Mijërave emigrantëve, fermerëve, të vetëpunësuarve dhe çdo qytetari tjetër që ka punuar në të zezë, nuk do t’u konfiskohet një banesë, një sipërfaqe e caktuar toke dhe sende të tjera deri në një vlerë të caktuar, pavarësisht se nuk i justifikojnë me dokumentacion ligjor.

Kështu parashikojnë ndryshimet e reja në ligjin anti-mafia, ndryshime të cilat synojnë të godasin pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme, të cilat burojnë nga korrupsioni dhe veprimtaria kriminale, brenda dhe jashtë vendit.

Ndryshimet janë miratuar nga Parlamenti në datën 27 prill, ndërsa pritet të hyjnë në fuqi brenda pak ditësh. Meqenëse qindra mijëra shqiptarë kanë punuar për vite me radhë në emigracion, si emigrantë të paligjshëm, por veprimtaria e tyre nuk mund të konsiderohet kriminale, ata do të përjashtohen nga veprimi i ligjit anti-mafia.

Por nuk do të shpëtojnë subjektet që kanë në pronësi të tyre ose që i kanë kamufluar në emër të të tjerëve, lokale, hotele, biznese të tjera, vila, makina luksoze etj., të cilat nuk justifikohen me burime të ligjshme. Ligji i ri, parashikon një kufi ndarës mes pasurive që do të sekuestrohen dhe pasurive që nuk do të sekuestrohen.

Pasuritë që falen
Gjatë shqyrtimit të projektligjit është shtuar një nen, neni 12/c, i cili parashikon që gjykata me kërkesë të palës së interesuar nuk sekuestron pasuritë e luajtshme që shërbejnë për nevoja të domosdoshme të jetesës, mjekësore, familjare dhe vetjake.

Pasuritë që nuk sekuestrohen, edhe janë mund të jenë të paligjshme, janë: Dhomë e kuzhinë, deri në 3 dynymë tokë, 2 kafshë për punimin e tokës, veshjet, shtresat, mbulesat dhe mobilet për aq sa ato janë të nevojshme për jetesën e tyre.

Po ashtu, nuk do të sekuestrohen dekoratat dhe sende kujtimi, letra, shkresa të familjes, librat, veglat muzikore, mjetet e artit që nevojiten për veprimtarinë shkencore dhe artistike, ndihma që u jepet nënave me shumë fëmijë ose të vetme, pensionet e pleqërisë, frutat natyrore një muaj para se ato të piqen etj.

Diskutimet
Gjatë shqyrtimit dhe miratimit të ligjit në Komisionin e Ligjeve, ekspertët kanë sqaruar arsyet e këtij ndryshimi. Eksperti Henrik Ligori ka pohuar se një apartament një dhomë e kuzhinë nuk është një pasuri në kuptimin e goditjes së krimit të organizuar.

“Mbase këtu duhet bërë një sqarim i vogël për të kuptuar se cila është logjika e këtij parashikimi. Sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka një numër çështjesh të cilat nuk po marrin dot drejtim sepse janë sekuestruar disa sende, të cilat dalin, si të thuash, jashtë kuptimit dhe logjikës së këtij ligji. Për shembull, një apartament një dhomë e kuzhinë nuk është një pasuri në kuptimin e goditjes së krimit të organizuar. Është një sipërfaqe e domosdoshme për jetesë.

Nëse personat nxirren jashtë kësaj sipërfaqeje, shtetit i krijohet një problem i ri, aq më tepër në një vend ku prej 25 vjetësh ka një ekonomi të rëndësishme
Informate”, ka pohuar Ligori. Sipas tij, shpeshherë njerëzit kanë punuar në emigracion dhe nuk janë në gjendje të justifikojnë shumat për një pasuri të caktuar.

