Kryeministri Edi Rama prezantoi sot paketën e re ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane, një ditë pas protestës së së shtunës në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje të dhunshme, sulme me molotovë ndaj institucioneve dhe dëmtime të pronës publike e private.

Paketa përfshin gjoba deri në 500 mijë lekë për personat që vazhdojnë të qëndrojnë në turma ku ushtrohet dhunë, megjithëse janë në dijeni të saj dhe nuk largohen pas paralajmërimeve të policisë. Po ashtu, parashikohet dëmshpërblimi i bizneseve të dëmtuara, krijimi i një regjistri elektronik për persona të referuar ose nën hetim për vepra kundër rendit dhe sigurisë publike, si dhe ndryshime në Kodin Penal.

Në fjalën e tij, Rama akuzoi Partinë Demokratike se ishte vënë në krye të dhunës së ushtruar gjatë protestës. Ai pretendoi se selia e PD-së ishte përdorur si strehë dhe pikë furnizimi me lëndë plasëse për protestuesit e dhunshëm.

“Pas një tjetër vale dhune mbrëmë në qendër të Tiranës, ku Partia Demokratike doli nga prapavija, mu në ballë të ushtrimit të dhunës urbane dhe godina e saj u kthye në strehim politik e në pikë furnizimi me lëndë plasëse të dhunuesve të mbledhur mbrëmë nga të katër anët dhe të gjitha burimet e kësaj flame antidemokratike. Jini të sigurt, se edhe këtë flamë fatkeqësie jonatyrore, do ta shuajmë me patjetër”, deklaroi Rama.

Kryeministri pretendoi gjithashtu se mes pjesëmarrësve në protestë kishte persona me bluza të bardha dhe maska, të ardhur nga Spanja si mercenarë të paguar për të ushtruar dhunë në Shqipëri.

Dëmshpërblim deri në 100% për bizneset e dëmtuara

Një nga masat e para të prezantuara nga Rama është dëmshpërblimi i bizneseve që kanë pësuar dëme nga thyerjet, grabitjet dhe zjarret gjatë protestave.

Përmes një akti normativ, shteti do të mbulojë 100% të dëmeve materiale për bizneset më të vogla dhe të paktën 70% për ato më të mëdha, sipas kritereve të përcaktuara. Masa do të zbatohet për bizneset me xhiro vjetore deri në 140 mijë euro.

“Ky akt vjen si mbështetje e menjëhershme financiare për ata që u dëmtuan nga thyerjet, grabitjet, zjarri. Me këtë akt shteti do të mbulojë nga 100% të dëmeve materiale për më të vegjëlit deri te minimumi 70% për më të mëdhenjtë - në bazë kriteresh të mirëpërcaktuara dhe gjithnjë brenda fashës së bizneseve me xhiron vjetore deri në 140 mijë euro”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, bizneset që kanë dorëzuar aplikimet dhe dokumentacionin e dëmeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve nuk do të duhet të presin përfundimin e proceseve gjyqësore për të marrë dëmshpërblimin.

Nga ana tjetër, personat që kanë shkaktuar dëmet dhe për të cilët gjykata ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin do të paguajnë pjesën që u takon. Për dëmet e shkaktuara nga të miturit, përgjegjësia financiare do t'u kalojë prindërve.

Ligji “Kush thyen, paguan”, gjoba deri në 500 mijë lekë

Një tjetër propozim është ligji i ri për riparimin e dëmeve të shkaktuara gjatë tubimeve, i hartuar sipas modelit francez dhe parimit “Kush thyen, paguan”.

Rama tha se qëllimi është që dëmet e shkaktuara nga dhuna të mos mbulohen vetëm nga taksapaguesit dhe buxheti i shtetit, por edhe nga personat përgjegjës.

“Ligji i ri që kemi hartuar për ‘riparimin e dëmeve të shkaktuara nga aktet e dhunës dhe dëmtimi i pronës gjatë tubimeve’ krijon themelin e qëndrueshëm për të ardhmen, mbi parimin e thjeshtë, ‘kush shkakton dëm, e paguan’, ku barra nuk bie më ekskluzivisht mbi taksapaguesit dhe buxhetin e shtetit si deri më sot”, deklaroi kryeministri.

