Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, i është përgjigjur Partisë Demokratike, e cila pretendoi se ajo nuk kishte pritur në zyrë një qytetar me probleme shëndetësore dhe nënën e tij. Spahiu publikoi një foto nga takimi me Albi Sulën dhe të ëmën, duke e cilësuar të pavërtetë pretendimin e opozitës.
“Qytetari në foto është Albi Sula. Së bashku me nënën e tij, e prita dje personalisht në zyrën time. E dëgjova me vëmendje për problematikën e tij shëndetësore dhe rrugëtimin e vështirë të trajtimit. Sqaruam hap pas hapi ndjekjen e rastit nga strukturat shëndetësore dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, si edhe hapat që do të vijojnë.Përballë disa pretendimeve të bëra publikisht nga opozita, faktet janë të qarta: Qytetari për të cilin pretendohet se nuk është pritur, ka qenë dje në zyrën time, përballë meje dhe nënës së tij. Ai është trajtuar dhe ndjekur nga mjekët e Spitalit Onkologjik në QSUT, sipas nevojave dhe protokolleve mjekësore. Në zbatim të procedurave administrative dhe kontratës me spitalin përkatës, rasti i tij është referuar për ndjekje të mëtejshme në Turqi.”, shkruan Ministrja Spahiu.
Pas sqarimeve për takimin dhe trajtimin e qytetarit, Spahiu iu përgjigj edhe përdorimit politik të rastit nga opozita.
“Të bësh politikë është legjitime. Të kritikosh është e drejtë. Por një problem shëndetësor nuk duhet të kthehet në mjet për të ndërtuar një akuzë që nuk përputhet me faktet. Për mua, përpara çdo debati politik është qytetari dhe halli i tij.”, nënvizon ministrja Spahiu.
Ministrja theksoi se përpara debatit politik vendos qytetarin dhe shqetësimin e tij, ndërsa shtoi se dyert e ministrisë mbeten të hapura për këdo që kërkon të dëgjohet dhe të marrë sqarime.









Komente
Komento