TIRANË- Dy ish- deputetët e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri dhe Ndriçim Mehmeti kanë akuzuar kreun e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj për mungesë transparence me gjendjen e kopshteve dhe shkollave pas tërmetit të 26 tetori, por edhe fondet për rikonstuksionin e tyre.
Nga kopshti numër 42 në kryeqytet, Pampuri shprehet se Veliaj këtë godinë e 4 vite më parë e ka reklamuar se është e standarteve më të larta, por sot ai hesht duke mos lejuar që askush ta shohë gjendjen e kopshtit pas tërmetit tragjik, por edhe duke treguar se kush e ka kolauduar kopshtin që sot është shpallur i pabanueshëm.
"Tërmeti i një muaji më parë ka dëmtuar disa shkolla dhe kopshte në Tiranë. Një ndër ta është kopshti 42, ku gjendemi. Tani ai është i mbyllur, pa fëmijë brenda, sepse, siç na kanë njoftuar prindërit, ekziston një akt që thotë se kopshti nuk mund të frekuentohet nga fëmijët dhe edukatorët. As prindërit, as edukatorët nuk janë lejuar të shikojnë kopshtin nga brenda, duke mos bërë asnjë transparencë për gjendjen e tij. Akt eskpertimi nuk jep asnjë informacion për kopshtin e rikonstruktuar 4 vite më parë sipas nismës propagandistike të Bashkisë së Tiranës “Adopto një kopësht”. Ka qenë vetë Erion Veliaj, i cili ka ardhur dhe ka inauguruar kopshtin, duke trumbetuar se kopshti është me standarde të larta dhe me kushte shumë të mira për fëmijët. 4 vite më pas kopshti është i mbyllur, jofunksional nga dëmtimet pas rikonstruksionit propagandistik dhe në kushte jo të mira. Të abuzosh me fondet publike, të abuzosh me jetët e fëmijëve, është një krim i dyfishtë. Bashkia e Tiranës dhe qeveria fshehin informacionin se kush e ka kolauduar kopshtin, me sa fonde është rikonstruktuar dhe, mbi të gjitha, nuk ka asnjë person nën hetim për atë çfarë ka ndodhur me këtë kopsht", tha Pampuri.
Ajo ka kërkuar që të vihen para drejtësisë personat përgjegjës, duke nisur që nga Veliaj dhe deri tek kolauduesit dhe rikonstruktuesit e kopshtit.
" Zhvendosja e fëmijëve nga këtu tek kopshtet e tjera, është kosto për prindrit, rritja e numrit të fëmijëve në kopshtet e tjera është edhe më shqetësuese, por çfarë është më e rëndësishme është nisja e hetimit për të gjithë ata persona përgjegjës, duke nisur nga Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, i cili e inauguroi me zhurmë të madhe, tek kolauduesit dhe rikonstruktuesit e kopshtit", përfundon Pampuri.
Në të njëjtën linjë me të ka qenë edhe ish-deputeti, Ndriçim Mehmeti i cili ditën e sotme ka qenë në shkollën "Kongresi i Lushnjes". Ai akuzon se për këtë godinë ka pasur dy akt ekspertiza të ndryshme, si fillim është shpallur e pabanueshme dhe më pas është lejuar që të zhvillohet mësimi. Sipas tij, kjo gjë sjell pasiguri tek prindërit pasi nuk ka ndodhur vetëm me këtë shkollë, por edhe me shkollën “Emin Duraku”.
"Jemi këtu para shkollës “Kongresi i Lushnjës”, një nga shkollat që ka patur problematika gjatë lëkundjeve të tërmetit në datën 26 nëntor. Problematika që ajo ka është vërtetuar nga 2 akt ekspertiza. Aktekspetiza e parë, e cila thotë që kjo shkollë duhet të pezullonte menjëherë mësimin, më vonë del një akteskpertim i dytë, që thotë se kjo shkollë duhet të vazhdojë mësimin. Këtu nuk kemi siguri, nëse jeta e fëmijve gjatë shkollimit është i sigurt. E njëjta gjë ndodh edhe në shkollën “Emin Duraku”, e cila ka patur më shumë se 3 akt ekspertimi, që kundërshtojnë njëra-tjetrën. Pra, Instituti i Ndërtimit nuk ka akoma një sqarim publik se çfarë do të bëhet në këto shkolla. Kjo tregon hapur papërgjegjshmërinë e Bashkisë së Tiranës, të Ministrisë së Arsimit dhe të qeverisë, për të marrë masat e nevojshme që shkollimi dhe mbarëvajtja e procesit mësimor të jetë sa më e mirë. Një nga kushtet kryesore është padyshim siguria fizike e fëmijëve", shprehet Mehmeti.
Ai shkruan se këto periudhë pushimesh për festat e fundviti Bashkia duhet të bëjë edhe një herë një kontroll të gjitha shkollave dhe të bëhet publik edhe kostoja që duhet paguar përsëri për rikonstruksionin e tyre.
"Është rasti për t’i bërë thirrje bashkisë dhe qeverisë të rikontrollojë edhe një herë shkollat tani që janë pushimet. Të shohë çfarë mund të rregullohet në këto shkolla dhe në rast të kundërt, të transferoj fëmijët në shkolla më të sigurta për një proces mësimor sa më të sigurt. Është kjo mundësia që jo vetëm të bëhet transparencë për të gjitha dëmet që janë bërë, por të bëhet publik edhe kostoja që duhet paguar përsëri për rikonstruksionin e këtyre shkollave. Shkolla Kongresi i Lushnjës është rikonstruktuar në datën 21 mars 2017 me një bujë të madhe nga politikanët, përfshi parlamentarë, qeveritarë, ministrja e arsimit të kohës dhe kryebashkiaku Veliaj. Është koha për transparencë dhe llogaridhënie, jo për t’u fshehur pas akteve korruptive", përfundon Mehmeti.