Operatorët e transportit publik në Tiranë po shqyrtojnë mundësinë e mbylljes së transportit në disa linja ku humbjet janë të mëdha.

Të pyetur nga Report TV përfaqësues të transportit publik pohuan se humbjet janë të mëdha, dhe po shtohen më shume edhe nga kufizimi i orarit 06:00-22:00. Po ashtu disa nga linjat do dorëzojnë licencat në bashkinë Tiranë për shkak të humbjeve.

"Kufizimi na ka penalizuar jasht mase dhe kemi kontakt me subjektet do shikohen të gjitha mundësitë. Por për momentin akoma s'është vendosur gjë.

Mbyllje totale jo, por disa linja me humbje të mëdha mund të dorëzohen nga operatorët tek Bashkia", janë përgjigjet e përfaqësuesve të shoqatës së urbanëve.

Sipas tyre humbjet që nga data 6 korrik kur rifilloi transporti pas karantinës humbjet janë mbi 60 milionë lekë të reja. Madje ata thonë se disa nga linjat kanë nisur të reduktojnë kapacitetet, pra ulur numrin e urbaneve në shërbim.

Kërkesat e tyre mbeten të njëjtat me ato që kanë bërë gjatë periudhës së karantinës.