SOFIE- Pas Shqipërisë edhe Belgjika refuzon të pranojë shkatërrimin e armëve kimike siriane në territorin e saj.

Ministri belg i Mbrojtjes Pieter De Crem deklaroi pak më parë se nuk është në favor të shkatërrimit të arsenalit kimik sirian në Belgjikë.

Kjo e fundit, bashkë me Francën dhe Shqipërinë ishin vendet që u kontaktuan nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ndihmuar në procesin e shkatërrimit të më shumë se 1 mijë ton arsenal.

“Jam i gatshëm të bëj një përpjekje për të kontribuar por nuk jam dakord që ky proces të bëhet në një kohë afatgjatë”-ka deklaruar De Crem gjatë një interviste për stacionin radiofonik VRT. Belgjika nga ana tjetër ka deklaruar se është e gatshme të ndihmojë në inventarin e armëve. “Ne mund të japim ndihmën tonë për t'i neutralizuar këto armë, por besoj se ky proces të bëhet pranë Sirisë”-ka thënë ministri. Sipas tij, transportimi i këtyre armëve në vetvete është një mision i vështirë. 

Kështu edhe Belgjika i shtohet listës së vendeve që kanë refuzuar të kryejnë këtë proces në territorin e tyre, pasi edhe Norvegjia refuzoi kategorikisht që të shkatërronte armët kimike të regjimit të Bashar al Assad. Megjithatë Oslo ashtu si dhe Danimarka kanë deklaruar se janë të gatshëm të ndihmojnë në procesin e transportimit të këtyre armëve.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)