Sipas propozimit, me gjobë deri në 500 mijë lekë do të ndëshkohen edhe personat që vazhdojnë të qëndrojnë në një turmë ku ushtrohet dhunë, duke qenë në dijeni të saj dhe pa u larguar pas paralajmërimeve të policisë.

Nga kjo masë përjashtohen gazetarët, mjekët, vëzhguesit, nëpunësit në detyrë dhe kalimtarët e rastësishëm.

Për të miturit mbi 14 vjeç që marrin pjesë në protesta të dhunshme, gjobën do ta paguajnë prindërit ose kujdestarët.

Rama theksoi se ligji do të zbatohet për të gjitha tubimet në vende publike, përfshirë grumbullimet sportive, kulturore dhe festive ku shkaktohen dëme materiale.

Policia mund të kufizojë protestat deri në 72 orë pranë institucioneve

Paketa parashikon edhe ndryshime në ligjin “Për tubimet”.

Sipas propozimit, kur ekziston një rrezik real dhe i afërt për dhunë, policia do të ketë mundësi të kufizojë përkohësisht tubimet deri në 72 orë në perimetra të caktuar pranë institucioneve shtetërore, shkollave, spitaleve, objekteve të kultit dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu masa për thirrjet për dhunë në rrjetet sociale. Nëse policia identifikon një postim që nxit dhunë gjatë një tubimi, do t'i kërkojë mbajtësit të llogarisë ta fshijë menjëherë dhe të mos e përsërisë veprimin.

Nëse postimi nuk fshihet ose sjellja përsëritet, policia do të veprojë sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë mundësinë e ndjekjes penale.

Pjesëmarrja në një tubim pa leje dhe mosbindja ndaj thirrjeve për largim propozohet të gjobiten nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë për çdo pjesëmarrës.

Ndërsa mosbindja ndaj urdhrit për shpërndarje dhe fshehja e identitetit parashikohet të ndëshkohen me gjoba deri në 500 mijë lekë. Për bllokimin e qarkullimit rrugor propozohet gjobë prej 5 mijë lekësh për çdo pjesëmarrës.

Regjistër elektronik për personat e referuar ose nën hetim

Rama njoftoi gjithashtu krijimin e një Regjistri të Posaçëm Elektronik për personat e referuar ose nën hetim për vepra penale kundër shtetit, rendit dhe sigurisë publike.

Regjistri do të administrohet nga Policia e Shtetit dhe do të përmbajë të dhënat e identifikimit të këtyre personave.

Sipas kryeministrit, Policia Kufitare do të përdorë kompetencat që i jep ligji për t'u refuzuar daljen nga Shqipëria personave që synojnë t'i shmangen ndjekjes penale, ndalimit, arrestimit ose ekzekutimit të dënimit me burg.

Propozimi parashikon gjithashtu njoftimin e autoriteteve të huaja, strukturave të akomodimit dhe kompanive të transportit ajror, detar apo hekurudhor për rrezikshmërinë që këta persona mund të paraqesin për rendin dhe sigurinë publike.

“Të jetë i bindur çdo dhunues, qoftë me banim në Tiranë dhe qoftë si ata me bluza të bardha e me maska që kishin ardhur dje nga Spanja, si mercenarë të paguar për të ushtruar dhunë dhe që tregonin muskujt në rrugën e Ministrisë së Arsimit se kush do të dhunojë në Shqipëri do të gjejë belanë për të rihyrë apo për të qëndruar i qetë në Europë, pa mbaruar njëherë punë me drejtësinë këtu në Tiranë”, deklaroi Rama.

Masa ndaj mësuesve që përfshijnë nxënësit në protesta

Një tjetër ndryshim i propozuar lidhet me Kodin e Etikës për mësuesit e arsimit parauniversitar.

Sipas Ramës, mësuesit që përdorin autoritetin e tyre për të nxitur, organizuar ose koordinuar pjesëmarrjen e nxënësve nën 18 vjeç në tubime, në kundërshtim me interesin e fëmijëve, do të pezullohen ose largohen nga detyra.

Kryeministri sqaroi se kjo masë nuk prek të drejtën e mësuesve për të protestuar vetë, por synon të ndalojë përdorimin e marrëdhënies mësues–nxënës për përfshirjen e të miturve në tubime.

