TIRANE- Ministria e Arsimit ka vendosur t’u japë fund dilemave të komunitetit për cilësinë e shkollave në arsimin parauniversitar, qofshin ato publik dhe private. Tashmë çdo shkollë e arsimit bazë dhe të mesëm do të matet jo vetëm për cilësinë e mësimdhënies, por edhe për kujdesin e ofruar ndaj nxënësve. Nga ky proces publiku do të mësojë realisht se cilat shkolla 9 vjeçare dhe të mesme në rang vendi janë më të mirat, ndërsa drejtuesit e arsimit do të duhet të marrin masat për përmirësimin e cilësisë së institucioneve në ato vende që hasen problematika.
 
Karta e performancës
Të gjitha shkollat e sistemit parauniversitar do të vlerësohen për cilësinë me anë të kartës së performancës. Ky është urdhri më i fundit i nxjerrë nga Ministria e Arsimit e cila parashikon që çdo shkollë duhet të plotësojë kartën e cila garanton cilësinë e ofertës së shkollës përmes treguesve të standardizuar dhe shërben si instrument për vetëvlerësimin e shkollës dhe inspektim.

“Karta e performancës u shërben prindërve, drejtuesve, mësuesve, nxënësve, DAR/ZA-ve, komunitetit dhe gjithë të interesuarve, të   analizojnë dhe krahasojnë rezultatet e shkollës me tregues të ndryshëm të arritjeve në një dokument lehtësisht të përdorshëm”, thuhet në udhëzimin e firmosur nga Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla. Sipas këtij udhëzimi drejtoritë Arsimore do të përdorin këtë kartë për të analizuar arritjet e shkollave në nivel rajonal, për të parë ato shkolla të cilat në disa tregues kanë nevojë për përmirësim.
 
Treguesit
Do të jenë një sërë treguesish ata të cilët do të bëjnë edhe diferencën mes një shkolle tjetre. Kështu, një nga pikat kryesore do të jenë notat në provimet e Maturës Shtetërore apo atyre të Lirimit, sa është kalueshmëria e tyre, dhe nxënësve janë vlerësuar me notën maksimale. Po kështu një tjetër tregues i rëndësishëm është edhe numri i projekteve që fiton shkolla në nivel kombëtar apo ndërkombëtar, si dhe fituesit që dalin nga kjo shkollë në konkurset  që shpall Ministria e arsimit. Por edhe mungesat janë një tjetër tregues i rëndësishëm, dhe ato do të maten si për nxënësit ashtu edhe për mësuesit. Ndërkohë që çdo fundviti drejtuesit e institucionit duhet të bëjnë të ditur se sa është numri i nxënësve të regjistruar në fillim të vitit dhe sa janë larguar në fund të tij, apo sa të tjerë janë transferuar nga një shkollë tjetër në institucionin që ata drejtojnë. Por edhe niveli i mësuesve është një tregues i rëndësishëm, pasi në çdo kartë të përformancës do të jenë rezultatet e mësuesve në provimet e kualifikimeve për 5 vitet e fundit.
 
Ambientet
Edhe siguria në ambientet e shkollës do të jetë një tjetër matës i mirë së performancës së institucioneve arsimore. “Përkujdesja për shëndetin, sigurinë e nxënësve dhe  punonjësve arsimorë, kushtet ekologjike, të higjienës dhe pastërtisë në mjediset e shkollës, krijimi i një mjedisi psiko-social që synon eliminimin e dhunës dhe sjelljeve të rrezikshme janë një sërë treguesish të tjerë që duhet të plotësohen”, thuhet në udhëzim. Pas matjes së këtyre treguesve si në institucionet arsimore private ashtu edhe në ato publike do të bëhet edhe renditja e tyre. Për institucionet që nuk kanë një performancë të mirë do iu lihet detyrë plotësimi i këtyre treguesve për vitin në vazhdim. Kjo renditje do të jetë publike në mënyrë që prindërit të jenë të orientuar për përformancën që ka shkolla ku kanë regjistruar fëmijët e tyre.  

Shkrimi u publikua sot (16.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com