit kanë nisur një marshim nëpër rrugët e Tiranës pasi janë larguar nga Ministria e Arsimit. Në “Rrugën e Barrikadave” kanë djegur disa kosha mbeturinash.

Disa protestues të maskuar po përpiqen të shkatërrojnë një kioskë, qepenat e së cilës janë të mbyllur, duke e goditur me shkelm.

Ora 14:41
'Pse t’u gjuajmë tulla policëve? S’kanë faj', apeli i qytetarit mes protestuesve: Të mos biem pre e politikës së keqe!

 

Një protestues ka bërë thirrje që qytetarët të mos përplasen me efektivët e policisë, gjatë ditës së gjashtë të protestave antiqeveritare në Tiranë. Përmes mikrofonit të mediavve, ai u kërkoi të gjithë protestuesve të mos përdorin dhunë ndaj policëve dhe këtyre të fundit të frenojnë nga kundërpërgjigja duke theksuar se ata nuk janë përgjegjës për situatën por politika që ka sunduar në këtë vend për mbi 35 vjet. 

“Kam një mesazh për popullin dhe Policinë e Shtetit. Të mos biem pre e politikës së keqe, që po na shkatërron prej 46 vjetësh. Pse të mytemi me policinë kot? Pse t’u gjuajmë tulla? S’kanë faj. Politikanët po tallin menderen me ata dhe me ne”, u shpreh protestuesi.

Ora 13:54
Sulmet me gurë, shoqërohen disa protestues! Policia i shpërndan me ujë e gaz (VIDEO)

Për disa momente, protesta pësoi një tension gjatë të cilit policia ka shoqëruar disa protestues.

Deri tani, policia ka ndërhyrë me ujë e gaz dhe i ka zhvendosur protestuesit nga “Rruga e Durrësit” në kryqëzimin me sheshin “Skënderbej.” Protestuesit janë shpërndarë në disa drejtime, ndërsa policia është tërhequr.

Ora 13:49
Protestuesit sulmojnë me gurë e vënë zjarre, policia reagon me gaz lotsjellës

 

Një tjetër përplasje mes protestuesve që gjuajnë me gurë dhe policisë, e cila është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës. Protestuesit kanë nisur të vënë edhe zjarre nëpër rrugë dhe të hedhin kapsollë.

Në terren ndodhen 2 makina ujëhedhëse.

Ora 13:37
Protesta te Ministria e Arsimit, gazetarja goditet me gur, protestuesit i hapin rrugën ambulancës

 

Protestuesit e pozicionuar para Ministrisë së Arsimit i kanë hapur rrugën një ambulance pasi gazetarja Elira Kadriu raportohet të jetë lënduar pasi është goditur me gur në pjesën e legenit. Megjithatë, nuk munguan as thirrjet “hape bagazhin.”

Ora 13:36
Protestuesi valëvit flamurin kuqezi, disa vajza ia marrin valles

Një protestues para Ministrisë së Arsimit është shfaqur duke valëvitur flamurin kuqezi. Aty pranë, disa protestuese hedhin valle para policisë, e cila qëndron në gatishmëri.

Ora 13:33
Protesta te Ministria e Arsimit, protestuesit të acaruar me policinë: Keni fëmijë ju? Na vratë ore!

 

Disa protestues kanë shkëmbyer disa fjalë të ashpra me një nga policët brenda autobotit të ujit te Ministria e Arsimit.

-Keni fëmijë ju ore?

-Na vratë ore!

-Jeni shqiptarë a ça jeni? Çfarë janë këta?

Ora 13:13
Nisin përgatitjet për përplasje pranë Ministrisë së Arsimit! Protestuesit shkulin pllakat e trotuareve për t'i përdorur kundër policisë

 

Protestuesit e mbledhur pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë kanë nisur të shkulin pllakat e trotuareve, ndërsa protesta antiqeveritare hyn në ditën e gjashtë.

Është ora 13:20 dhe siç shihet edhe nga pamjet që vijnë nga terreni, disa prej tyre po i grumbullojnë pllakat e shkulura, duke i bërë gati për t'i përdorur kundër forcave të policisë.

Kjo ndodh ende pa nisur përplasjet, ndërsa gjatë pesë ditëve të mëparshme gurët dhe pllakat e trotuareve janë përdorur nga protestuesit për të goditur efektivët e rendit.

Ora 13:06
Protestat e dhunshme hyjnë në ditën e gjashtë, mes turmës pranë Ministrisë së Arsimit shfaqet Luiz Ejlli

 

Ndërsa pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë po mblidhen qytetarë të shumtë për ditën e gjashtë të protestave antiqeveritare, mes turmës është shfaqur edhe Luiz Ejlli, fituesi i Big Brother VIP Albania. Prania e tij vjen në një kohë kur protestuesit po grumbullohen për të vijuar protestat, të cilat gjatë pesë ditëve të fundit janë shoqëruar me përplasje të dhunshme.

"Mesazhin ia kanë dhënë për 135 ditë, po ia japi edhe këtë ditë të 6të, ca mesazhi tjetër duhet?" dëgjohet të thotë ai