Ndryshimet në Kodin Penal, burg për maskat gjatë dhunës dhe ndëshkime për thirrjet online

Paketa përfshin edhe një sërë ndryshimesh në Kodin Penal.

Mbajtja e maskës gjatë një tubimi ku ka dhunë ose rrezik konkret dhune propozohet të ndëshkohet me gjobë ose deri në gjashtë muaj burg.

Nga kjo masë përjashtohen personat që mbulojnë fytyrën për arsye shëndetësore, fetare ose profesionale, si edhe ata që e zbulojnë fytyrën pas urdhrit të policisë.

Personat që kapen me armë ose sende të tjera të rrezikshme gjatë tubimeve do të përballen me dënime deri në dy vjet burg.

Ndryshimet parashikojnë edhe dënime më të rënda për shkatërrimin e pronës gjatë protestave. Kur dëmet shkaktohen ndaj shkollave, institucioneve, shërbimeve publike ose monumenteve të kulturës, dënimi mund të rritet deri në dyfish.

Ndërsa për goditjen e policëve ose qytetarëve nga persona me fytyrë të fshehur, dënimi propozohet të rritet deri në një të tretën.

Një vepër e re penale do të jetë edhe nxitja publike e dhunës, plaçkitjes ose shkatërrimit gjatë një tubimi, përfshirë thirrjet në rrjetet sociale, kur ato krijojnë rrezik real dhe të afërt.

Kanosja në internet, videot e falsifikuara dhe mbrojtja e zyrtarëve

Ndryshimet e propozuara në Kodin Penal përfshijnë edhe masa të reja për kanosjen dhe përndjekjen, si në hapësirat publike, ashtu edhe në internet.

Propozimet përfshijnë ndëshkimin e mesazheve kërcënuese të vazhdueshme, monitorimin e vendndodhjes së një personi dhe publikimin e adresës apo të dhënave personale për ta ekspozuar atë ose familjarët e tij ndaj sulmeve.

Gjithashtu, shpërndarja pa pëlqim e videove, fotografive ose regjistrimeve zanore të falsifikuara me inteligjencë artificiale propozohet të bëhet vepër penale kur përmbajtja mashtron publikun dhe i shkakton dëm personit.

Paketa parashikon edhe dënime më të ashpra për kërcënimet ndaj deputetëve, funksionarëve publikë, personave publikë dhe familjarëve të tyre, përfshirë kërcënimet në internet.

Do të ndëshkohen gjithashtu personat që kërcënojnë, dhunojnë ose shantazhojnë një deputet për ta detyruar të votojë në një mënyrë të caktuar, apo një funksionar për të marrë ose për të mos marrë një vendim.

Deri në 10 vite burg kur neglizhenca ndaj fëmijës sjell humbjen e jetës

Ndryshimet në Kodin Penal përfshijnë edhe përgjegjësinë e prindërve, kujdestarëve, mësuesve dhe edukatorëve që lënë pa mbikëqyrje fëmijët nën 14 vjeç, duke i ekspozuar ndaj një rreziku real për jetën ose shëndetin.

Dënimi do të përcaktohet në varësi të pasojave dhe mund të arrijë deri në 10 vite burg kur fëmija humb jetën.

Sipas propozimit, gjykata do të ketë mundësi ta zbusë dënimin në rastet kur prindi ka humbur fëmijën e tij.

Rama: Protesta paqësore nuk ndëshkohet

Kryeministri këmbënguli se paketa ligjore nuk synon kufizimin e protestave paqësore apo të lirisë së shprehjes.

Sipas tij, masat janë hartuar duke marrë parasysh Kushtetutën, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe praktikat e vendeve europiane.

“Çdo masë e propozuar është përputhur me nenin 47 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, nenin 11 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut, Udhëzimet e Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it për lirinë e tubimit paqësor”, deklaroi Rama.

Ai tha se kritikat politike, protestat paqësore, peticionet, satira dhe gazetaria përjashtohen nga ndëshkimet e propozuara.

Kryeministri u shpreh gjithashtu i gatshëm të takohet me qytetarët që kundërshtojnë qeverinë dhe kërkojnë largimin e tij, por theksoi se dhuna nuk mund të përdoret për t'i imponuar dorëheqjen.

Rama paralajmëron masa për familjet dhe studentët në buxhetin 2027

Përveç paketës ligjore kundër dhunës, Rama njoftoi se projektbuxheti i vitit 2027 do të prezantohet në ditët e para të javës.

