Demokratët nuk ishin në sallë gjatë votimit të së hënës, kur 74 deputetë të shumicës ngritën kartonat jeshil në favor të marrëveshjes së huasë me shtetet e Bashkuara, për 302 milion dollarë që do të hsërbejnë për blerjen e pajisjeve dhe sistemeve luftarake amerikane.
Më herët gjatë asaj seance ata kishin paralajmëruar se shumica po vepronte në shkelje të procedurave dhe se do i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese. Sot ky paralajmërim u bë fakt.
“Ne paralajmëruam se nëse mazhoranca do këmbëngulte grupi i PD do t’ia nënshtronte atë kontrollit të Kushtetueses. Ky paralajmërimin nuk ishte për të bërë politikë. Ajo ishte përpjekja e fundit për të ndalur shumicën që mos të përfshinte edhe marrëdhëniet më të rëndësishme strategjike me SHBA, në një procedurë antikushtetuese. Kërkuam respektimin e afateve kushtetuese, të drejtën e deputetëve për tu njohur me atë që do të votonin.
Opozita e ka bërë të qartë se e mbështet në parim këtë marrëveshje se i shërben interesit strategjik të Shqipërisë për të modernizuar FA dhe për të përmbushur detyrimet që burojnë nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. Duhet të ishte model i respektimit të kushtetutës, transparencës dhe debatit parlamentar”, tha Bardhi.
Bardhi theksoi se opozita e mbështet në parim këtë marrëveshje, por se "pikërisht sepse bëhet fjalë për marrëveshjen më të rëndësishme të viteve të fundit me SHBA-të në fushën e mbrojtjes, ajo duhej të ishte një model i respektimit të Kushtetutës, i transparencës dhe i debatit parlamentar, jo një tjetër shembull i përdorimit të shumicës parlamentare për ta shkelur atë." Gazment Bardhi deklaroi se kanë identifikuar shtatë shkelje kushtetuese në procedurën e ndjekur për miratimin e marrëveshjes
Shtatë shkeljet që rendit Partia Demokratike
Shkelja e parë: Deputetëve iu mohua e drejta kushtetuese për t'u njohur me marrëveshjen përpara votimit. Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit detyrojnë Kryetarin e Kuvendit që, menjëherë pas depozitimit të projektligjit, t'u shpërndajë deputetëve projektligjin, tekstin e marrëveshjes dhe relacionin shoqërues. Kjo procedurë garanton që deputetët të kenë kohën e nevojshme për ta shqyrtuar marrëveshjen, për t'u konsultuar, për të paraqitur amendamente dhe për të vendosur me përgjegjësi se si do të votojnë.
Shkelja e dytë: Deputetëve iu mohua e drejta kushtetuese për të kontrolluar mënyrën e përdorimit të fondeve publike. Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit detyrojnë që projektligjet me efekte financiare të shoqërohen me raportin që përligj shpenzimet financiare. Ky raport u mundëson deputetëve të vlerësojnë ndikimin e projektligjit në Buxhetin e Shtetit dhe të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues të kontrollit mbi administrimin e financave publike. Në këtë rast, raporti që përligjte shpenzimet financiare nuk iu vu në dispozicion deputetëve.
Shkelja e tretë: Deputetëve iu mohua e drejta për të ushtruar lirisht funksionin e tyre parlamentar, përmes debatit parlamentar, paraqitjes së amendamenteve dhe votimit të informuar. Pikërisht për të garantuar ushtrimin efektiv të këtyre të drejtave, Rregullorja e Kuvendit parashikon që rendi i ditës të bëhet publik jo më vonë se dy ditë përpara seancës plenare. Në rastin e kësaj marrëveshjeje, kjo nuk ndodhi. Kryetari i Kuvendit njoftoi ndryshimin e rendit të ditës të hënën dhe, po atë ditë, maxhoranca shqyrtoi dhe miratoi marrëveshjen, duke zhvlerësuar afatin ligjor prej 48 orësh të njoftimit të rendit të ditës së seancës, i cili është përcaktuar si mekanizëm që garanton këto të drejta të deputetëve. Edhe Gjykata Kushtetuese ka arsyetuar se mosrespektimi i afatit dyditor për rendin e ditës cenon parimin e demokracisë përfaqësuese.
Shkelja e katërt: Kjo lidhet me një afat tjetër shumë të rëndësishëm, i përcaktuar shprehimisht në Kushtetutë dhe i interpretuar qartë nga Gjykata Kushtetuese, kur ajo rrëzoi mënyrën sesi Kuvendi miratoi Rregulloren e funksionimit të tij. Një rast identik me mënyrën sesi u miratua marrëveshja me SHBA të hënën. Edhe praktika e ndjekur për këtë marrëveshje, njësoj si praktika e shpallur antikushtetuese për Rregulloren e Kuvendit, u zhvillua me procedurë të përshpejtuar brenda 24 orëve. Në vendimin që duhet të ishte detyrues për Parlamentin, Gjykata Kushtetuese arsyetoi në muajin shkurt se mosrespektimi i afatit minimal njëjavor cenon sërish parimin e demokracisë përfaqësuese, duke u mohuar deputetëve të drejtat e tyre kushtetuese.
Shkelja e pestë: Marrëveshja u trajtua sikur Shqipëria të ndodhej në një situatë të jashtëzakonshme, me nevojë dhe urgjencë për hyrjen e menjëhershme në fuqi të ligjit. Në fakt, nuk ekzistonte asnjë nga këto kushte. Vetë qeveria e rrëzon pretendimin për urgjencë. Marrëveshja u miratua prej saj në parim më 19 qershor dhe u nënshkrua më 22 qershor. Këshilli i Ministrave kishte më shumë se një muaj kohë për ta paraqitur projektligjin sipas procedurës së zakonshme parlamentare, por zgjodhi ta mbante një muaj në sirtar dhe, për arsye që i di vetëm Edi Rama, ta sillte në Parlament vetëm në ditën e fundit të punimeve të tij. Në këto kushte, nuk mund të flitet për një urgjencë objektive, por për një urgjencë artificiale, të krijuar nga vetë qeveria. Po ashtu, Shqipëria nuk ndodhej në një situatë që të justifikonte nevojën urgjente për t'u pajisur me pajisje ushtarake, pasi nuk përballej me ndonjë agresion të armatosur apo kërcënim të jashtëm.
Shkelja e gjashtë: 1/5 e Deputetët kanë të drejtë që të venë në lëvizje Gjykatën Kushtetutese për të kontrolluar një marrëveshje përpara ratifikimit të saj. Duke e sjell dhe miratuar marrëveshjen brenda një dite, procedura parlamentare praktikisht e ka zhveshur pakicën parlamentare nga ushtrimi i përgjegjësisë së saj për të ushtruar kontrollin e kushtetutshmërisë së marrëveshjes në kohë, për të vënë në lëvizje Gjykatës Kushtetuese nëse cmonte vetëm përpara ratifikimit, si dhe praktikisht ka zhveshur vetë Gjykatën Kushtetuese nga kompetenca për të vlerësuar kushtetutshmërinë e marrëveshjes.
Shkelja e shtatë: Qeveria ka pamundësuar hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Huasë me SHBA-të. Duke e shpallur marrëveshjen sekrete, ajo ka pamundësuar botimin e saj në Fletoren Zyrtare. Por Kushtetuta përcakton qartë se një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj bëhet pjesë e sistemit të brendshëm juridik vetëm pasi botohet në Fletoren Zyrtare. Në këto kushte, mënyra se si është trajtuar kjo marrëveshje krijon një papajtueshmëri të drejtpërdrejtë me Kushtetutën, pasi një marrëveshje që nuk botohet nuk mund të hyjë në fuqi dhe as të bëhet pjesë e sistemit juridik të Republikës së Shqipërisë.
Sipas Bardhit, problemi nuk është marrëveshja, por mënyra antikushtetuese se si shumica vendosi ta miratonte marrëveshjen.
"Nëse Gjykata Kushtetuese e shqyrton këtë çështje me përparësi, ne mund ta miratojmë së bashku marrëveshjen, pasi të njihemi me përmbajtjen e saj, edhe në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare, duke respektuar plotësisht Kushtetutën dhe duke siguruar mbështetjen e plotë politike që një marrëveshje e tillë strategjike meriton", tha Bardhi.
Për shkak të konfidencialitetit të përmbajtjes, deputetëve iu kërkua të nënshkruan një deklaratë konfidencialiteti. Sipas informacionit zyrtar të Kuvendit, vetëm 27 deputetë kanë hedhur firmën për t’u njohur me marrëveshjen. Nga këta 8 deputetë të opozitës, anëtarë në Komisionin e Sigurisë dhe Ekonomisë, por që nuk morën pjesë në votim. Për pasojë vetëm 19 deputetë të grupit socialist, nga 74 që votuan pro, e kishin lexuar tekstin paraprakisht.

