Analistët thonë se ekonomitë në zhvillim mund të përballen me pasoja nga tronditjet që vijnë nga Britania, e cila mund të largohet nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje. Ndërsa Evropa, dhe veçanërisht Britania, do të goditeshin më shumë nga një Brexit pa marrëveshje, efektet në rrugët tregtare globale dhe në zinxhirët e furnizimeve mund të kenë pasoja shumë përtej kontinentit.
Brexit do të ndikojë jo vetëm në marrëdhëniet e Britanisë me Bashkimin Evropian - por edhe me qindra vende të tjera me të cilat Britania aktualisht bën tregti me kushtet e BE-së.
Londra ka negociuar marrëveshje të reja tregtare pas Brexitit me disa vende - përfshirë vendet e Amerikës Qendrore, Zvicrën dhe Korenë e Jugut, e të tjera.
Por kjo lë pezull tregëtinë me qindra shtete – duke filluar nga ato me ekonomi më të vogla, e deri tek gjigandët si Japonia dhe Kanadaja - me të cilët bashkëpunimi tregtar do të kryhej sipas kushteve të Organizatës Botërore të Tregtisë pas një Brexit-i pa marrëveshje. Dhe arritja e marrëveshjeve të reja tregtare nuk do të jetë e lehtë.
"Shumë vende me të cilat përpiqemi të bëjmë marrëveshje tregtare do të na thonë,‘ Po, kjo do të ishte shumë mirë. Do të dëshironim të dimë se cila do të jetë marrëdhënia juaj me Bashkimin Evropian përpara se të nënshkruajmë një marrëveshje me ju. "Kështu që të gjitha rrugët të çojnë në Bruksel", thotë Anand Menon me organizatën UK in a Changing Europe Program.
Një pasiguri e tillë nuk i ndihmon vendet që eksportojnë mallra në Britani. Kenia eksporton lule, fruta dhe perime në Britani - me një vlerë totale 400 milion dollarë në vit.
Bangladeshi eksporton mallra me vlerë gati 4 miliardë dollarë në Britani - që tregtohen aktualisht sipas rregullave preferenciale të BE-së, të cilat kanë tarifa zero ose të ulta për mallrat nga vendet në zhvillim. Një Brexit pa marrëveshje ka të ngjarë të nënkuptojë ndërprerje të furnizimeve me mallra nga jashtë.
"Problemi është se kjo do të shkatërrojë preferencën që marrin disa nga këto vende. Për shembull, avantazhin që një vend i tillë si Bangladeshi dhe Kamboxhia kanë ndaj produkteve të caktuara sepse ato kanë qasje me tarifa më të ulta, që do të hiqen”, thotë Max Mendex-Para në Institutin Overseas Development.
Duke folur muajin e kaluar, kreu i Bankës për Zhvillimin e Afrikës paralajmëroi se ndërthurja e një Brexit-i pa marrëveshje me luftën tregtare SHBA-Kinë po godasin ekonomitë afrikane.
"Kapaciteti industrial ka rënë ndjeshëm dhe kështu kërkesa, edhe për produkte dhe lëndë të para nga Afrika do të bjerë edhe më tej. Efekti i një Brexit-I pa marrëveshje mund të sjellë pasoja të rënda në ekonomitë afrikane pasi kërkesa për produktet e tyre dobësohet nga Kina", thotë Akinwumi Adesina, president i Bankës Afrikane për Zhvillim.
Ndërkohë Britania është duke shtuar përpjekjet e saj për marrëveshje të reja tregtare - me ministra që do të vizitojnë Zelandën e Re, Australinë dhe Japoninë këtë javë. Shumë prej kompanive të këtyre vendeve kanë investime të mëdha në Britani dhe kanë frikë nga ndikimi kaotik i një Brexit-i pa marrëveshje.
Në përgjithësi - për ekonomitë më të vogla - ndikimi ka të ngjarë të jetë më pak i rëndë.
"Një Brexit pa marrëveshje do të ishte më pak shqetësuese për vendet afrikane dhe vendet në zhvillim, përveç disa vendeve specifike që bëjnë shumë tregti me Britaninë. Dhe kjo për faktin se Britania ka humbur gjatë shumë viteve rëndësinë si destinacion i eksporteve për shumë nga këto vende", thotë Max Mendex-Para në Institutin e Zhvillimeve me Jashtë.
Një Brexit pa marrëveshje do të godiste ekonomitë e shumë shteteve të BE-së si Irlanda, Gjermania dhe Hollanda. Por analistët thonë se Britania është ajo që do ta ndjejë në mënyrë të pashmangshme ndikimin më shumë se të gjitha vendet e tjera.