Pa u mbushur 24 orë nga publikimi i mega kontratës 6 milionë dollarëshe të PD me qëllim lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet. Burime për Report Tv nga SPAK bëjnë zyrtarisht me dije se kanë nisur kryesisht verifikimet për kontratën e kamur të Berishës, me firmë të Flamur Nokës, kontratë që ka nxitur shumë reagime për pikat e errëta dhe dyshimet që lë pas. 

Tashmë përmes hetimit do t’i takojë SPAK të tregojë burimin e financimit marramendës, për një kontratë që është më e shtrenjta në historinë e lobimeve në politikën shqiptare. 

Report TV publikoi një ditë më parën kontratën me shifrën marramendëse që PD do t'i paguajë kompanisë amerikane Continental Strategy, ku një prej drejtuesve është edhe vajza e shefes së fushatës së Trump, bashkëpunëtore e ngushtë e Chris LaCivita, i cili është shefi i fushatës elektorale te Sali Berishës. 

Sipas kontratës thuhet se  në total për dy vite Berisha duhet t’i paguajë kompanisë 6 milionë dollar, 250 mijë dollarë në muaj. Zbulohet se PD ka parapaguar kompaninë amerikane me 750 mijë dollarë. Garantori i kontratës së majme është Nuredin Seci, një shqiptaro-amerikan me origjinë nga Tropoja, njëkohësisht anëtar kryesie i shoqatës Vatra në New Jersey. 

Kontratën e ka firmosur sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka, dhe ish këshilltari i presidentit Trump, Carlo Trujillo, në cilësinë e Presidentit të ‘Continental Strategy’.

Zgjedhja e një kompanie që zotërohet nga njerëz të rrethit të ngushtë të presidentit të SHBA-ve Donald Trump duket se nuk është e rastësishme. Përmes kësaj kontrate, Partia Demokratike me sa duket kërkon më shumë akses në majën e Shtëpisë së Bardhë, por edhe zgjidhjen e disa problemeve nga e shkuara.

Jo rastësisht, shërbimi i parë që kompania e lobimit ka realizuar për PD-në është një bisedë telefonike me Dan Holler, shefin e stafit të sekretarit të shtetit Marco Rubio, njeriu që ka në dorë të zhbëjë dizenjimin non grata të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga ish sekretari Blinken. 

Partia Demokratike e ka pranuar kontratën e lobimit me kompaninë amerikane ‘Continental’, dhe vlerën e saj, por thotë se “paratë do paguhen nga komuniteti shqiptaro-amerikan në SHBA, përmes fondacionit “Make Albania Great Again”.

Kliko këtu për të lexuar kontratën e lobimit të PD

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:00
SPAK nisi verifikimin për kontratën e lobimit, PD e Noka e sulmojnë: Vegël e Ramës, pagesa nga shqiptarët në SHBA

Partia Demokratike sulmon SPAK pasi nisi verifikimin për kontratën e lobimit prej 6 mln dollarësh në SHBA.

Sipas PD-së, kontrata është paguar nga ‘patriotët e komunitetit shqiptaro-amerikan’ teksa shton se SPAK po përdoret nga Edi Rama.

SPAK ka nisur verifikimet për kontratën e lobimit 6 milionë dollarë me ish-ambasadorin e Donald Trump.

Reagimi për media i PD-së

Pasi e përdori SPAK për vite me radhë si kapak për pusetën e skandalit të tij me McGonigal, sot Rama ka zgjuar sërish nga gjumi ata që kanë mbyllur sytë teksa kartelët e drogës në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër janë përfshirë më fort se kurrë për të deformuar vullnetin e zgjedhësve, njëlloj siç mbyllën veshët para audiove të dosjeve 339 dhe 184! Njëlloj siç kanë mbyllur sytë para 150 milionë eurove të vjedhura të inceneratorëve, nga të cilat SPAK jo vetëm nuk ka rekuperuar asnjë qindarkë, por hesht si fija e barit se ku kanë përfunduar 150 milionë euro për një vepër që nuk ekziston. Mesa duket kontrata e PD me avokatin e Presidentit Trump nuk ka trembur vetëm Ramën, por dhe veglat e tij. Në fakt, jo pa të drejtë! Pasi sot denoncimet e saj për McGonigal, përzierjen e karteleve të drogës të mbështetur nga Edi Rama dhe narkopolicia në procesin zgjedhor, përfshirë bashkëpunimin e heshtur të organeve të drejtësisë, kanë veshin e administratës dhe Kongresit të SHBA!

Partia Demokratike është transparente për kontratën me avokatin e Presidentit Trump, e cila është nënshkruar në përputhje të plotë me ligjet e të dyja vendeve dhe depozituar në FARA sipas çdo rregulli! Partia Demokratike gjen dhe njëherë rastin të falënderojë patriotët e komunitetit shqiptaro-amerikan për bujarinë dhe ndihmën e pakursyer për çmontimin e regjimit të Edi Ramës!

Sot Partia Demokratike, falë diasporës, është më e fortë se kurrë! Ditët e Ramës janë të numëruara! Fitorja është afër dhe i bëjmë thirrje të gjithë demokratëve brenda dhe jashtë Shqipërisë të angazhohen fuqimisht në dy javët e mbetura të kësaj fushate për të realizuar qëllimin tonë final që është Shqipëria Madhështore!

Reagimi u nda dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Flamur Noka, i cili është personi që ka firmosur kontratën e lobimit.