Sipas tij, buxheti do të përmbajë masa të reja për familjet, shërbimet ndaj qytetarëve, të rinjtë dhe studentët.

Kryeministri foli për nevojën e një shpërndarjeje më të drejtë të të ardhurave nga rritja ekonomike dhe për më shumë garanci në vlerësimin e meritës në punë, por nuk dha ende detaje për masat konkrete.

Rama deklaroi se do t'i bëjë publike vendimet pasi projektbuxheti të kalojë në qeveri.

Kliko këtu për të lexuar fjalën e plotë të Kryeministrit

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:56
'Deri në 10 vite burg kur fëmija humb jetën', Rama prezanton masat e reja për prindërit, kujdestarët dhe mësuesit

1792922687_edirama.PNG

Deri në 10 vite burg parashikon paketa e ndryshimeve në Kodin Penal e propozuar nga kryeministri Edi Rama, në rastet kur lënia pa mbikëqyrje e një fëmije nën 14 vjeç sjell humbjen e jetës së tij. Sipas propozimit, përgjegjësi do të mbajnë prindërit, kujdestarët, mësuesit ose edukatorët që i lënë fëmijët pa mbikëqyrje, duke i ekspozuar ndaj një rreziku real për jetën ose shëndetin. Dënimi do të përcaktohet në varësi të pasojave dhe mund të arrijë deri në 10 vite burg kur fëmija humb jetën.

"Rrezikimi i fëmijës nga pakujdesia, përgjigjet prindi, kujdestari, mësuesi ose edukatorja që e lë fëmijën nën 14 vjeç pa mbikëqyrje në rrezik real për jetën ose shëndetin. Dënimi shkallëzohet sipas pasojës, deri në 10 vjet kur fëmija humb jetën, larg qoftë. Gjykata mund ta zbusë dënimin kur prindi ka humbur vetë fëmijën" tha Rama. 

Ora 14:50
Buxheti 2027, Rama paralajmëron masa të reja për familjet dhe studentët: Nuk do të jenë thjesht fjalë, por vendime konkrete

1792922923_edirama.JPG

Përveç paketës kundër dhunës, kryeministri njoftoi se projektbuxheti i vitit 2027 do të prezantohet në ditët e para të javës.

"Projekt-Buxheti i vitit 2027, të cilin do ta prezantojmë në ditët e para të javës, vjen me plot risi pozitive në drejtim të pikërisht familjeve të zakonshme, të shërbimeve për qytetarët e të të rinjve dhe studentëve po ashtu" tha Rama

"Për shumicën që më ka dhënë mandatin të udhëheq Shqipërinë, e për pakicën që nuk më ka votuar, por që njësoj si shumica pret më shumë drejtësi në rishpërndarjen e të ardhurave nga rritja e ekonomisë, do të flas në ditët e para të javës me risitë pozitive të projekt-buxhetit 2027, sapo ta kalojmë në qeveri, që të jetë e qartë për të gjithë se nuk do të jenë thjesht fjalë apo zotime, po vendime konkrete ato që do të ndaj me ju", tha ai.

Ora 14:49
Kërcënimet ndaj deputetëve dhe familjarëve të tyre, Rama propozon dënime më të ashpra: Ndëshkim edhe për kanosjet në rrjetet sociale

Rama ka propozuar dënime më të ashpra për kanosjen e deputetëve, funksionarëve publikë, personave publikë dhe familjarëve të tyre, përfshirë kërcënimet në internet.

Paketa parashikon gjithashtu ndëshkimin e personave që kërcënojnë, dhunojnë ose shantazhojnë një deputet për ta detyruar të votojë në një mënyrë të caktuar, apo një funksionar për të marrë ose për të mos marrë një vendim.

"Mbrojtja e deputetëve, funksionarëve e personave publikë. Kanosja ndaj funksionarëve dhe familjeve të tyre.  Kanosja ndaj personave publik dhe familjeve të tyre, janë vepra penale.  Ata mbrohen nga kanosja edhe online, duke përcaktuar një dënim më të ashpër. Shantazhi dhe presioni për të ndikuar në vendime, çon në ndëshkimin e kush kanos, dhunon ose shantazhon personalisht një deputet për ta detyruar të votojë në një mënyrë apo një funksionar publik për të marrë ose për të mos marrë një vendim apo një person publik për të bërë apo më bërë diçka" tha Rama. 

