Ndaj mjekëve të Spitalit të Durrësit ka nisur hetimi administrativ për mënyrën e trajtimit të një 52-vjeçari, i njohur si përdorues i lëndëve te forta narkotike.
Bëhet fjalë për Artan Andonin, i cili fillimisht iu nënshtrua një operacioni për vendosjen e protezës vaskulare në QSUT dhe më pas u transferua në Spitalin Rajonal të Durrësit për vijimin e trajtimit.
Pas përfundimit të kurës pacientit iu përgatit dokumentacioni për daljen nga spitali. Sipas spitalit të Durrësit, askush nuk u paraqit për ta marrë. Autoritetet spitalore njoftuan vëllanë e tij dhe shërbimin social, ndërsa më pas ai u transportua me autoambulancë në Portin e Peshkimit, ku, sipas spitalit, pritej të merrej nga familjarët, pasi kishte punuar më parë në atë zonë. Megjithatë, askush nuk u paraqit për ta marrë dhe gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua. Peshkatarët njoftuan shërbimin e urgjencës, ndërsa autoambulanca e riktheu pacientin në Spitalin Rajonal të Durrësit
52-vjeçari u gjet tek porti i peshkimit, në gjendje të rënduar dhe u rikthye në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje tjetër kirurgjikale në këmbë.
"Gjendja e pacientit është shumë e mirë pas interventit që ka bërë sot, nga ora 14:00 deri rreth orës 16:00. Pavarësisht llojit të operacionit, ka pasur një ecuri shumë të mirë pas operacionit. Pacienti është zgjuar dhe ndodhet në repartin e terapisë intensive",- thotë mjeku.
Mjeku sqaroi se pacienti iu nënshtrua një ndërhyrjeje për rivendosjen e qarkullimit të gjakut në gjymtyrën e majtë, ndërsa vendimi për trajtimin u mor në bashkëpunim me QSUT-në.
"Pacienti është operuar fillimisht në QSUT. Më pas është dërguar për kontroll për të përcaktuar taktikën e mëtejshme. Sipas këshillës së tyre është operuar në spitalin tonë. Nuk është një ndërhyrje e lehtë dhe nuk kryhet në çdo spital, por operacioni u realizua me sukses nga një ekip me mbi 30 vite përvojë'',- thotë mjeku.
Ministria e Shëndetësisë po verifikon nëse pacienti është nxjerrë nga spitali në përputhje me procedurat ligjore dhe përpos mjekëve po heton dhe inspektorët e shërbimit social.
52-vjeçari njihet në Durrës si endacak dhe prej vitesh përdorues i lëndëve narkotike, si heroinë e kokainë. Gjithashtu është bartës i virusit HIV, por jo i sëmurë me SIDA.
Aktualisht pacienti ndodhet në Spitalin e Durrësit ne gjendje të stabilizuar dhe pritet të gjendet një zgjidhje për strehimin e tij.
.jpeg)
Komente