Vetëm 19 nga 74 deputetët që votuan ratifikimin e marrëveshjes për huanë 302 milion dollarë, rezultojnë se janë konsultuar me marrëveshjen.
Vetëm 27 deputetë të Kuvendit nënshkruan deklaratën konfidenciale, nga 140 deputetë gjithsej. Nga këto 8 ishin deputetë të opozitës, anëtarë në Komisionin e Sigurisë dhe Ekonomisë, të cilët nuk kanë marrë pjesë në votim në seancë plenare më pas, për shkak se kanë konsideruar që mbledhja e seancës Brenda të njëjtës ditë është antikushtetuese.
Marrëveshja mori 74 vota të socialistëve, por vetëm 19 prej tyre ishin njohur me të paraprakisht. Konkretisht: Besnik Brahimi, Agron Malaj, Lindita Nikolli, Hysen Buzali, Igli Hasani, Elisa Spiropali, Bujar Rexha, Ilirjan Pendavinji, Shkurt Lasku, Termet Peci, Ardit Bido, Erjo Mile, Zamira Sinaj, Briseida Cakërri, Aulona Bylykbashi, Adi Qose, Milva Ikonomi, Elton Korreshi, Admir Kadeli.


Komente












PD po perpiqet te hakmerret per mos-heqjen e non-grates ndaj Berishes. Sa per pretendimin se PD eshte e gatshme te mbeshtesi interesat kombetare, le te japin shpjegim pse mbajn si kryetar dike qe i fali territor detar Greqise.
PërgjigjuJa dhe BQ Baz Gardhi që i ka shum qejf huajt e gardhit.Plerë e ndyrë anti amerikan....
PërgjigjuPer gonen qe e mori dhe iku nuk the gjo apo jeni ne bashkpunim.