Hetimet e prokurorisë kanë zbuluar se Donadon është i përfshirë në skemën e pastrimit të parave duke i sjell ato nga San Marino në Shqipëri dhe si justifikim ka përdorur fatura fiktive për shitjen e produkteve dentare nëpër klinika.
Të premten Donadon pritet të dalë para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë ndaj tij në gjykatën e Tiranës aty ku akuza kërkon arrest me burg.
Por si u krye transaksioni prej 640 mijë euro në Tiranë?
Sipas prokurorisë fillimisht Donadon ka sjellë në një bankë të nivelit të dytë disa ceqe bankare të cilat pasi kanë kaluar afatin e maturimit janë kthyer në para cash në llogarinë e tij.
Për të justifikuar këto para Alessando Donadon ka shpjeguar para hetuesve se ai ka një aktivitet tregtarë në Shqipëri në fushën e materialeve dentare për të cilat ka paraqitur dhe faturë shitblerje me një klinikë e një spital.
Por gjurmimi i faturës nga hetuesit ka zbuluar se ajo ka qenë fiktive dhe e falsifikuar po ashtu për hetuesit ka rezultuar se në qendrën kombëtare të regjistrimit të bizneseve në emër të Alessandro Donadon nuk ka asnjë biznes në Shqipëri.
Në rrugë operative hetuesit shqiptarë kanë siguruar informacion se shtetasi italian Donadon ka qenë i përfshirë në aktivitet të paligjshëm në Itali për të cilin është hetuar për mashtrime fiskale.
Ndër të tjera transaksioni nga San Marino i njohur si një parajsë fiskale, tërheqja e shumës së konsiderueshme të parave nga banka, mungesa e faturave justifikuese kanë bindur prokurorinë të vendos sekuestro mbi këtë llogari e cila tashmë është pjesë e hetimit.
Ja njoftimi i Prokurorisë
Prokuroria e Tiranës kërkon caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për shtetasin italian A. Donadon, i dyshuar për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe “fallsifikimit të dokumentave”, pasi ka depozituar në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri shumën prej rreth 640.000 euro, me burim të pajustifikuar. Ky shtetas ka sjellë në bankë disa çeqe për klering nga një bankë e San Marinos. Këto çeqe, pas mbarimit të afatit 45 ditor dhe verifikimit financiar, nëse rezultojnë të rregullta, konvertohen në para që i kreditohet personit që ka depozituar çeqet.
Nga veprimet paraprake proceduriale, Prokuroria e Tiranës dyshon se shtetasi italian A. Donadon po kryen veprimtarinë e pastrimit të parave, pasi vërtetësia e çeqeve nuk është konfirmuar. Në këto kushte, Prokuroria urdhëroi ndalimin e tij, i cila është ekzekutuar nga ana e forcave të Policisë së Shtetit.
Për vërtetimin e burimit të fondeve të përshkruara mësipër, A. Donadon ka depozituar në bankë një kontratë depozite bankare si dhe një statement llogarie personale pranë bankës të San Marinos të dt. 11.04.2014 e cila tregon se në këtë datë ka një gjendje prej 729.846 EUR por që nuk kuptohet se nga është burimi i këtyre fondeve.
Gjithashtu shtetasi italian A. Donadon ka deklaruar në bankë se ka marrëdhënie biznesi të firmës së tij me Shqipërinë (furnizon klinikat dentare me aparatura) ndër të tjera dhe institucionin “XXXX’, dhe se dëshironte të zhvendoste një pjese të aktivitetit të tij këtu por nuk kishte ende ndonjë investim/dokumentacion mbi projekte biznesi.
Nga të dhënat dhe QKR në emër të A. Donadon: Nuk rezultojnë të dhëna të tjera përveç transaksioneve të përshkruara më sipër. Nuk rezulton biznes i regjistruar.
Si konkluzion nga informacioni për referimin e veprës informohemi si vijon:
Vlera e konsiderueshme prej 640.000 EUR e çeqeve të depozituara njëherësh.
Dokumentacioni justifikues i paqarte për burimin e fondeve.
Fondet vijnë nga San Marino, vend i njohur si parajse fiskale ndërsa shtetasi A. Donadon ka deklaruar se ka aktivitet biznesi në Itali.
Tërheqjet cash në vlerë të konsiderueshme për investime dhe deklaratat e pa vërtetuara për aktivitet biznesi.
Ne rruge operative rezultuon se ky shtetas ka qene pjese e nje grupi i cili eshte proceduar nga Drejtesia Italiane per mashtrime ne shuma te medha ne fushen financiare
Në këto kushte është regjistrua procedimi në fjalë. Nderkaq, ky procedim është deleguar për hetime të mëtejshme në polici. Kjo e fundit nga hetimet e metejshme ka konstatuar se A. Donadon për të justifikuar burimin e këtyre të ardhurava dhe arsyen e tërheqjes së tyre nga Banka XXXX, ka depozituar në bankë një faturë e blerje të pajisjve dentare nga shoqëria “A…..” si dhe faturën e shitjes së tyre Kompleksit Spitalor “xxxx”.
Në vijim të hetimit policia gjyqësore ka provuar se këto dy fatura janë fatura fiktive, fakt që rezulton I provuar nga informacioni dhe deklarimi kompanive private që shtetasi italian deklaron se ka raporte financiare.
Nisur nga sa më sipër, lindin dyshime të arsyeshme për burimin e këtyre fondeve.
Në këto kushte, nga policia gjyqësore, më 24.02.2016, ora 20:00 është ndaluar shtetasi A. Donadon, për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, parashikuar nga neni 186 dhe 287 i K. penal.
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)