Bota e shkatërruar nga luftërat dhe padrejtësitë ishte në qendër të fjalës së Papa Leones të XIV në meshën e shenjtë në Vatikan me rastin e pashkëve.

Kreu i katolikëve në të gjithë botën bëri thirrje që "të mos lejojmë veten të paralizohemi" nga e keqja.

Duke marrë në analogji Krishtin i cili hoqi gurin nga varri i tij për t’i sjellë botës shpëtimin, Papa tha se luftërat në botë përfaqësojnë atë gur i cili duhet hequr në ditët tona.

Sipas Atit të Shenjtë Leoni XIV, ashtu si guri i varrit të Krishtit u rrokullis për të lënë dritën të hyjë, edhe sot botës i duhet forca e të Ngjallurit për të thyer “Varret e luftërave që shkatërrojnë jetë dhe të ardhmen e popujve; Varret e egoizmit që mbyllin kufijtë dhe zemrat ndaj atyre që kanë nevojë dhe varret e indiferencës na bëjnë të shurdhër ndaj britmës së të varfërve”.

Teksa bëri thirrje për ndaljen e konflikteve kudo në botë, Papa Leone XIV uroi Pashkën në 10 gjuhë të ndryshme; Italisht, frengjiisht, anglisht, gjermanisht, spanjisht, portugalisht, polonisht, arabisht, gjuhen kineze dhe latinisht.

Në mesazhin e Papës spikatën thirrjet e tij për dorëzimin e armëve dhe 'ndaljen' e indiferencës ndaj të keqes dhe vdekjes së mijëra personave.

"Kush ka në dorë armë, ti dorëzojë ato. Kush ka pushtet të hapë luftëra, të zgjedhë paqen. Po mësohemi me dhunën, dorëzohemi dhe bëhemi indiferentë ndaj vdekjes së mijëra personave. Indiferentë ndaj urrejtjes që mbjellin konfliktet, indiferent ndaj pasojave ekonomike dhe sociale të luftës. Ka një globalizim gjithnjë e më të madh të indiferencës", deklaroi më tej Papa.

Mesditën e sotme Papa do të mbajë “Urbi et Orbi”, ku do t’i drejtohet gjithë botës me mesazhin e tij të Pashkëve.