Sofia Moreira de Sousa, ambasadorja e re e Bashkimit Europian në Tiranë u takua sot me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi. Takimi mes tyre u zhvillua në zyrën e kryetarit të Kuvendit dhe zgjati rreth një orë.

Pas takimit Peleshi tha në një postim në rrjetet sociale se në fokus ishte integrimi i vendit në Bashkimin Europian.

“Sot në Kuvend, me ambasadoren e re të Bashkimit Europian, Sofia Moreira de Sousa, për rrugëtimin europian të Shqipërisë dhe punën që na pret përpara. Anëtarësimi në BE është një aspiratë e natyrshme e shqiptarëve dhe ne po punojmë me përgjegjësi, përkushtim dhe bashkëpunim institucional. Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë të japë kontributin e tij në këtë proces, përmes bashkëpunimit të ngushtë me institucionet europiane dhe parlamentet e vendeve anëtare”, shkroi Peleshi.

Ditën e djeshme, ambasadorja zhvilloi një takim me kryeministrin Edi Rama, ku u fol për mbështetjen ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit në BE. Ky ishte diskutimi i saj i parë me kreun e qeverisë shqiptare, ndërsa paraqiti letrat kredenciale në 2 shtator te Presidenti Bajram Begaj.