Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë Sofia Moriera de Sousa ka nisur turin e takimit me institucionet shqiptare pak ditë pasi mori zyrtarisht detyrën si shefe e delegacionit në Tiranë.
Një ditë pas takimit me kryeministrin Edi Rama, Moriera de Sousa u prit nga kreu i Kuvendit Niko Peleshi.
Pas takimit, Peleshi tha se integrimi në Bashkimin Eurpopian mbetet një aspiratë e natyrshme e shqiptarëve dhe që parlamenti po punon me përgjegjësi.
“Sot në Kuvend, me ambasadoren e re të Bashkimit Europian, Sofia Moreira de Sousa, për rrugëtimin europian të Shqipërisë dhe punën që na pret përpara. Anëtarësimi në BE është një aspiratë e natyrshme e shqiptarëve dhe ne po punojmë me përgjegjësi, përkushtim dhe bashkëpunim institucional. Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë të japë kontributin e tij në këtë proces, përmes bashkëpunimit të ngushtë me institucionet europiane dhe parlamentet e vendeve anëtare”, shkroi Peleshi.
Ndërkohë ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Sofia Moriera de Sousa, tha pas takimit se një Parlament i fortë është thelbësor për demokracinë dhe anëtarësimin në BE. Ajo theksoi gjithashtu se gjatë takimit me Peleshin u diskutua edhe për rëndësinë e sigurimit që “reformat që lidhen me BE-në të kuptohen, të debatohen dhe të zbatohen.”
Më tej ajo ka theksuar se angazhimi i të gjitha forcave politike, palëve të interesuara përkatëse dhe shoqërisë civile është gjithashtu çelësi për ta bërë këtë punë më transparente dhe më afër qytetarëve.
“Një Parlament i fortë është thelbësor për demokracinë dhe anëtarësimin në BE. Sot pata një takim të mirë me Kryetarin e Parlamentit Niko Peleshi. Diskutuam rëndësinë e sigurimit që reformat që lidhen me BE-në të kuptohen, të debatohen dhe të zbatohen.
Angazhimi i të gjitha forcave politike, palëve të interesuara përkatëse dhe shoqërisë civile është gjithashtu çelësi për ta bërë këtë punë më transparente dhe më afër qytetarëve. Pres me padurim vazhdimin e bashkëpunimit të mirë”, tha mes të tjerash ambasadorja e BE-së në Tiranë.
Ditën e djeshme, ambasadorja zhvilloi një takim me kryeministrin Edi Rama, ku u fol për mbështetjen ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit në BE. Ky ishte diskutimi i saj i parë me kreun e qeverisë shqiptare, ndërsa paraqiti letrat kredenciale në 2 shtator te Presidenti Bajram Begaj.











Komente
Komento