Sipas kryeministrit, kritikat, protestat dhe peticionet nuk përfshihen në këto dispozita. 

Ora 12:44
Paketa ligjore për protestat e dhunshme, Rama prezanton Kodin e Etikës për mësuesit e arsimit parauniversitar: Do pezullohen ose shkarkohen nëse nxisin të miturit për tubime

1792923124_edirama.JPG

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot paketën e re ligjore kundër protestave të dhunshme që po zhvillohen prej disa ditësh në Tiranë.

Ndër gjashtë instrumentet që kodi përmban, është edhe ‘kodi i etikës për mësuesit e arsimit parauniversitar’.

Ky kod, sipas Ramës parashikon që mësuesit të pezullohen ose largohen nga detyra kur shfrytëzojnë autoritetin e tyre shtetëror e profesional për të nxitur, organizuar ose koordinuar pjesëmarrjen e nxënësve nën 18 vjeç në tubime.

Njoftimi i Ramës:

Kodi i Etikës për mësuesit e arsimit parauniversitar. Shkolla duhet të mbetet hapësirë e sigurt për fëmijët dhe nëpërmjet Kodit të Etikës parashikohet se asnjë mësues nuk mund të përdorë autoritetin e tij për t'i çuar fëmijët nën 18 vjeç në tubime të çfarëdo natyre, në kundërshtim me interesin e tyre e me pritshmërinë e prindërve.

Mësuesit do të pezullohen ose largohen nga detyra kur shfrytëzojnë autoritetin e tyre shtetëror, profesional për të nxitur, organizuar ose koordinuar pjesëmarrjen e nxënësve nën 18 vjeç në tubime, në kundërshtim me interesin më të lartë të fëmijës.

Masa natyrisht nuk prek të drejtën e mësuesve për t’u shprehur dhe për të protestuar vetë. Ajo ndalon vetëm përdorimin e marrëdhënies mësues–nxënës për t’i marrë fëmijët pas vetes për motive të të rriturve.

Ora 12:26
Bizneset e dëmtuara nga protestat, Rama prezanton aktin normativ: Dëmshpërblim deri në 100%, prindërit paguajnë për dëmet e të miturve (VIDEO)

 

Bizneset e dëmtuara gjatë protestave të dhunshme në Tiranë do të përfitojnë dëmshpërblim deri në 100% të dëmeve materiale. Kryeministri Edi Rama prezantoi sot aktin normativ që parashikon mbështetje të menjëhershme financiare për bizneset që kanë pësuar dëme nga thyerjet, grabitjet dhe zjarret.

" Me këtë akt shteti do të mbulojë nga 100% të dëmeve materiale për më të vegjëlit deri te minimumi 70% për më të mëdhenjtë - në bazë kriteresh të mirëpërcaktuara dhe gjithnjë brenda fashës së bizneseve me xhiron vjetore deri në 140 mijë euro. Kështu bizneset të cilat i kanë depozituar tanimë aplikimet e tyre, bashkëngjitur dokumentacionin e dëmeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nuk do të presin me vite proceset gjyqësore për dëmshpërblimin e tyre. Nga ana tjetër ata që u përfshinë në këto akte ku thyen, shkatërruan, dogjën dhe dëmtuan bizneset, e për të cilët gjykata e vlerësoi të ligjshëm arrestimin, do të paguajnë secili pjesën e vet të gjobës për dëmet e shkaktuara. Për dëmet e shkaktuara nga të miturit, përgjegjësia për mbulimin e pjesës së dëmit kalon te prindërit" tha Rama

Ora 11:36
'Duan ta kthejnë Shqipërinë pas”, Rama për protestat e dhunshme: Kanë 0 shanse t'ia dalin, jemi pranë anëtarësimit në BE (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama akuzoi organizatorët e protestave se po nxisin, paguajnë dhe orkestrojnë persona për të ushtruar dhunë në qendër të Tiranës. Sipas tij, qëllimi nuk është një Shqipëri më e mirë, por kthimi i vendit pas, në një kohë kur, siç u shpreh ai, Shqipëria është pranë anëtarësimit në Bashkimin Europian. “Këtë herë nuk do t’ia dalin. Zhurmën e kanë të madhe, shanset zero”, deklaroi Rama, duke theksuar se personat që djegin dhe shkatërrojnë nuk përfaqësojnë as shumicën dhe as pakicën e shqiptarëve.

