Nga 300 deri në 2 000 lekë, në bazë të zonave dhe cilësisë së shërbimit, do të jetë pagesa për shezlonet këtë sezon turistik në plazhet publike të menaxhuara nga Bashkia Lezhë. Tarifat e shërbimit dhe stacionet e plazhit u miratuan me shumicë votash nga Këshilli Bashkiak i Lezhës, ndërsa në bazë të këtij çmimi do të operojnë edhe strukturat hoteliere, si një mënyrë për të shmangur abuzimet që kanë ndodhur gjatë viteve të shkuara. Duke folur para këshilltarëve, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, tha se qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin nga niveli ekonomik deri tek çmimet më të larta, në bazë të komoditetit dhe kostove operative.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Bashkiak i konsideruan të larta tarifat e vendosura, pasi sipas tyre do të rëndojnë mbi xhepat e pushuesve.

Krahas plazheve të menaxhuara nga bashkia dhe strukturat hoteliere, përgjatë vijës bregdetare të Shëngjinit dhe Tales, 30% e hapësirës do të jetë pa pagesë, duke u dhënë mundësi dhe alternativa qytetarëve të cilët mund të mos kenë mundësi financiare.

Edhe Këshilli Bashkiak Vlorë miratoi më 1 maj tarifën 700 lekë për një çadër në plazh publik.