TIRANË- Këshilli i Mandateve u mblodh dot për të shqyrtuar kërkesën e grupit të Partisë Demokratike për heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pasi akuzohet se ka konflikt interesi përmes bashkëshortit të saj si investitor strategjik.
Opozita dhe maxhoranca sërish nuk gjetën konsensus, pasi deputetët e Partisë Socialiste kërkuan shtyrjen e mbledhjes me argumentin se duhet të lexojnë fillimisht dokumentacionin e dorëzuar nga demokratët. Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla tha se të gjithë deputetët duhet të njihen me dokumentin që më pas të mblidhen për ta shqyrtuar.
"Ky institucion nuk merr vendim, vetëm seanca plenare. Të gjithë këtë dokumentacion ne e verifikojmë, a i plotëson kriteret kushtetuese dhe këtë gjë duhet ta bëjmë seriozitet. Do ulem bashkë me kolegët e mi gjatë gjithë ditës së sotme, ti shohim, ti lexojmë që kur të vijmë këtu të jemi seriozë. Alibeaj kursejani kolegëve këtë që bëni shpesh herë. Kemi detyrë që këtë dokumentacion ta shohim. Lexojeni rregulloren. Kërkesë në parim, kryetarja e kuvendit është e detyruar që mbledhja të ndërpritet që anëtarët të njihen me dokumentacionin", tha Balla.
Një përpjekje për ta hequr nga vëmendje këtë çështje e ka quajtur kreu i Grupit të PD, Enklejed Alibeaj kërkesën për shtyrjen. Ai tha se socialistët e dinin që do bëhej mbledhja dhe duhej të ishin njohur me dokumentacionin. Alibeaj propozoi që mbledhja të vazhdojë, sot të paraqisnin vetëm kërkesën dhe në një ditë tjetër të vijonin me shqyrtimin e saj. Ai gjithashtu propozoi që në mbledhje të marrë pjesë edhe Xhaçka.
"A është teatër apo jo, këtë e the ti. Ti mund ta quash teatër. ne kemi paraqitur një kërkesë sipas të gjitha rregullave. Sot jemi të gjithë të përgatitur për ta shqyrtuar. Ky është seriozitet. Joseriozite është kërkesa juaj ta shtyjmë. Pse? Se s'keni pasur kohë ta lexoni. Pse ti e ke lexuar e tjerët jo. Sepse kjo është detyrimi i çdo deputeti. Sinjali i parë që jepni ju është ta shtyjmë, tregon qasjen tuaj. T'ia heqim syve të publikut, të mos e diskutojmë, të mos e respektojmë rregulloren. Propozova, kërkesën e kolegëve të tu që nuk e kanë lexuar. Sot të operojmë me paraqitjen e kërkesës, ju të merrni kohë ta lexoni, dhe jo vetëm kaq, ju thash të vijë Xhaçka. Është e drejta e saj të vijë apo jo, po e them unë këtë, për hir të seriozitetit. I fundit organ i cili vendos është Kushtuesja, por institucionet paraprake, ky këshill dhe pas këtij hapi seanca plenare, s'duhet të lëmë asnjë hap", tha Alibeaj.
Ndonëse opozita kontestoi, maxhoranca nuk ra dakord dhe u vendos shtyrja e mbledhjes. Këshilli i Mandateve në fund do të dalë me një raport që më pas i kalohet senacës plenare, ku do të votohet nëse çështja do të shkojë në gjykatë kushtetuese apo jo.
Një ditë më parë ministrja e Jashtme Olta Xhaçka reagoi pas akuzave të opozitës, se bashkëshorti i saj i shpallur investitor strategjik nga qeveria, është në konflikt interesi. Sipas ministres bashkëshorti i saj nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga shteti, por vetëm siguri juridike.