"Kjo është përgjigja jonë ligjore ndaj dhunës dhe anarkisë urbane të ushqyer nga duar të mbrapshta dhe një turmë dhunuesiosh që mund ta shohë e gjithë Shqipëria se kush i sjell në qendër të Tiranës duke i nxitur, paguar e orkestruar jo për një Shqipëri më të mirë por për ta kthyer mbrapsht kur jemi më pranë pikëmbërritjes e kur flamuri i Ismail Qemalit është ngritur më lart se kurrë. Por këtë herë nuk do tia dalin. Ai që thyen, djeg, shkatërron qendrën e Tiranës dhe përmes ekraneve të korruptuara terrorizon Shqipërinë nuk është populli, as shumica as pakica e popullit. Për shumicën që me ka dhënë mandatin dhe pakicën që smë ka votuar por pret më shumë drejtësi në shpërndarjen të ardhurave do flas në ditët e para të javës me risitë e buxhetit 2027 që të jetë e qartë se nuk do jenë zotime të rastet por vendime konkrete. Durim dhe Kurajo. Duhet ta kalonim këtë se jo të gjithë e duan paqen dhe suksesin e Shqipërisë. Është përpjekja e fundit përpara se ne ta vulosim faqen e fundit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Zhurmën e kanë të madhe, shanset 0. Mos harroni asnjëherë, më keni votuar apo jo, unë3 nuk e kam tradhëtuar asnjëherë misionin që më ka dhënë besën shumica e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe sdo ta tradhëtoj kurrë besimin e asnjë shqiptari që e do Shqipërinë më të mirë dhe flamurin e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut në rradhë me shtetet e BE-së"

Ora 11:31
'Kush kërkon dorëheqjen time, gabon nëse mendon se mund të ma imponojë me dhunë', Rama: Jam gati të dëgjoj këdo ballë për ballë (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se kushdo ka të drejtë të kërkojë largimin e tij dhe të protestojë kundër qeverisë, por theksoi dorëheqja nuk mund t'i imponohet përmes dhunës. 

"Të dashur miq, kjo paketë nuk ka asnjë shpikje alla shqiptarçe. Nuk ka asnjë pikë apo nen që bie ndesh me lirinë dhe të drejtat e qytetarëve të Shqipërisë. Në frymën e saj ka një të vërtetë shumë të thjeshtë: liria e secilit mbaron aty ku fillon liria e të tjerëve dhe të drejtat e gjithkujt ndalen aty ku cënohen të drejtat e të tjerëve. Kush nuk e do qeverinë apo do largimin tim, jo sot po dje, është në lirinë dhe të drejtën e tij ta mendojë, propagandojë apo kthejë në protestë këtë dëshirë. Këtu është detyra ime dhe e qeverisë që të garantojë  se protesta e kujtdo që do një qeveri tjetër të zhvillohet pa asnjë trysni. Unë jam i gatshëm të dëgjoj këdo që do më parashtrojë kundërshtimin e tij ballë për ballë dme kërkesat që mendon se qeveria duhet të marrë parasysh. Kush kërkon dorëheqjen time, gabon duke menduar se mund tëq imponohet me dhunë apo me ccdo formë tjetër. Përtej këtij kufiri unë kam detyrë të mbroj vendin dhe njerëzit nga  cdo përpjekje për ta kthyer Shqipërinë mbrapa ndërsa shteti ka për detyrë ti tregojë vendin çdokujt që ngre dorën kundër pronës publike e private që kërcënon rendin dhe sigurinë" tha Rama

Ora 11:28
‘Mercenarë nga Spanja në protestën e djeshme’- Rama prezanton 6 instrumentat e paketës ligjore: Regjistër i posaçëm për dhunuesit (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama ka publikuar paketën e re ligjore, kundër protestave të dhunshme që po zhvillohen prej disa ditësh në Tiranë.

Rama prezantoi 6 instrumentat, që sipas tij i japin një goditje dhunës së shkaktuar nga ata që duan të marrin peng popullin shqiptar dhe Qeverinë.

