Krahas shkollës “Nënë Tereza”, zonës së Kodër-Kamzës po i shtohet edhe një kopsht krejt i ri e modern. Bashkia e Tiranës ka nisur punimet për ndërtimin nga themelet e kopshtit nr. 58, një kërkesë e vazhdueshme e banorëve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet që po realizohen, ndërsa theksoi faktin se një zonë e zaptuar më parë po i kthehet banorëve në formën e një kopshti, si investimi më i mirë për fëmijët.
“Jam shumë i lumtur që rikthehem në Kodër-Kamëz me një lajm të shkëlqyer për komunitetin. Lajmi ka të bëjë me hapjen e kopshtit, një zonë gjithashtu e zaptuar prej vitesh, por ajo që duhet të kuptojmë është se interesi i shumicës është mbi interesin e pakicës. Zaptimi i kopshteve, i shkollave, i çerdheve, i kampuseve universitare, do të marrë fund. Ka nisur të marrë fund, Kodër-Kamza është e para që po përjeton çlirimin e një territori të zaptuar, për të rikthyer ku ishte kopshti. Një komb që zapton kopshtet dhe shkollat, është komb pa të ardhme; një komb që çliron kopshtet dhe shkollat, i rindërton nga e para, shton kapacitetin, u jep mundësinë prindërve të shkojnë të punojnë, teksa edukatoret tona shembullore kujdesen për fëmijët e tyre, është një komb që ka të ardhme”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Ai shtoi se kopshti i ri është një premtim i mbajtur dhe që do të ulë ngarkesën në kopshtet e tjera të zonës, si dhe do të risë cilësinë e shërbimit dhe edukimit për fëmijët që i frekuentojnë ato. Veliaj tha se pas kopshtit një tjetër premtim që do bëhet realitet për banorët e kësaj zone është dhe ndërtimi i shkollës së integruar “Nënë Tereza” dhe që do u japi një mundësi të barabartë fëmijëve të kësaj zone, që të arsimohen si gjithë bashkëmoshatarët e tyre kudo në Tiranë.
“Po mbajmë fjalën sot për kopshtin, ndërkohë që do ta mbajmë me patjetër fjalën për shkollën “Nënë Tereza”, 9-vjeçare dhe gjimnaz, në Kodër-Kamëz. Kodër-Kamza nuk mund të jetë një xhep, nuk mund të jetë një zonë për të importuar vetëm protestues të dhunshëm, ka të gjithë potencialin që çdo fëmijë i Kodër-Kamzës, si çdo fëmijë dhe i Bllokut, edhe i Ali Demit, i Saukut, të kenë të njëjtin shans për t’u bërë nesër inxhinierë, drejtoresha, edukatore, administratorë. Nëse i shohim fëmijët këtu si potencial, jo si problem, atëherë sigurisht që me sytë e këtij potenciali, do bëjmë edhe planifikimet tona”, tha Veliaj.
Sa i përket realizimit praktik të këtij projekti modern, Veliaj u shpreh i gatshëm që në bashkëpunim edhe me rektoratin të mund të bëjnë rishikimin e hyrjes së shkollës. “Jam i gatshëm që të diskutoj me rektoratin hyrjen në pronën e bashkisë, te ndërtimi i shkollës; nëse duan hyrje më vete dhe nëse kanë alergji fëmijët, jam i gatshëm ta diskutoj dhe t’u garantoj një hyrje më vete, por nuk e negocioj fare ndërtimin e shkollës “Nënë Tereza”. Është nder që shkolla që mban emrin “Nënë Tereza” të ndërtohet në Kodër-Kamëz, të jetë akoma më e bukur se shkolla “Kosova”, Liceu dhe Shkolla e Baletit, sepse besoj që çdo punë duhet të jetë më e mirë se puna që kemi bërë më përpara. Me uratën, bekimin dhe gjithë dashurinë dhe gjithë dashamirësinë e këtij komuniteti, do t’i shkojmë deri në fund atij projekti, me hyrje të veçantë, por asnjë tërheqje për t’i dhënë komunitetit të Kodër-Kamzës të njëjtin trajtim që ka çdo qytetar i kryeqytetit”, shtoi ai.
Veliaj theksoi se ndërtimi i shkollës “Nënë Tereza” është një detyrim që Bashkia e Tiranës i ka rreth 30 mijë banorëve të kësaj dhe në mënyrë të veçantë fëmijëve që sot duhet të udhëtojnë kilometra të tëra për të ndjekur mësimet. “Këtu kanë ardhur shumë njerëz nga vende të ndryshme të Shqipërisë, por nuk kanë ardhur për një jetë më të vështirë, por kanë ardhur për një jetë më të mirë. Për sa kohë që këtë jetë më të mirë ia kanë besuar Bashkisë së Tiranës, atëherë Bashkia e Tiranës i detyrohet këtij komuniteti një shkollë dinjitoze. Mezi pres që shkolla “Nënë Tereza” të jetë jo vetëm më e mira në infrastrukturë në Republikë, por të jetë siç kemi qenë deri më sot në Kodër-Kamëz, edhe me notat më të mira, sepse besoj që e ardhmja e Tiranës nis te banka e shkollës dhe nis te çerdhja dhe kopshtet që edukatoret tona të mrekullueshme”, u shpreh Veliaj.