‘Pazar’ me të sëmurët me tumor në QSUT! Zero shërbim falas në shtet, operime mijëra euro në privat!

‘Pazar’ me të sëmurët me tumor në QSUT! Zero shërbim falas në shtet, operime mijëra euro në privat!

Mjeku i Onkologjikut, Edmond Gashi

Një skemë abuzimi në kurriz të qytetarëve në nevojë, të sëmurë me tumor, është zbuluar nga Prokuroria e Tiranës në hetime të nisura nga viti 2023 duke vënë para përgjegjësisë penale mjekë të spitalit Onkologjik në QSUT, dhe administratorët e klinikës private “Megis” dhe farmacisë Florian Marku.

Mjeku Edmond Gashi është në masë arresti shtëpiak dhe akuzohet nga prokuroria e Tiranës për shpërdorim të detyrës pasi siç thuhet në dosjen që Report Tv e siguron, nuk i ofronte shërbim pacientëve në shtet, me qëllimin që t’i orientonte drejt klinikës së tij private në zonën e “Astirit”, me argumente se situata e tyre ishte e rëndë dhe lista e pritjes në spital e gjatës. Klinika “Megis”, rezulton e regjistruar në QKB në vitin 2019 me administrator Halil Gashin. Ky i fundit, me arsim të mesës, është vënë në masë detyrim paraqitje nën akuzë për fshehje të të ardhurave pasi në klinikë nuk jepeshin fatura tatimore për shërbimet.

Me kërkesë të prokurorit të Tiranës Bledar Valikaj, nga hetimet e nisura pas denoncimeve të qytetarëve në media, Gjykata caktoi në total 7 masa sigurie. Detyrim paraqitje për shpërdorim detyre u caktua edhe për mjeken e Onlokologjikut, Alketa Ymeri, e cila dyshohet të punonte e paregjistruar në kinikën “Megis” dhe koordinatorin pranë spitalit Onkologjik, Emiljano Lela. Ky i fundit sipas dosjes së siguruar nga Report Tv orientonte qytetarët që paraqiteshin në spital, drejt mjekut Edmond Gashi për tu operuar në klinikën e tij “Megis” për vlera deri në 5 mijë euro, por që duke përmendur emrin e tij mund të përfitonin ulje. Koordinatori i spitalit nga ana tjetër, merrte përqindje, e për të përfituar më shumë i duheshin qytetarë të shumtë për t’i bërë pre të kësaj skeme.

Klinika “Megis” është sekuestruar – njofton prokuroria dhe aktiviteti i saj është bllokuar deri në një moment të dytë.

Skandali që prokuroria zbuloi nga hetimet e bazuara edhe në përgjime telefonike, vëzhgime në terren dhe blerje të simuluara, është se pacientët me sëmundje tumorale jo vetëm nuk merrnin shërbim në shtet, por edhe ilaçet që duhej të ofroheshin falas për ta, nxirreshin jashtë spitalit dhe shiteshin privatisht me vlera marramendëse. Në një rast përmendet se një flakon për kimioterapi varionte nga 250 – 1500 euro.

Sipas dosjes, ilaçet dilnin jashtë spitalit përmes një skeme të tmerrshme ndaj pacientëve në nevojë. Të sëmurëve me tumor të regjistruar në bazën e të dhënave të spitalit onkologjik, nuk u jepej kura e plotë për trajtimin, dhe pjesa tjetër u jepej disa farmacive në Tiranë, ose shiteshin në dorë nga vetë stafi i Onkologjikut për pacientë të preferuar, që paguanin të merrnin ilaçet jashtë radhës së pritjes.

Sipas prokurorisë së Tiranës, në kuadër të këtij hetimi, nga kontrollet është zbuluar edhe një farmaci me ilaçe kontrabandë ndaj u caktua masë arrest në shtëpi për Florian Markun, pronar i farmacisë me të njëjtin emër ku u gjetën dhe 10 mijë euro cash.

Në këtë farmaci është blerë nga agjent të infiltruar ilaçi kontrabandë “Valamor” për të sëmurët me kancer, për 1300 euro në kuti pa pullë fiskale, me barkod të gërvishtur. Organi i akuzës ka dyshime se ilaçi është për përdorim spitalor dhe është vjedhur nga onkologjiku, ose në të kundërt, është i falsifikuar, që do të thotë se nuk bën efekt.

“Nga ana e Prokurorisë u arrit të dokumentohen raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave”, thuhet në njoftimin zyrtar të prokurorisë.

Një fakt i rëndë që prokuroria ka zbuluar është se në spitalin Onkologjik në QSUT, pajisja e instaluar për radioterapinë që nga vitit 2021 për trajtimin e të sëmurëve me tumor, sidomos ata me kancer të lëkurës, nuk është shfrytëzuar kurrë, por është lënë në kushte të papërshtatshme sigurie duke u bërë burim rreziku ndaj vetë personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve që emeton kjo pajisje.

Që të përdoret Kobalto Therapy duhet të krijohet një bunker anti-radioaktiv ose anti-atomik, por hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike. Gjatë hetimit është bërë e mundur që ky burim të zhvendosej në vendin e përcaktuar në një dhomë adapte.

Me detyrim paraqitje janë edhe zv/drejtoresha e QSUT, Brikena Qirjazi, që sipas hetimeve kishte përgjegjësinë për funksionimin e kobalto-terapisë. E njëjta masë edhe për një ish-specialiste pranë spitalit, Drilona Kishta, e cila aktualisht jeton në Amerikë.

MASAT 
-Edmond Gashi, mjek – “Arrest shtëpie” - Shpërdorim detyre
-Alketa Ymeri mjeke – “Detyrim paraqitje”  Shpërdorim detyre
-Brikena Qirjazi zv.drejtoreshë e QSUT “Detyrim paraqitje”  Shpërdorim detyre
- Emiljano Lela Koordinatori pranë onkologjikut “Detyrim paraqitje”  Shpërdorim detyre
-Drilona Kishta ish-specialist pranë QSUNT banuese në Amerikë, “Detyrim Paraqitje”  Shpërdorim detyre
-Halil Gashi administrator i klinikës  Megis – “Detyrim paraqitje” 
Akuza: Fshehje e te ardhurave  
-Florian Marku administrator farmacie – “Arrest shtëpie”
Akuzat: “Tregtimi dhe transportim i mallrave qe janë kontrabande” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave qe janë kontrabande”

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Bobi: 27/06/2024 09:13

    Kur lecova per Dr Edmond gashin sinqerisht e Kam vujt ket pjese neper spitaleet e shqiperis po spate lek vdes se z.etmond gashin sa mer parate iken luan ne kazino Tajvani ku perdit luan 200mij euro te blesh nje shtepi ikni verifikoni mer aty borxh me perqindjekur mbaron parate AI do denuar se nuk eshte sic flasin njerzit beni verifikim sa eur ju mer te semureve

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

'Travel and Tour World': Shqipëria, një yll në rritje në turizmin evropian

'Travel and Tour World': Shqipëria, një yll në rritje në turizmin evropian