Partia Demokratike ka sulmuar sërish ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja duke e akuzuar se ka fituar tendera publikë me ish-kompaninë që zotërohej prej tij para se të emërohej ministër.
 
Deputetja e PD-së, Arbiola Halimi tha se ish-kompania e Beqajt ka rritur fondet nga 3.5 miliardë dollarë që kishte në vitin 2014, në 7 milionë dollarë vetëm në 8 muajt e parë të këtij viti.
 
“Fitimet e kompanisë që ka themeluar Beqja rriten në mënyrë marramendëse, sapo ai emërohet ministër Shëndetësie. Kjo është skema e vjedhjes, e zhvatjes e pasurimit me fondet publike, skemë e ndërtuar nga Edi Rama dhe ministrat e tij”, tha deputetja e PD-së duke i kërkuar Prokurorisë që të hetojë ministrin e qeverisë “Rama”.
 
Intech + në 22 muaj ka fituar 28 tendera pa zhvilluar asnjë proces apo garë, por me urdhër dhe porosi, me kritere të bëra enksa për të, tha Arbiola Halimi duke publikuar dhe një grafik të të ardhurave dhe shpenzimeve të deklaruara nga kjo kompani.
 
Pas akuzave të PD-së, Ministria e Shëndetësisë reagoi duke i cilësuar këto shpifje. “Alternativa e vetme e PD-së është të përsërisë të njëjtat shpifje cdo ditë, por ne kemi punë për të bërë dhe nuk kemi kohë të merremi me baltën e SHQUP-it, për të cilën kanë marrë përgjigje. Nëse ata nuk kanë punë tjetër, veçse të përsërisin shpifjet e tyre çdo ditë, ne kemi ende shumë për të bërë për ta nxjerrë shëndetësinë nga humnera ku e ka zhytur PD”, thuhet në reagimin e MSH-së.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)