“Kështu që menduam që një minimum i domosdoshëm për të garantuar kushtet normale të jetesës dhe të banimit nuk duhet të preket nga veprimi i këtij ligj, sepse del edhe jashtë logjikës së tij që synon të godasë pasurinë me origjinë kriminale dhe kemi thënë që për sendet e luajtshme të cilat shërbejnë për nevojat jetike, por edhe pasuritë e paluajtshme, që mund të jetë një banesë e cila siguron kushtet normale të banimit”, ka sqaruar ai.

Ulsi Manja
Deputeti Ulsi Manja ka pohuar se ka pasur debate për këtë nen. “Në lidhje me këtë nen ka pasur debat në grupin e punës. Mua më duket se parashikimi që është bërë në nenin 12 “c”, paragrafi i parë është për pasuritë e luajtshme, ndërsa paragrafi i dytë është për pasuritë e paluajtshme.

Për pasuritë e paluajtshme është lënë fjala “mund”, sepse rast pas rasti do ta vlerësojë gjykata, në përputhje me nenin 529 të Kodit të Procedurës Civile, nëse pasuria e paluajtshme, që mund të jetë dhomë e kuzhinë, do t’i lihet apo jo, është jetike apo nuk është jetike.

Për pasuritë e luajtshme janë përdorur fjalët “nuk sekuestrohen”, sepse lidhet me domosdoshmërinë e jetës, spitalin, kushtet vetiake, pagimin e detyrimeve ndaj shtetit, shkolla e të gjitha. Pra, flitet për pasuri të luajtshme, të cilat kanë të bëjnë tërësisht me nevoja jetike”, ka pohuar Manja.

Luan Rama
Deputeti i Luan Rama ka mbështetur nenin 12 c. “Nuk gjej argument për ta lënë të hapur, sepse sqarimi që bëri z. Ligori dhe ajo që sqaroi më parë edhe z. Manja, e bëjnë shumë të qartë edhe objektin e nenit, edhe autoritetin që i jepet gjykatës për të çmuar ndonjë rast specifik, siç rasti i një sipërfaqeje që është e lidhur me mbijetesën e tij.

Sepse, nëse një qytetar që rezulton me këtë lloj veprimtarie, le ta quajmë kriminale dhe ligji e detyron gjykatën që t’ia sekuestrojë shtëpinë, duke e nxjerrë nga shtëpia i lind detyrimi shtetit për ta sistemuar diku tjetër këtë qytetar.

Pra, përgjegjësitë e shtetit janë gjithmonë prevalente në raport me gjithçka tjetër, kështu që nga kjo pikëpamje, unë nuk gjykoj se ka vend për të qenë në dilemë. Ta miratojmë sipas propozimit të bërë dhe siç është drafti, në fakt, duke ia lënë në vlerësim gjykatës këtë të drejtë”, ka theksuar Rama.
 
 
Pasurisë që përjashtohen nga sekuestrimi
Dhomë e kuzhinë;
 
Deri 3 dynymë tokë, 2 kafshë për punimin e tokës, 1 lopë, 6 dele ose 6 dhi, fara për mbjelljen e ardhshme, si dhe ushqimi i këtyre kafshëve për 3 muaj për personat që jetojnë me punë bujqësore ose blegtorale;
 
Sendet e përdorimit personal të debitorit dhe të familjes së tij si: veshjet, shtresat, mbulesat, mobilet për aq sa ato janë të nevojshme për jetesën e tyre;
 
Ushqimet dhe lëndët djegëse që i nevojiten debitorit dhe familjes së tij për tre muaj;
 
Dekoratat dhe sende kujtimi, letra, shkresa të familjes dhe librat profesionalë;
 
Librat, veglat muzikore, mjetet e artit që nevojiten për veprimtarinë shkencore dhe artistike dhe të familjes së tij;
 
Ndihma që u jepet nënave me shumë fëmijë ose të vetme, pensionet e pleqërisë, të invaliditetit ose familjarë ose bursa e studimit përveç kur detyrimi është për ushqim.
 
Frutat natyrore një muaj para se ato të piqen.
 
Sendet e nevojshme të punës për sigurimin e jetesës.



dy.b/shqiptarja.com