PD: Kushtetuesja të pezullojë
"Vettingun", të shprehet Venecia

PD: Kushtetuesja të pezullojë<br />
Partia Demokratike ankimon sot në Gjykatën Kushtetuese ligjin e "Vettingut" i miratuar nga Kuvendi gjatë seancës së jashtëzakonshme të 30 gushtit. Shqiptarja.com ka siguruar kërkesën demokratëve, të cilët pretendojnë se ndërhyrja e qeveria cenon pavarësinë e organeve të vlerësimit. 

"Ndërhyrja me rol aktiv i institucioneve të treta, të varura apo nën ndikimin e politikës apo pushtetit ekzekutiv, përbën cenim të kompetencës kushtetuese të organeve të rivlerësimit, si dhe rrezik potencial të përfitimit politik nga procesi të mazhorancës aktuale, duke cenuar në këtë mënyrë pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Ligji ka asgjësuar thelbin dhe frymën e dispozitave kushtetuese, sepse kontrollin dhe hetimin në procesin e rivlerësimit e ka zhvendosur nga organet e krijuara rishtas dhe të konceptuara si organe të pavarura (Komisionerët Publikë, KPK dhe Kolegji i Apelimit), tek organet ekzistuese, jo kushtetuese, të pareformuara dhe të kontrolluara nga Qeveria, siç janë ILDKPKI, DSIK, Shkolla e Magjistraturës, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Ministria e Brendshme", thuhet në kërkesën e PD.
 
"Organet e reja të vettingut vendosen nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e Qeverisë sepse telekomunikimet dhe të ardhurat financiare të anëtarëve të tyre kontrollohen në mënyrë periodike nga agjenci në varësi të Qeverisë, si psh. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave", pretendon PD.
  
Gjithashtu, sipas PD, ligji cenon parimin e barazisë përpara ligjit, standardet e procesit të rregullt ligjor, si dhe parimin e llogaridhënies së organeve kushtetuese, si element thelbësor i shtetit të së drejtës.

"Nga mënyra sesi është konceptuar procesi i vlerësimit, ligji krijon një pseudoproces të rivlerësimit, i cili dhunon haptazi elementët dhe standardet thelbësore kushtetuese. Veçanërisht, procesi dhe standardet e kontrollit të figurës cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të sanksionuara në Kushtetutë dhe në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Ligji dhunon standardin kushtetues për të mos deklaruar fajtor dikë mbi bazën e të dhënave të mbledhura në mënyrë të paligjshme, duke lënë hapësirë për subjektivizëm dhe selektivitet në procesin e vettingut", thuhet më tej në kërkesën e demokratëve. 

Opozita pretendon gjithashtu se ligji dhunon parimin e sigurisë juridike sepse teksti i normave të tij është i paqartë, konfuz dhe në raste të caktuara edhe kontradiktor. Sipas PD, ligji krijon mundësi që në praktikë të ketë ngërç institucional, zvarritje të procesit, konflikte kompetencash, ndjekje të praktikave jo uniforme dhe pengesa të tjera, që do të minojnë thelbin e procesit të rivlerësimit. Për këtë arsye, demokratët kërkojnë pezullimin e ligjit të Vettingut nga Gjykata Kushtetuese dhe dërgimin e tij për mendim në Komisionin e Venecias.  
 
"Gjithashtu, duke qenë se ligji nr. 84/2016 merr përsipër rregullimin e një mase të jashtëzakonshme dhe veçanërisht delikate, kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese që të marrë në konsideratë edhe mundësinë që pezullimi i ligjit, të shoqërohet me kërkesë për mendim nga Komisioni i Venecias. Në letrën e Ministrit të Drejtësisë në Janar 2014, Komisionit të Venecias i është kërkuar mbështetje për Reformën në Drejtësi dhe ky institucion prestigjioz ka shprehur gatishmërinë për të dhënë asistencën e nevojshme. Për këtë arsye, në Raportin e Komisionit Europian të datës 04.06.2014, theksohet ndër të tjera se: “Në reformën e sistemit gjyqësor, për të avancuar me vendosmëri në rrugën e integrimit evropian, Shqipëria ka nevojë të zbatojë me rigorozitet reformën në gjyqësor, përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me Komisionin e Venecias, miratimit të dispozitave kyçe shtesë për forcimin e pavarësisë dhe llogaridhënies – në përputhje me udhërrëfyesin për reformën në sistemin gjyqësor – si edhe zbatimit adekuate të masave të miratuara”. Është e vërtetë që Komisioni i Venecias është shprehur për pjesën e rivlerësimit të gjyqtarëve/prokurorëve në kuadër të ndryshimeve kushtetuese, mirëpo nuk është shprehur për detajet dhe rregullimet shtesë që ligji bën mbi standardet dhe procesin e rivlerësimit. Për këtë arsye, marrja e mendimit të Komisionit të Venecias për ligjet në fushën e drejtësisë, është detyrim që buron nga procesi i integrimit europian, që përbën prioritet madhore kombëtar".

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Mësuesi amerikan në Tiranë mbyt gruan, vret 2 qentë e var veten! Në një letër me shkrim dore ishte përshkruar çdo veprim i autorit

Mësuesi amerikan në Tiranë mbyt gruan, vret 2 qentë e var veten! Në një letër me shkrim dore ishte përshkruar çdo veprim i autorit