Ndër masat e bëra publike nga Rama, parashikohet dëmshpërblimi i bizneseve të dëmtuara gjatë protestave të dhunshme, detyrimi i shkatërruesve për të paguar për dëmet e shkaktuara, krijimi i një regjistri me emrat e personave që ushtrojnë dhunë, një kod etike për mësuesit e arsimit parauniversitar, ndryshime në kodin penal dhe në ligjin për tubimet, si dhe sanksione për protestuesit që pengojnë jetën normale të qytetarëve.

Rama tha gjithashtu se gjatë protestës së zhvilluar dje në Tiranë, një grup protestuesish të veshur me bluza të bardha kishin ardhur nga Spanja si mercenarë, me qëllim për të nxitur e ushtruar dhunë.

Gjashtë instrumentet e paketës së re ligjore, të prezantuara nga Rama

 

Ora 11:15
Rama prezanton ndryshimet për tubimet: Policia mund t’i kufizojë deri në 72 orë, gjoba deri në 100 mijë lekë për mosbindje dhe ndëshkime për personat e maskuar (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar ndryshimet e reja për tubimet, të cilat parashikojnë vendosjen e perimetrave të sigurisë rreth objekteve të ndjeshme dhe mundësinë që policia të kufizojë tubimet deri në 72 orë pranë institucioneve arsimore, shëndetësore dhe objekteve të kultit.

Për thirrjet për dhunë në rrjetet sociale, fillimisht do të kërkohet fshirja e postimit, ndërsa në rast refuzimi policia mund të nisë procedimin penal sipas veprave ekzistuese. Ndryshimet parashikojnë edhe trajtimin si vepër penale të fshehjes së identitetit gjatë tubimeve, sipas modelit francez.

Për mosbindje ndaj policisë parashikohen gjoba nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë, ndërsa për bllokimin e qarkullimit gjoba do të jetë 5 mijë lekë për çdo pjesëmarrës.

U.D/Shqiptarja.com
Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★
3.3 / 5 (10 vlerësime)

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Iris: 26/10/2026 04:52

    U zbulua dhe armiku i rradhes.Deri me sot ishin Rusia,Irani,ANTIFA,nuk mungojne si perhere dhe PD e Berisha si majdanoz ne cdo gjelle,por sot titullin e armikut e fituan mercenaret e Spanjes,te shohim neser kush e ka fatin te shpallet armik.Sa per kuriozitet,por aty ku propozon qe do te denohen ata qe kercenojne,apo shantazhojne nje deputet per te votuar ndryshe,apo nje zyrtar per te marre ose jo nje vendim, kam dy pyetje per Ramen:1-A ka te qarte Rama se askush nuk eshte mbi ligjin e nuk perjashtohet prej tij? 2-A ka te qarte Rama se ky ligj qe propozon kap dhe ate vete kur kercenoi e u beri presion me perjashtim Bracen e Sinajn nese nuk votonin /Territorialen/ si dhe kur presionoi keshillat bashkiake me pare e drejtoret tani te jepnin doreheqjen pa nje arsye te justifikueshme?!

    Përgjigju
  • Prof.K.Shabani: 25/10/2026 12:05

    Rama nuk do ta mashtrojë veten me masa. Të ftojë studentët të kërkojnë me shkrim dhe të studiojnë së pari. Më e rëndësishmja, të anulojë licencat e universiteteve private derisa të emërojnë "një senat profesorësh me titull akademik". Sistemi arsimor është në kancer! Nevojitet ndërhyrje e menjëhershme kirurgjikale. Pronarët e universiteteve private (që mbajnë varëse ari) i dërgojnë fëmijët e tyre në Imperial College, Mbretëria e Bashkuar! Universitet me kancer!

    Përgjigju
  • Belinda: 25/10/2026 11:38

    Sa lek gjob merr belinda per Vjedhjet

    Përgjigju
    • Lia: 25/10/2026 14:59

      Epo po te vjellin pasurite publike keta per kryeministrin pergjegjesia eshte personale. Per ato qe vjedhin mliarda ju quhet shperdorim detyre dhe nuk bejne as burg vdekshit e mos i gezofshit fare komuniste .

  • Sondazhi i ditës: 15 Tetor, 13:43

    A i mbështesni protestat e dhunshme në vend?